Professional-content-writterNuk mbaj mend shumë detaje dhe momente nga fëmijëria ime e hershme, aq pak, sa më duket sikur nuk e kam përjetuar asnjëherë një fazë të tillë.

SHKRUAN: Fatbardhë KIQINA

Copëzat e para të kujtimeve janë të ndërtuara nga lufta e fundit në Kosovë, dhe që prej atëherë, shumë pak gjëra kanë ndryshuar, sepse, ne ende po luftojmë për ekzistencën dhe mbijetesën tonë në këtë vend.

Rrugëtimi jetësor fillon nga rruga e gjatë e familjes, nëpër të shtënat e bombardimet e pamëshirshme të armikut, të cilat nuk njihnin as moshë, as gjini, nuk kursenin asnjë jetë. Sikurse e të gjithë fëmijëve të moshës sime, edhe ekzistenca ime filloi me ikje nga vdekja, kurse tash, po vazhdon me ikje nga realiteti. Në thelb, asgjë nuk ka ndryshuar.

Menjëherë pas luftës, mbaj mend që edhe unë isha pjesë e grupit të “fëmijëve të trëndafilave”. Isha një ndër ata që “shpërblenin” shpëtimtarët tanë me nga një trëndafil. Me duket sikur rimerrnim jetën tonë, në këmbim të një trëndafili të bukur që ua dhuronim atyre që i dhanë fund luftës tonë për mbijetesë. Por, në fakt, ai moment, ishte vetëm fillimi i një lufte akoma më të madhe, ishte luftë ndaj popullit tim, ndaj njerëzve të mi, ndaj vetes.

E tash, në çfarë drejtimi duhet të ikim, kur çdo pëllëmbë e vendit tonë po lufton.

Tash, kush do të na shpëtoj nga vetja jonë, nga vendi ynë?

Kosovë, unë jam fryti yt që është gatuar e pjekur nga ëndrrat, por po shkrumbohem nga realiteti. Unë jam zëri yt që nuk bëj zë. Unë jam gjithçka që të pasqyron ty. Jam gjithçka që ti do të dëshiroje të ishe një ditë, por, kam shumë frikë që, nuk do të më lejojnë të bëhem kurrë ndryshimi yt.

Ne, e ardhmja e këtij vendi, nuk e merituam aspak jetën që e kemi sot.

Dikur qanim, frikësoheshim, luftonim në mënyrën tonë ndaj armikut, çoftë edhe duke i shikuar me sytë që ishin të mbushur me lot e përbuzje, ose edhe duke u fshehur pas krahëve të prindërve tanë. Por, ndaj jush, ne jemi plotësisht të pafuqishëm dhe as fshehja pas krahëve të askujt nuk kryen më punë.

Ju që keni në dorë të ardhmen tonë, mos e shkatërroni atë. Ne nuk jemi të huaj, nuk jemi armiq. Ne jemi e ardhmja.

Mos, se kjo gjendje e mjerueshme e vendit tim po më shërben vetëm për një qëllim, si inspirim për shkrimet e mia, që nuk janë aspak produkt i imagjinatës sime. Janë rebelim ndaj juve, njerëzve që po mbillni mjerim dhe dëshpërim pafund në shpirtin tim të robëruar, që thirret në emër të lirisë.

Mos, se lotët tanë janë më të vlefshëm se lakmia juaj.

Mos, se mallkimi ynë ka fuqi më të madhe se pushteti juaj.

Mos, se e ardhmja jonë, është e ardhmja e fëmijëve tuaj.

Mos, se rebelimi ynë, do të jetë nënshtrimi juaj.

Mos guxoni të na prekni të ardhmen.

SHPËRNDAJE