Ylli i Bajernit të Munihut, Arjen Roben ka pranuar se përgatitjet për Euro 2012 nuk janë duke shkuar aq mirë sa kishin shpresuar, por ndjen se “Portokallinjtë” kanë cilësi të mjaftueshme për të bërë impresionuar në Poloni e Ukrainë.
Roben është i bindur se Holanda më në fund është e gatshme për të fituar sërish një turne të madh. “Tulipanët” u kurorëzuan kampionë të Evropës në vitin 1988, por që nga atëherë janë detyruar të pajtohen me medalje të argjendta. Megjithatë, Roben mendon se skuadra e drejtuar nga Bert van Marvijk ka cilësi për t’i shkuar deri në fund rrugës së Evropianit, që nis më 8 qershor, pavarësisht se forma e tyre në ndeshjet përgatitore është larg asaj që është pritur. ”Në shikim të parë, ne dukemi se nuk jemi aq mirë të përgatitur si dy vjet më parë për Botërorin ‘Afrika e Jugut. Mirëpo, ne jemi duke bërë përparim të dukshëm tani kur të gjithë lojtarët janë bashkuar me skuadrën”, ka theksuar Roben për “ANP”. ”Besoj se ne kemi cilësi për të lënë gjurmë në këtë Evropian. Ne kemi shumë lojtarë të cilët janë në kulmin e tyre në moshën 27, 28, 29. Ka ardhur koha të korrim frytet e punës tonë nga vitet e kaluara”, ka shtuar Roben. Holanda bën pjesë në Grupin B, së bashku me Danimarkën, Gjermaninë dhe Portugalinë. “Portokallinjtë” e nisin Evropianin me ndeshjen kundër danezëve më 9 qershor.

SHPËRNDAJE