Shkruan: Xhemaledin SALIHU

 Në vitin 1941 organizon demonstratat e njohura të Shqiptarëve në Shkup, të cilat karakterizohen me kërkesën që Shkupi, Kumanova, Presheva, Gjilani, Kaçaniku dhe viset tjera shqiptare të okupuara nga Bullgaria të bashkohen me Shqipërinë.

 

 

 

 

SHAIP MUSTAFA (22 qershor 1912-1964)

Shaip Mustafa lindi më 12 qershor 1912, në fshatin Bukurocë të Preshevës, nga babai Ibrahim-Mulla Hima dhe nëna Hatixhe Mësimin fillor e kreu në Preshevë, në gjuhën serbe, të mesmen në Medresenë “Isa Beg” në Shkup, ndërsa Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, më 1940. Ishte anëtar i organizatës “Besa” nga viti 1935, kurse gjatë viteve 1938-1941, ishte sekretar i organizatës së PKJ-së të Preshevës.

Në vitin 1941 organizon demonstratat e njohura të Shqiptarëve në Shkup, të cilat karakterizohen me kërkesën që Shkupi, Kumanova, Presheva, Gjilani, Kaçaniku dhe viset tjera shqiptare të okupuara nga Bullgaria të bashkohen me Shqipërinë. Por, organet e pushtetit bullgar e arrestojnë dhe e internojnë në Bullgari, pastaj e burgosin dhe më pastaj e çojnë në një burg shtëpiak, ku qëndron 6 muaj. Por organizata shqiptare “Besa” në krye me Abdullah Saqipin-Presheva, më vonë  avokat në Shkup, mblodhi një shumë parash dhe e shpëtuan nga burgu bullgar.
Pas lirimit nga burgu, Shaipi bashkë me Jahja Osmanin, kthehen në vendlindje dhe pastaj shkojnë  në Tiranë ku u pritën  nga kryetari i Qeverisë së Shqipërisë së asaj kohe, z. Mustafa Kruja.
Në vitin 1943 erdhi në konflikt me Svetozar Vukmanoviq – Tempon për shkak të statusit të ardhshëm të Kosovës e viseve tjera shqiptare. Pas lufte u zgjodh kryetar i Qarkut të Prishtinës, ku qëndron deri në nëntor të vitit 1947.
Më 15 qershor të vitit 1948, pushteti i ri jugosllav, ngrit aktpadinë kundër tij në Gjyqin e Rrethit në Prishtinë dhe në gusht të vitit 1948 ia shqiptojnë dënimin me vdekje, pastaj merr burgim të përjetshëm. Pas ankesës që e bënë Shaipi, dënimin ia zbresin në 20 vjet dhe atë e vuan në burgun e Nishit, plot 14,5 vjet.
Nga burgu lirohet në prill të vitit 1962 dhe jeton në Preshevë te motra Xhevaire, te nipi Sadri Ymeri – mësuesi, deri në vdekje, më 12 maj 1964.

 

Organizata Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd brenda udhëheqjes së saj kishte dy rryma, dy drejtime: drejtimi  djathtist, e cili synonte dhe angazhohej që trojet shqiptare t’i bashkangjiten Shqipërisë Etnike, ishte më radikal dhe  nuk pranonte bashkëpunim me studentët serbë. Përfaqsuesit më të denjë ishin: Tahir Ismaili, Abdulla Saqipi-Presheva, Sokol Dobroshi, etjerë dhe orientimi majtist, me ideologji komuniste jugosllave, anëtarët e të cilit drejtim anonin dhe angazhoheshin për bashkëpunim më të ngushtë dhe të domosdoshën me studentët serbë. Në këtë drejtim vepronin edhe disa studentë shqiptarë që studionin në Universitetin e Beogradit: si Ali Shkriu, Meto Bajraktari, Zejnel Ajdini, Hivzi dhe Azis Sylejmani, Shaip Mustafa, Selim Selimi. Të gjitha takimet e Organizatës “Besa” mbaheshin në klubin “Kosova” në Beograd.
Sipas Qerim Litës, Shaban Efendia atdhetar i devotshëm, Kumanovë, 2010, f. 38: “Synimi kryesor i Organizatës “Besa” ishte: “Ribashkimi i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore(dhe të gjitha viseve të tjera të banuara me shqiptarë) me Shqipërinë…”
Në këtë kohë, pandamë Organizatës Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd u themelua edhe Shoqata e Studentëve, Serbë, Malazezë, Shqiptarë e quajtur “Kosmet”. Ajo  ishte Shoqatë e Studentëve të Kosovë dhe Metohisë, si e quanin atëherë Republikën e Kosovës, e cila kishte për qëllim t’i ndihmojë Komitetit Krahinor të LKJ, në luftën për Vëllazërim dhe Bashkim të Shqiptarëve, Serbëve, Malazezëve dhe të tjerëve.
Në këtë Shoqatë bënin pjesë edhe disa studentë shqiptarë: Ali Aliu, Zejnel Hajdini e të tjerë. Mirëpo, kjo Shoqatë nuk pati aq ndikim te shumica e studentëve shqiptarë në Beograd, të cilët u përcaktuan për idetë përparimtare të Organizatës Studentore “Besa”.

 

Pra, ishte një luftë e pakompromis për përfitimin e studentëve shqiptarë nga ana e këtyre dy organizatave. Mirëpo, propagimi i Organizatës “Besa” ishte më i fuqishëm dhe nuk lejuan që në atë kohë studentët shqiptarë të biejnë pre e ideologjisë komuniste, pos disa prej komunistëve shqiptarë që u përcaktuan për organizatën “Kosmet”

 

Themelimi i Organizatës Studentore Shqiptare “Besa” në Beograd

Presheva, asnjëherë nuk u nda nga ngjarjet dhe ndodhitë në etnikumin shqiptar, por gjithmonë ishte pjesë e këtij etnikumi si dhe pjesë e Lëvizjes Mbarëkombëtare. Ajo mori pjesë në të gjitha proceset e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Presheva pati emra të njohur, personalitete të shquara, veprimtarë të dalluar të Rezistencës dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, duke filluar që nga Mbretëria Dardane e deri në Luftën e UÇPMB-së.
Shqiptarët e Preshevës nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene nuk i gëzuan të drejtat politike elementare qytetare dhe kolektive. Ata nuk e patën të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare, përdorimin e gjuhës, flamurit si dhe kultivimin e kulturës kombëtare. Bile, edhepse Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene nënshkroi Marrëveshjen e Sen Zhermenit, më 10 shtator 1919, për të drejtat qytetare dhe politike të pakicave kombëtare, ajo më vonë kërkoi anulimin e kësaj Marrëveshjeje, sepse nuk i përmbushi obligimet që dalin nga  Marrëveshja.
Kështu, Shqiptarët e Preshevës qenë të detyruat të vazhdojnë luftën për të drejtat kombëtare edhe pas viteve të 30-ta të shekullit XX. Pra, në të gjitha trojet shqiptare filloi një lëvizje kombëtare, gjegjësisht e inicuar nga studentët shqiptarë që studionin në Univesitetin e Beogradit. Pra, në mars të vitit 1935, në Beograd,  u themelua Organizata Studentore Shqiptare “BESA”.
Këtë organizatë në fillim të vitit 1935, e ndihmoi Sekretari i Parë i Legatës Shqiptare në Beograd, Shermet Xherxhuli. Me ndihmën e tij, filloi së vepruari kjo organizatë nacionaliste me seli në Beograd. Ky diplomat shqiptar në fillim arriti të anëtarësojë 12 studentë nga Kosova dhe Shqipëria Lindore. Ky diplomat shqiptar  organizatën “Besa” e organizoi pastër në baza kombëtare. Kjo organizatë politike, kishte për detyrë ngritjen e vetëdijes kombëtare te popullata shqiptare, në luftë kundër regjimit të egër jugosllav.
Nismëtarët e themelimit të kësaj organizate ishin: Tahir Ismaili, Jahja Osmani nga Kumanova, Shaip Mustafa nga Presheva, Abdulla Saqipi nga Presheva, Sokol Dobroshi nga Gjakova, Xhevdet Pallaska nga Gjakova, Shaip Kamberi nga Tetova, Esat Berisha nga Gjilani, Qazim Bllaca nga Bllaca e Malishevës, Ibrahim Lutfiu nga Prizreni etj., që të gjithë studentë në Universitetin e Beogradit.
Parimet kryesore të Organizatës Studentore Shqiptare “BESA” ishin:

1. Veprimtaria themelore në zgjimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët.
2. Bashkëpunimi politik me popujt tjerë të robëruar apo të pakënaqur nga regjimi i atëhershëm jugosllav.
3. Fshehtësia e domosdoshme dhe veprimtaria gojore.
4. Betimi i detyrueshëm dhe asnjë dokument i shkruar për veprimtarinë e organizatës”(Qerim Lita, Shaban Efendia atdhetar i devotshëm, Kumanovë, 2010, f. 37)

Veprimtaria e Organizatës Studentore “Besa”, së shpejti shtrihet në disa qendra të mëdha shqiptare, posaçërisht në  Shkup, Tetovë, Kumanovë, Preshevë, Gjilan, ku kontribut të çmueshëm për këtë do të japin përfaqësuesit e konsullatës shqiptare në Shkup: Rexhep Stablea dhe Sylejman Ashkiu.

Takimet, zakonisht mbaheshin në kafenenë “Bojali Han” në Shkup, të pronarit Hasan Shukriu. Ky lokal, më vonë  do të shndërrohet në qendër të rezistencës shqiptare, për të drejtat e Shqiptarëve, kundër politikës hegjemoniste serbe.
Programi themelor i kësaj organizate ishte, çlirimi i trojeve shqiptare me Kosovë, Preshevë, Shkup deri në Veles dhe bashkimi  i tyre me shtetin amë. Anëtarët e organizatës “Besa”, kanë pasur për detyrë, sipas programit të tyre kombëtar që në kontaktet me qytetarë të përhapin idenë për bashkimin e trojeve shqiptare të aneksuara me dhunë nga pushteti Jugosllav dhe  t’i bashkëngjiten Shqipërisë.
Programi politik i organizatës “Besa”, të Beogradit :

1. Përhapja e propagandës midis myslimanëve, se ata kurrsesi nuk mund të jenë turq, por janë shqiptarë.
2. Çdo anëtar e kishte për detyrë që të përhapte idenë për Shqipërinë Etnike dhe të luftonte për bashkimin e shqiptarëve; në Kosovë, Preshevë, Bujanovc dhe luginën e  Vardarit.
3. Ti jepet rëndësi mësimit të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare.
4. Kërkohej një regjistrim i plotë i popullatës shqiptare, që struktura e saj të jetë më bindëse para diplomacisë evropiane.
5. Kërkohej që turqit të deklaroheshin shqiptarë dhe të mësonin shkrim dhe lexim në gjuhën shqipe.(Vebi Xhemaili, Organizata “Besa” simbol i luftës për Shqipërinë Etnike, Rrugëtimi i Organizatës Studentore “Besa” drejt bashkimit kombëtar(1935-1944), Zemra shqiptare, 18.04.2010)

SHPËRNDAJE