Që transformimi i Kombinatit dhe gjithë Shqipërisë të vazhdojë, çdo qytetar i kësaj lagjeje të Tiranës duhet t’i drejtohet kutive të votimit më 8 maj.

Me këto fjalë lideri i opozitës Edi Rama dhe kandidati për bashkinë e Tiranës i është drejtuar banorëve të Kombinatit gjatë takimeve që ai pati derë më derë me qytetarë të grupmoshave të ndryshme.

“Gjithë ky transformim të madh që i kemi bërë Kombinatit, ku disa vjet më parë nuk kalohej dot, është një transformim që duhet ta cojmë përpara duke transformuar jetën në familje. Jeni të gjithë banorë të Tiranës dhe ne të gjithë i kemi njësoj”, ka deklaruar Rama.

Zgjedhjet e 8 majit, Rama i ka cilësuar si një mundësi për të fituar të gjithë, ndërsa disa banorë, ku njëri prej tyre i nderuar me medaljen “Pishtar i Demokracisë”, janë ankuar për papunësinë.

“Jam mërzitur shumë, jam pa punë”, i ka thënë personi i dekoruar Ramës. “Mos rri pa punë më tetë maj, që të mos rrish pa punë gjithmonë. Nuk ke punë dhe nuk ke rrugë tjetër. Vota është puna për të hapur rrugën”, i është përgjigjur atij Rama.

Teksa takoi një grup pensionistësh që po luanin domino, Rama nuk i ka kursyer batutat. “Po ja lini Saliut dopiogjashtën më 8 maj apo jo? Edhe dopiofushën”, u ka thënë ai atyre.

Nga qendra e Tiranës zoti Rama ka prezantuar projektin 3 dimensional, Tirana qyteti im, Tirana kryeqytet dhe Tirana kryeqendër e Rajonit, përfshirë lancimin e projektit për kampusin e ri universitar që planifikohet të ndërtohet në Tufinë, si dhe planin strategjik për kryeqytetin deri në vitin 2020.

Nëpërmjet grafikave të ndryshme, Rama i ka bërë një retrospektivë punës së deritanishme, duke e vënë theksin tek arsimi i të gjitha niveleve.

Në prezantimin përpara kryeqytetasve me detaje, Rama ka shpjeguar planin strategjik në fokus të të cilit është përmirësimi i transportit nën moton “Qyteti ku të gjithë lëvizin lirshëm dhe të sigurtë”.

 

SHPËRNDAJE