Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e paralajmëroi Rusinë për pasoja serioze ekonomike e politike, nëse ajo e shton agresionin ushtarak ndaj Ukrainës dhe tha se Gjermania e aleatët e saj janë të gatshëm për dialog me Moskën dhe se duan paqe.

“Ajo që është në pyetje për momentin nuk është asgjë më pak se shmangia e një lufte në Evropë. Ne duam paqe”, tha kancelari gjerman para gazetarëve në takimin me udhëheqësit e shteteve baltike në Berlin të enjten, duke i bërë thirrje Rusisë që t’i ulë tensionet.

“Agresioni i mëtejmë ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës do të kishte pasoja serioze politike, ekonomike dhe strategjike për Rusinë. Në të njëjtën kohë, ne jemi të gatshëm për bisedime serioze me Rusinë, për dialog rreth çështjeve të sigurisë evropiane”, tha politikani që është kritikuar për qëndrim jo fort të ashpër kundër Rusisë.

Ai u takua me Kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas, me Presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda, dhe me Kryeministrin e Letonisë, Krisjanis Karins, udhëheqës të shteteve baltike, të cilët duan që Gjermania të luajë rol më të madh në përpjekjet e NATO-s për ta fuqizuar mbrojtjen kundër Rusisë në Evropën Lindore.

Para takimit shumëpalësh, Kryeministri i Letonisë, Krisjanis Karins, i bëri thirrje Gjermanisë që të marrë “rol udhëheqës për t’i udhëhequr Bashkimin Evropian dhe NATO-n nëpër këto kohëra të vështira”, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Kancelari gjerman është nën presionin e Shteteve të Bashkuara për ta bllokuar projektin tashmë të përfunduar të gazsjellësit “Nord Stream 2”, që do të sillte gaz rus në Gjermani, nëse Rusia kryen sulm ushtarak kundër Ukrainës.

Scholz-i nuk e ka përmendur këtë projekt në kontekstin e pasojave me të cilat ka thënë se do të përballej Rusia. Sidoqoftë, ai më parë ka thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë./Përktheu: Nasuf Abdyli

SHPËRNDAJE