Ish-kryeministri i Kosovës në emisionin “Vizioni i Pasdites”, ka folur sesi po e kalon karantinën së bashku me familjen e tij. Ndër të tjera ai rrëfen se ditëlindjen vëllait ka mundur t’ja urojë në mesnatë, me shumë kufizime.





“Dauti është dhe vëllai im, por edhe shumë shok i imi. Nga koha e luftës humba dy vëllezër në luftë, Shkëlzenin dhe Luanin, pastaj kam humb dhe një vëlla tjetër pas lufte. Më ka mbetur vetëm Dauti. Ai ka bërë 42 vjet, ia kemi uruar gjithë familja secili veç. Me thënë të drejtën kam qenë në mesnatë te ai me Anitën. Shkurt, që të jemi dhe më afër, sa me ia uru. Kuptohet, me kufizime, tani e pamundur të kalosh në mënyra të tjera të festimit,”– tha Haradinaj. Ndër të tjera Haradinaj foli edhe për fëmijët dhe sesi po i kalojnë ata këto ditë karantinimi.  “Tashi jemi bërë eskpertë të gjithë se duhet me u bo gati për mësim online, pra me i kyç në linjë, me i gjetë adresën e duhur. Na merr dhe kjo pak kohë, pra kujdesemi për ta dhe pse është online, kujdesemi për ta.
Mësimi bëhet në shtëpi, është pak më i reduktuar. Pastaj patjetër dhe fëmijët janë mërzitur, janë mbyll ose në oborr ose dikund. S’ka më jetë të zakonshme, por ata janë fëmijë dhe vështirë ta kuptojnë,”- shtoi Haradinaj.  Si një person aktiv në jetën e përditshme, Ramush Haradinaj tha se nuk heq dorë nga stërvitja as në kushte karantine. “Kemi pistë vrapimi në shtëpi, Anita nuk mbahet asnjëherë, dhe unë gradualisht. Unë kam bërë një jetë jo të lehtë, pra jo çdo herë kam pas komoditetin e një jete me shumë mundësi. Ta zemë, një kohë kam qenë në luftë. Pastaj kam jetuar si ushtar. Kam qenë dhe i ndaluar, mbajtja në paraburgim 4 vite në Holandë.
Jam mësuar dhe në kushte me u dasht me ndihmu veten, me ato që janë ushtrime me forcë, cardio… jemi në rregull, bëjmë një jetë ushtari të disiplinuar. Çdo ditë, një pjesë të caktuar të kohës ia dedikoj sportit, dhe nuk më pengon hapësira. Pra mund të ushtroj në çdo hapësirë,”- përfundoi ish-kryeministri i Kosovës.

SHPËRNDAJE