Qeveria e Albin Kurtit tashmë ka nisur edhe kurdisjen e kontratave për njerëzit e vet. Vetëm tetë ditë pasi u lirua nga detyra si këshilltare e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Valza Kika-Salihu, dy njerëzit e parë të qeverisë e kurdisën një kontratë për të. Ajo e mori një pozitë shumë më të favorshme dhe më të paguar nga Zyra e Kurtit.

Sikur të mos kishte njeri tjetër në Kosovë që mund ta bënte këtë punë, ajo rrafsh tetë ditë pasi u lirua nga puna që bënte te zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me të cilin kishte punuar edhe në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK), ish-këshilltarja e tij mori kontratë si konsulente në Zyrën e Kryeministrit, Albin Kurti.

Nga paga 600 euro e 60 centë sa paguhej si këshilltare e Bislimit, Kika-Salihu prej sot do të marrë 1 mijë e 333 euro në muaj apo 23 mijë e 994 euro në vit.

DTV ka siguruar dy vendime të rëndësishme rreth punësimit të Valza Kika-Salihut, vendimin për lirimin nga detyra si këshilltare e Besnik Bislimit dhe kontratën për angazhimin e saj të menjëhershëm në zyrën e Kurtit.

Në vendimin e nënshkruar nga Besnik Bislimi më 12 shkurt 2023, thuhet se Valza Kika- Salihu lirohet nga detyra e këshilltarit politik të zëvendëskryeministrit të parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

“Kika Salihu është e obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në pajtim me Ligjin Nr.04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-228 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-050”, thuhet në vendimin e siguruar nga DTV të nënshkruar nga Bislimi.

Ndërsa, në kontratën e saj të nënshkruar vetëm tetë ditë pasi ishte liruar nga detyra, të cilën gjithashtu e ka siguruar DTV, thuhet se Valza Kika- Salihu angazhohet si eksperte për shërbime të veçanta, kontraktore individuale.

Sipas kësaj kontrate, detyrat e saj janë që të mbajë kontakte me donatorët në baza të rregullta dhe t’i përforcojë marrëdhëniet me donatorët.

Ajo do të sigurohet që asistenca zhvillimore të jenë në përputhje me programin qeverisës dhe planet strategjike operacionale të Ministrive të Linjës, kurse shumat proporcionale me nevojat dhe prioritetet e vendosura.

Kika-Salihu e ka për obligim që të rekomandojë format më të mira të asistencës zhvillimore për projekte të ndryshme.

Detyrë tjetër e Kika-Salihut, që si duket u lirua nga detyra si këshilltare politike për ta marrë një punë me të paguar nga i njëjti institucion si konsulente, do të jetë koordinimi me zyrat përgjegjëse të Integrimit Evropian, Zyrën e Bashkëpunimi për Zhvillim, Zyrën për Planifikim Strategjik, Zyrën për Bashkëpunim Financiar Ndërkombëtar dhe të tjera zyra përgjegjëse.

Tjetër pikë e kontratës së Kika-Salihut është koordinimi i punës në mes të Ministrive të Linjës lidhur me projektet e bashkëfinancuara me donatorët.

Ish-këshilltarja e Bislimit, tash si konsulente individuale do të koordinojë punën për funksionalizimin e platformës për menaxhimin e ndihmës dhe projektet e financuara nga donatorët, duke mbikëqyrur azhurnimin e të dhënave në platformë.

Por, edhe pse u largua nga pozita e këshilltares së Bislimit, Kika-Salihu do t’i raportojë tani si konsulente sërish Bislimit një herë në muaj ose edhe më shpesh, sipas nevojës.

Asaj sërish mund t’i jepen detyra të tjera, sipas kërkesës së Bislimit apo Kurtit.

Ndërkohë, sipas kontratës së re, asaj nuk i lejohet transferimi në asnjë mënyrë.

SHPËRNDAJE