Shkruan Shefqet Dibrani

Deklarata “për një LDK tjetër” që e pat bërë Isa Mustafa, me ta marrë timonin e LDK-së, tashmë është bërë realitet, pasi kjo parti përveç sloganit “Partia e Rugovës” dhe “Rugovizëm”, nuk ka ruajtur gjë nga tradita e saj e mëhershme.

Sot në Kosovë, asnjë parti nuk udhëhiqet në mënyrë më teknokrate se sa LDK-ja. Në LDK është lënduar vlera, qoftë ajo intelektuale e qoftë akademike, e me këtë janë lënduar edhe vlerat e demokracisë e cila në rrethana shumë të vështira e pat orientuar Kosovën drejt konceptit evropian.

Ne jemi dëshmitar se mbi cilat premtime ka ardhur në krye të LDK-së Isa Mustafa, por shumë i zëshëm ka qenë për reforma të brendshme, premtimi për elektoratin se nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, dhe popullin në përgjithësi e ka garantuar se nëse ai bëhet Kryeministër dhe Skënder Hysen, Ministër i Punëve të Brendshme, do t’i zbulojnë të gjitha vrasjet me motive politike. E para në LDK, nuk janë bërë reforma, por është instaluar një teknokratizëm dhe një kontroll më i rreptë se në sistemet totalitare, e dyta qeverisja me PDK-në, e ka dëmtuar PDK-në dhe Kosovën, sepse LDK-ja edhe ashtu ka qen në margjina, dhe e treta le më që nuk u zbulua asnjë rast, por për fat të keq në burgjet e Kosovën vdiqën dy të burgosur në rrethana të dyshimta?!

Prandaj kjo parti, veçmas Isa Mustafa nuk ka asnjë përgjegjësi morale, intelektuale, politike dhe patriotike. Ky njeri është shndërruar në një mumie tragjike për LDK-në, që po ia sheh sherrin edhe Kosova, por askush nuk mundet të na thotë si po i realizon këto qëllime shkatërruese kur dihet se Isa Mustafa pat premtuar se nëse do t’i humb ai zgjedhjet do të jap dorëheqje, sikundër kjo do të ndodhë edhe nëpër të gjitha Degët dhe Nëndegët e LDK-së. A ka ndodhur një rast të tërhiqet dikush, jo sepse Isa Mustafa i ka humbur tri palë zgjedhje lokale dhe dy nacionale por nuk ka marrë përgjegjësi.

Pastaj në qeverisjen e tij kanë emigruar mbi 100 mijë qytetar, kurse fluksi i tyre u pengua vetëm pasi u shënuan viktimat e para të kësaj tragjedie. Nuk ka dhënë përgjegjësi as Isa Mustafa dhe as vartësit e tij që kanë qenë të implikuar në këto afera. Isa Mustafa ka bërë shkelje kushtetuese dhe atij iu lejua ta vazhdojë avazin e shkatërrimit të tërë Kosovës. Askush nuk mundet më tregua se cilën fabrikë a institucion e ka udhëhequr Isa Mustafa dhe ka pasur sukses, duke përjashtuar vetëm Terminalin e Tij Doganor. Pastaj Isa Mustafa nuk është i shquar si ekonomist, dhe madje pa pasur të publikuar asnjë libër të kësaj fushe ai merr gradën e Akademikut duke zhvatur andej e këndej nga buxheti i shtetit.

Ka edhe shumë të tjera që e bëjnë Isa Mustafën njeriun më të dështuar në gjithë historinë e shkurtër të Kosovës, por militant të tij, që thirren në “rugovizëm”, po brohoritin se “LDK-ja do të del e para”, ne do të fitojmë?!

Por premtimet e tij për reforma të brendshme në LDK, dhe për freskimin e partisë me kuadro profesionale mbeten vetëm farsë për mashtrim, sepse sot në LDK, kemi vetëm servilizëm i cili ka lidhje të ngushta familjare në mes tezeve e tezakëve dhe aty këtu edhe ndonjë tjetër i dëgjueshëm. Tashmë, Kosova është në prag të zgjedhjeve lokale, kurse koha për ndryshime të mira e rrënjësore në LDK, as të mos shpresohet, pasi reformat e Isa Mustafës kanë mbetur vetëm premtime në etër.

Sot LDK-ja është stërkequr aq shumë sa për të duhet të shqetësohet edhe PDK-ja e le më anëtarësia e gjerë e kësaj partie. E për fat të keq sot në LDK, nuk ka asnjë përpjekje për reforma, disa zëra që shtireshin se ishin kundër Isa Mustafës, tashmë qartë u pa se paskan qenë marionetë e Isa Mustafës, vetëm kanë orkestruar mendim ndryshe për interesa të Isa Mustafës. Disa kryetar Degësh dhe disa aktivistë vetëm shtireshin se janë për reforma, pasi me kalimin e kohës u pa se pikërisht ata i tradhtuan interesat e elektoratit dhe të anëtarësisë. Prandaj mund të thuhet se të gjitha shpresat për një lëvizje të brendshme reformatore në LDK, ka qen një orkestrim i bukur në interesin e Isa Mustafës.

Për të mos i përmendur me emër e mbiemër, ne i kemi parë manifestimet kushtuar 27 vjetorit të themelimit të LDK-së, dhe i kemi parë se si puthiteshin e flirtonin duke u fotografuar e duke i shtrënguar duart thuaja se ishim në kohën e Marshal Titos apo të xhaxhit Enver. Vërtetë dy metra burra si kishin mundësi me u tall me vetën e tyre dhe publikun, qoftë me elozhet që ia bënin Isa Mustafës, qoftë me fjalimet e tyre patetike dhe veçmas me flirtin publik që e bënin me të.

Nga kjo pamje shpresat vriten edhe më shumë, pasi disa nisma kishe për reforma ishin këta kryetar Degësh që i tradhtuan idealet e anëtarësisë, por nuk dihet se si arriti Isa Mustafa t’i bëjë zapt. Prandaj zgjedhjet lokale do të jenë një test i mirë, nëse LDK-ja do të vazhdojë me këtë aventurë do të pësoj. Të shpresojmë se elektorati do të vetëdijesohet duke u distancuar nga ky klan, sepse slogani “Votën ia jap LDK-së, por jo Isa Mustafës”, është niveli më i ulët i emancipimit dhe pafytyrësia më e madhe politike që i bëhet partisë dhe Kosovës, pasi me votën e atyre që gjoja janë kundër Isa Mustafës, ky do të ka mundësi për ta vazhduar avazin e shkatërrimit dhe të pështirosjes të nocionit demokraci, sepse nga koncepti demokratik LDK-ja është larguar që me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së.

Por se kemi të bëjmë me një nivel intelektual të ulët dhe që aplikon standarde të dyfishta na e dëshmon rasti i Degës së LDK-së në Zvicër, ku asnjë “pseudoreformator” nuk reagoi për shkelje të të gjitha proceduarave të brendshme partiake dhe të jashtme për të cilat është dashur të reagojnë edhe institucionet relevante që merren me përcjelljen dhe menaxhimin e proceseve zgjedhore.

Demokracia në Kosovë, veçmas ajo që udhëhiqet nga Isa Mustafa nuk ka asnjë ndryshim nga diktaturat më të ashpra totalitare komuniste, përveçse tani nuk kemi me eliminimin fizik në mënyrë masive si atëherë, por kemi aplikim të formave moderne për izolim, injorim e deri tek format vulgare dhe kërcënimet e dukshme.

Shoqëria jonë, prokurori i shtetit dhe Bashkësia Ndërkombëtare janë dëshmitar të kapitalit ekonomik që ka krijuar për veta Isa Mustafa, qoftë me terminale të përfolura, apo me ndërmarrje aksionare, etj., ndonëse askush nuk ka marrë hap konkret për t’ia ndal avazin e paligjshëm, dhe për t’ia ndal turrin e degradimit dhe të shkatërrimit të mëtutjeshëm të LDK-së.

Tashmë LDK-ja, ka rënë nga dr. Ibrahim Rugova në Isa Mustafën dhe nga dr. Fehmi Agani në Ismet Beqirin. Ndërsa nënkryetarët e LDK-së, të gjithë së bashku nuk e bëjnë nivelin e një gjimnazisti në shkollat publike në vendet me demokraci të konsoliduar.

Isa Mustafa, në LDK, solli pas vetës kryesisht “ekspertet” e institutit, tash kolegjit “Riinvest”, bëri rehabilitimin e funksionarëve të lartë krahinor e federative të LKJ-së të cilët, madje i bëri deputet të kësaj partie. Isa Mustafa me shumë sukses i shantazhoi familjen Rugova, Maloku dhe Zemaj, shihni fëmijët dhe familjarët e tyre se çfarë shërbimesh antidemokratike dhe anti kombëtare ia bëjnë shefit të tyre dhe me çfarë servilizmi sillen përpara tij. Edhe pse Isa Mustafa shantazhoi luftën do të gjejë një Komandant të coftë, për t’i shërbyer me devotshmëri koniunkturave antirugoviste të Isa Mustafës i cili pasi e ka disiplinuar zonën në luftën ku ishte në detyrë dhe i porositur, po i njëjti me shantazhim dhe luftën e nëntokës do ta zbatoj brenda LDK-së.

Askush nuk mundet me thënë se ma mirë se sa Isa Mustafa që i ka shantazhuar fëmijët dhe familjarët e personaliteteve të LDK-së, që janë klasifikuar si vrasje me motive politike, askush si ai nuk diti t’i punësojë nëpër struktura e kabinete militantët e tij, ka rritur injorancën, indiferencën, duke shuar mundësinë e dialogut po e udhëheq partinë sikur të ishte despot i saj.

Nëse nga një prizëm tjetër i shohim manifestimet e shumta të LDK-së, të gjithë kemi vërejtur duartrokitje frenetike dhe ngarendje për t’u fotografuar me Isa Mustafën, ndërsa brohoritjeve për të, do t’ua kishte lakminë edhe diktatori i famshëm Enver Hoxha. Por kur e përmendim Enver Hoxhën duhet të jemi real, se brohoritjet për Enverin kanë qenë të imponuara dhe të detyruara, ndërsa brohoritjet për Isa Mustafën bëhen me vullnet të lirë dhe për pikë të qefit?!

Si ka arritur ta pushtojë, gjithë mendjen e LDK-së, askush nuk mundet ta thotë, por skandali me “Demarkacionin” dhe “Asociacionin”, mbeten sfidat e tij të parealizuara të cilat nëse mbetet në detyrë deri në fund të mandatit, Isa Mustafa ka me i futur në kurthe të gjithë deputetët e Parlamentit të Kosovës, ashtu siç e ka vënë përpara kolapsit ekonominë e vendit dhe ua ka vrarë qytetarëve shpresë se Kosova se shpejti do të ketë liberalizim të vizave. Pa asnjë dyshim, Isa Mustafa e ka mbyllur mundësinë për ta reformuar LDK-në, e kjo parti për të ecur përpara.

S’ka dyshim se lufta e tij në vitet e 90-ta që bëhej kundër dr. Ibrahim Rugovës, po realizohet tani, duke ia shkatërruar filozofinë politike dhe demokracinë. Isa Mustafa do ta përmbyll misionin e tij me shkatërrimin e kësaj partie e cila mbi një çerek shekulli i ka sfiduar pengesat e shumta.

Andaj votimi për LDK-në, jo për Isa Mustafën, kur ky e udhëheq listën dhe i ka bërë gjithë këto dëme LDK-së dhe Kosovës, është gjëja më e shëmtuar, niveli më i ulët i vetëdijes dhe standardi i koncepteve të dyfishta. Por unë besoj se vetëdija e elektoratit është më e lartë dhe ai do të kuptojë se duke injoruar votimin e listës ku i prin Isa Mustafa, ata kanë injoruar konceptin ideologjik i cili është antirugovizmi më i madh që prej se Rugova nuk është më në mesin e të gjallëve.

Refuzimi i listës që i prin Isa Mustafa, është patriotizëm, është vlerë dhe është Rugovizëm i vërtetë, pasi distancimi nga Isa Mustafa është refuzim i konceptit ideologjik mbi shoqërinë!

SHPËRNDAJE