(AIK-Presheva Jonë)

 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha para pak minutash se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore, por edhe politike për ta mohuar atë çfarë ka thënë raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty në raportin e tij. Kryeministri Thaçi, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, tha se raporti i Martyt është një përpjekje e dështuar e tij për ta njollosur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për ta dëmtuar imazhin e Kosovës në aspektin ndërkombëtarë.

Raportuesi i Këshillit të Evropës, Marty, në raportin e tij ka shkruar se gjatë luftës në Kosovë, të burgosur civilë janë vrarë pasi u janë marrë veshkat e tyre nga ish-UÇK-ja, për t’u shitur më pas në tregun e zi. Raporti pretendon se kjo tregti ka filluar kur zoti Thaçi ishte udhëheqës politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në fund të viteve 1990.

“Dyshimet e ngritura nga Marty janë trillime të tij dhe nuk kanë asnjë bazë”, tha kryeministri Thaçi, duke bërë të ditur se ka kërkuar nga institucionet relevante që të merren me këtë raport dhe ta nxjerrin të vërtetën në shesh.

Ai tha së është prekur personalisht, por edhe si kryeministër i Kosovës për këto pretendime, por sipas tij, me rëndësi është që e vërteta dhe e drejta është në anën e kosovarëve.

“Dihet se kush ka bërë krime gjatë luftës në Kosovë dhe për këto krime shumë udhëheqës të shtetit serb janë dënuar nga gjykata ndërkombëtare për krime lufte”, tha kryeministri.

Kryeministri i Kosovës tha se do t’i shfrytëzoj të gjitha kapacitete legale dhe se pret mbështetje nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian për t’i zbardhur këto akuza të pabaza.

SHPËRNDAJE