Luginë e Preshevës, 1 prill – Që nga mbrëmë në mesnatë, në tërë territorin e Republikës së Serbisë mbizotëron heshtja parazgjedhore, e që do të zgjasë deri në mbylljen e të gjitha vendvotimeve, të dielën, më 2 prill, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”.

 

Tanimë, fushata parazgjedhore është përmbyllur, të premten në mesnatë, e që në bazë të ligjit në Serbi, ka filluar edhe heshtja parazgjedhore. Të dielën, në Serbi do të mbahen zgjedhjet presidenciale ku qytetarët do të kenë mundësi që të votojnë njërin nga 11 kandidatët e mundshëm për president të Serbisë. Nga gjithsej 6 milion e 724 mijë e 174 votues që kanë të drejtë vote, e që i ka vërtetuar Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë, prej tyre 43 mijë e 90 votues mund të votojnë në ndonjërin prej 56 vendvotimeve në komunën e Bujanocit për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në Serbi.

 

Momentalisht në tërë territorin e Republikës së Serbisë po mbizotëron heshtja parazgjedhore që ka filluar në mesnatë dhe zgjatë deri në mbylljen e të gjitha vendvotimeve të dielën më 2 prill. Ndërsa, qytetarët me të drejtë vote, të dielën, më 2 prill, do të kenë mundësi të votojnë njërin nga 11 kandidatët e mundshëm për president të Serbisë, duke filluar që nga ora 07:00 deri në orën 20:00 kur dhe do të mbyllen vendvotimet. Derisa në Serbisë mbizotëron heshtja e etheve parazgjedhjeve, të cilat vërehen të jenë prezentë në çdo cep të skenës politike serbe, në Luginë të Preshevës nuk shprehet kurrfarë interesimi apo atmosfere të këtyre zgjedhjeve. Thjeshtë, tek votuesit shqiptarë të Luginës nuk vërehet as edhe interesimi më i vogël, se të dielën do dilet në votime.

 

Mbase, një mosinteresim i votuesve shqiptarë të Luginës, merret si arsye edhe nga fakti se asnjëri nga kandidatët presidencial serbë nuk shprehur interesimin e tyre për votat e shqiptarëve dhe as që ndonjëri prej tyre e vizitoi Luginën përgjatë kësaj fushate. Partitë politike shqiptare në Luginë të Preshevës, nuk e kanë parë të daljen e elektoratit të tyre në zgjedhjet presidenciale serbe.

 

Derisa Partia për Veprim Demokratik nuk ka dalë me qëndrim zyrtar për daljen apo mosdaljen në këto zgjedhje presidenciale serbe, thjeshtë i ka injoruar plotësisht ato, një qëndrim të tillë e kanë pasur edhe partitë tjera në Luginë, përveç kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Jonuz Musliut dhe liderit të Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafës të cilët dolën me qëndrim zyrtar për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve presidenciale, ngase sipas tyre, kandidatët e mundshëm për president të Serbisë nuk kanë shfaqur aspak interesim për pozitën politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Metali Krasniqi

SHPËRNDAJE