Situata e motit është përkeqësuar sërish këtë fundjave, nga reshjet e dëborës dhe ngricat në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa shtohet numri i zonave të bllokuara në veri dhe juglindje të vendit.

Reshjet e borës në Kukës kanë vazhduar me intensitet të dendur, duke lënë të izoluara mjaft komuna, ndërsa termometri ka shënuar rreth minus 6 gradë. Sipas kreut të emergjencave Civile, Alfred Oli më problematike paraqitet situata në rrethin e Tropojës, ku me përjashtim të 3 komunave të tjerat janë të gjithë të bllokuara. Sipas tij të bllokuara janë edhe Malësia e Madhe, Dukagjini dhe Kelmendi në qarkun e Shkodrës.

Probleme nga moti i keq ka patur edhe në qarkun e Dibrës ku raportohen shumë komuna të bllokuara dhe akse të qarkullueshme me zinxhirë. Reshjet e dendura vazhdojnë të bien në të gjithë qarkun e Dibrës, ku janë ribllokuar sërish të gjithë akset rrugore. Trashësia e borës varion deri në 50 cm. Problematike situata paraqitet në qytetin e Bulqizës nga ura e qytetit deri në Qafën e Buallit me një segment prej 4 km .

Dje ministri Nishani ka inspektuar vetë zonat e bllokuara nga dëbora,ndërsa ka mbledhur edhe Shtabin e Emergjencave në rrethin e Tropojës për të përmirësuar situatën në këto zona.

Policia dje ka njoftuar që të mos qarkullohet në aksin Peshkopi –Tiranë për shkak të rrezikshmërisë që paraqet. Reshjet e dëborës kane rënduar situatën në qarkullimin rrugor në Elbasan. Akset kombëtare në Qafë-Thanë dhe Qafë-Kërrabë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Po ashtu edhe ne rajonin e Korçës disa komuna janë të bllokuara dhe në disa akse qarkullohet me zinxhirë.

Ndërpriten fluturimet e helikopterëve për dërgimin e ndihmave nga ajri në zonat e bllokuara nga dëbora. Shkak për këtë është bërë përkeqësimi i kushteve klimetarike, nga era e fortë, mjegulla dhe reshjet e dendura të dëborës. Operacioni i dërgimit të ndihmave nga ajri u realizua gjatë të gjithë ditës së enjte dhe me ndërprerje dhe rinisje gjatë ditës së premte.

Dërgimi i ndihmave kryhej me helikopterë të transportit të mesën AB 205 të cilët transportonin 450-500 kilogramë ndihma për çdo fluturim. Sipas burimeve, urdhri i ndalimit të fluturimeve kanë sjellë rekomandime për shtimin e përpjekje në tokë për hapjen e rrugëve me fadroma e mjete borëpastruese për të dërguar prej andej karvanët me ndihma.

Të njëjtat burime thanë se baza e helikopterëve vazhdon të qëndrojë në gatishmëri për një urdhër të dytë për rinisjen e fluturimeve me ndihma në rast se do të vërehet ndonjë përmirësim sado të pakët të kushteve klimaterike.

SHPËRNDAJE