Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi, së bashku me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu, Kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Volfart si dhe Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Etore Sekui, zhvilloi sot një vizitë pune në Universitetin “Ismail Qemali” të qytetit të Vlorës, ku u prit nga Rektori i këtij Universiteti, Prof. Albert Qarri, zëvendësrektorët, pedagogët dhe mjaft studentë.

Në fillim, vizita e Prof. Dr. Bamir Topit nisi me një bashkëbisedim të përzemërt me stafin akademik të Universitetit në një nga mjediset e Rektoratit, mbi çështje të arsimit të lartë dhe sigurimit të një sistemi arsimor cilësor universitar e pasuniversitar. Rektori i Universitetit, Prof. Albert Qarri, në fjalën e mbajtur me këtë rast, paraqiti synimet e nismat e Universitetit nëpërmjet hartimit të strategjive e politikave për zhvillimin e arsimit të lartë me objektiva specifikë, gjendjen aktuale të Universitetit dhe përpjekjet e vazhdueshme të të gjithë profesorëve e pedagogëve në rritjen e cilësisë së mësimdhënies me synim përmbushjen e parimeve dhe qëllimeve të Deklaratës së Bolonjës për të arritur standardet evropiane.

Më tej, Presidenti Topi, i shoqëruar nga Ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së, zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor në një nga auditorët e Universitetit “Ismail Qemali” me studentë, profesorë, qytetarë e intelektualë të qytetit të Vlorës, të pranishëm në këtë aktivitet.

Me këtë rast, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mbajti një fjalë përshëndetëse drejtuar të pranishmëve duke theksuar që në fillim se: “8 maji është e duhet të jetë një ditë e veçantë për të gjithë qytetarët e Vlorës dhe të Shqipërisë. Është dita kur qytetarët ushtrojnë pushtetin e tyre demokratik, dita kur sovrani gjykon qeverisjen e katër viteve të fundit dhe me vullnet të lirë vendos për qeverisjen e katër viteve të ardhshme.”

Në vijim, Kreu i Shtetit shqiptar u shpreh: “Ju të gjithë jeni ftuar që më 8 maj të votoni për kandidatin tuaj të preferuar për kryetar bashkie dhe për këshilltarët tuaj të preferuar në këshillin bashkiak. Ligji ynë zgjedhor u ka dhënë qytetarëve vetëm një votë për të zgjedhur të vetmin institucion me zgjedhje direkte, – kryetarin e bashkisë apo komunës, siç edhe ua ka kufizuar mundësinë e përzgjedhjes midis emrave të listës partiake për këshilltarët. Kjo është vota e vetme që ju jepni direkt për një kandidat, për një emër, për një pushtet, ndaj vendimi për të meriton të gjithë respektin dhe solemnitetin e duhur, për të cilin meriton patjetër një vëmendje të plotë nga të gjithë qytetarët. Sot ju keni përballë disa kandidatë, secili me platformat e veta elektorale, secili me programin dhe premtimet e veta. Përgjegjësia e juaj qytetare dhe kushtetuese është të gjykoni çdonjërin prej tyre, punën dhe ofertën, karrierën dhe besueshmërinë, programin dhe premtimet, – dhe në fund, të dielën e 8 majit t’i kushtoni jo shumë, vetëm pesë minuta kohë institucionit më të fortë të demokracisë, – votës së lirë e të fshehtë. Këto janë janë zgjedhjet tuaja, sepse zgjedhjet nuk bëhen vetëm për ata që kanë interesa direkte elektorale, për partitë dhe kandidatët. Zgjedhjet bëhen në radhë të parë për qytetarët, mbi të gjitha për qytetarët. Ato mund të mos jenë zgjidhja ideale e problemeve tuaja, por me siguri janë mekanizmi i vetëm demokratik që çon tek zgjidhjet. Ato fitojnë vlerë cilësore kur kanë pjesëmarrje të lartë qytetare, kur qytetarët kanë disa alternativa për të zgjedhur dhe kur qytetarët janë sovranë në vendimmarrjen e tyre mbi alternativën më të mirë.”

“Përfitoj nga rasti t’u drejtohem nga ky auditor i nderuar edhe aktorëve politikë e institucionalë që kanë përgjegjësinë e organizimit, zhvillimit dhe administrimit të procesit zgjedhor të 8 majit. Unë, si edhe shumica absolute e qytetarëve të këtij vendi, bashkë me miqtë tanë perëndimorë, – kemi pritur dhe presim që kjo fushatë të zhvillohet brenda të gjitha standardeve të denja për një vend europian. Pritja merr rëndësi sidomos po t’iu referohemi kritikave zgjedhore në të shkuarën dhe kryesisht edhe zhvillimeve problematike që kemi përjetuar vitin apo muajt e fundit. Asnjë nuk i ka penguar partitë kryesore politike të përmirësojnë strukturën bipartiake zgjedhore, të korrigjojnë vetveten dhe mekanizmat zgjedhore, për të dëshmuar vullnet të qartë politik në zbatimin e Kodit Zgjedhor.” – nënvizoi Presidenti Topi duke shtuar se: “E kam thënë dhe e përsëris, edhe në këtë auditor të nderuar, se asnjë parti apo politikan, kushdo qoftë ai apo ajo, nuk e kanë në dorë fatin tonë, jetën tonë. Çdo qytetar është sovran në të drejtën e tij kushtetuese për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, dhe askush, për më tepër politikanët, nuk mund të cënojnë sadopak këtë të drejtë. 20 vjet kanë treguar se nuk kemi pasur një popull që ka gabuar, por kemi pasur politikanë që kanë gabuar, ndaj zgjedhjet bëhen jo për të testuar apo ndryshuar popullin, por për të testuar apo ndryshuar politikanët që marrin vendime në emër të tij.”

Duke folur për përgjegjësitë e partive dhe të aktorëve politikë, Presidenti Topi vuri në dukje dhe bëri thirrje: “ Në kushtet kur diferencat janë kaq minimale atëherë përse ende dëgjojmë një retorikë të ashpër përjashtuese e denigruese për njëri-tjetrin; përse ka ende zyrtarë apo politikanë që zihen për vendosje flamujsh partiakë apo sheshe mitingjesh; situata e këtyre ditëve e dëshmon këtë. Përse kandidohen apo lejohen të jenë pjesë e fushatës individë, që duan t’i zgjidhin gjërat me forcën fizike apo të parasë; dhe së fundi, përse duhet të lejojmë që individë apo grupe të caktuara të cënojnë imazhin e zgjedhjeve dhe bashkë me to, imazhin e demokracisë dhe të vendit? Unë apeloj partitë politike të distancohen qartë dhe menjëherë ndaj çdo akti dhune e retorike kërcënuese, ndaj çdo incidenti provokues dhe dekurajues të ndërmarrë nga kandidatët apo mbështetësit e tyre elektoralë. Partitë dhe kandidatët nuk janë mbi ligjin, – ato duhet të jenë modeli i zbatimit të ligjit. Po ashtu u kërkoj organeve të zbatimit të ligjit të hetojnë çdo rast dhe të vendosin përpara drejtësisë cilindo individ, zyrtar apo qytetar tjetër, që abuzon në forma të ndryshme me ligjin.”

Një apel të veçantë, Presidenti Topi ia drejtoi edhe medias: “Apeli im i adresohet gjithashtu medias, këtij instrumenti të jashtëzakonshëm të komunikimit të informimit publik. 20 vjet përvojë janë të mjaftueshme për të kuptuar sa e rëndësishme është media e pavarur dhe profesionale, për informimin dhe formimin demokratik të qytetarëve. Ne sot kemi shumë gazeta, shumë stacione televizive; pra edhe këtu jemi në rregull me shifrat, por kemi probleme të mëdha me informimin real e profesional publik. Kemi media që quhen publike, por që imitojnë mediat partiake. Kemi media që quhen të pavarura, por që me dëshirë e pasion u shërbejnë palëve politike të caktuara. Natyrisht media, ashtu sikurse edhe elementët e tjerë të shoqërisë, ka preferenca politike dhe që fatkeqësisht i shprehin këto në mënyrë më direkte, pa i kushtuar rëndësi misionit publik e kushtetues, pa llogaritur koston e pasojave të keqinformimit apo informimit të njëanshëm. Unë ftoj median që midis ofertave politike dhe qytetarëve të zgjedhin qytetarët, midis shërbimit politik dhe atij publik të zgje
dhin publikun, midis bilancit financiar afatshkurtër dhe besueshmërisë afatgjatë, të zgjedhin besueshmërinë. Ky do të ishte një kontribut real, një garanci e fortë për të ruajtur e promovuar ato vlera e parime, të cilat bëjnë diferencën dhe na afrojnë gjithnjë e më shumë me familjen e madhe evropiane.”

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i Shtetit shqiptar theksoi edhe njëherë: “Zgjedhjet e 8 majit janë një sprovë e rëndësishme për t’u përcjellë shteteve mike dhe institucioneve partnere që ambasadorët përfaqësojnë, – vullnetin dhe përkushtimin e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare për të vijuar reformat dhe angazhimet për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Zgjedhjet padyshim janë një test, një test me rëndësi, por pas tyre, vendi ka nevojë për një etapë të re bashkëpunimi ndërpartiak dhe ndërinstitucional për të fituar kohën e humbur apo vonesat e krijuara në axhendën e reformave integruese, të cilat janë në interes direkt të qytetarëve dhe njëherësh kriter politik për vendin tonë. Unë jam optimist, sepse e njoh shumë mirë energjinë pozitive që kemi, njoh kurajon dhe aftësinë krijuese qytetare, njoh aspiratat tona për një Shqipëri moderne dhe thellësisht demokratike, siç njoh maturinë e shumicës absolute të qytetarëve, partive politike apo politikanëve aktivë, për të mos lejuar për asnjë arsye apo axhendë paralele që 8 maji të mos jetë një shans i fituar. Unë padyshim jam optimist që 8 maji do të jetë një shans që ne do ta fitojmë të gjithë së bashku.

Edhe njëherë ju ftoj t’i bashkoheni apelit tim për pjesëmarrje në zgjedhje dhe kështu, të jepni një kontribut real e me vlera për veten tuaj, për komunitetin dhe për forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri!”

Interesimit të studentëve dhe pedagogëve të pranishëm në këtë takim, Presidenti Topi iu përgjigj:

Pyetje: Përshëndetje, zoti President! Përshëndetje të gjithëve! Jam shumë i gëzuar që gjendem sot këtu midis jush dhe dëgjoj leksionet tuaja tepër optimiste dhe shpresëdhënëse për të gjithë ne, studentët. Një pyetje e thjeshtë e imja, dhe e shumë shokëve të mi studentë, këtu në universitet, është se, ne ndjehemi të anashkaluar nga politika dhe nuk mund të ndjehemi shumë aktivë në politikë, për shkak të uzurpimit të saj nga shumë individë, të cilët kanë marrëdhënie të përafërta me politikën, dhe kjo sjell që ne, të ngelemi pasivë dhe të jemi mosbesues, mosshpresues për shkak edhe të këtyre situatave që kanë qenë deri më sot. Dhe kjo bën që ne të jemi pasivë dhe jo të angazhuar. Prandaj, mund të na thoni diçka, që ne të jemi më shpresues, të kemi optimizëm për të ardhmen dhe të arrijmë rezultate, pa harruar asnjëherë punën tonë dhe veprat tona.

Presidenti Topi: Unë, para se të filloja rrugën e politikës, kam qenë pjesë e stafeve akademike dhe sigurisht që, duke qenë në këtë auditor, kam edhe nostalgjinë time, por besoj që kam edhe njohuri të mjaftueshme për auditorin. Unë them në njëfarë mënyrë, çdo e mirë apo çdo aspekt negativ, ka relativitetin e vet. Nëse e kuptova drejt pyetjen tuaj, keni qenë të nënvlerësuar në njëfarë mënyre nga politika, nga kontakti me politikanët, besoj. Po të jetë kjo e dyta, nuk është ndonjë e keqe e madhe. Por, kur vjen puna për të diskutuar për rolin e politikës dhe të institucioneve, pastaj këtu meriton vëmendje. Unë jam i bindur që politika nuk ka vetëm momente negative. Sikurse unë e përmenda edhe në fjalën time, gjatë tranzicionit shqiptar, ne kemi pasur edhe shumë momente pozitive, por gjithmonë, në situata të tilla ne tentojmë të vëmë në dukje momentet negative që ato të mos përsëriten. Ka pasur një preokupacion të politikës dhe të institucioneve për t’iu përkushtuar Universitetit, mendoj që hapa pozitivë janë bërë. Unë mendoj që gjëja më e rëndësishme që juve duhet t’i kushtoni shumë rëndësi në këtë moment, që fokusi i objektivit tuaj të jetë universiteti, të jetë studimi. Sa më shumë ju të studioni, sa më të përgatitur ju të dilni, aq më shumë do të jeni të vetëdijshëm për të kuptuar nivelin e politikës. Në fjalën time, unë u shpreha që kemi zgjedhur Universitetin e Vlorës, kemi vlerësim të jashtëzakonshëm për pedagogët, sepse e dimë fare mirë ç’mund i madh është të jesh pedagog, por e kemi vlerësuar më shumë për studentët, sepse i kemi konsideruar që do të jenë elita e ardhshme e qytetit. Kështu që, sa më shumë juve të studioni, aq më shumë do të keni mundësi që të shmangni negativitetin e politikës së sotme. Uroj që, edhe politika nesër me pjesëmarrjen tuaj do të jetë më pozitive!

Pyetje: Përshëndetje dhe ju uroj mirëseardhjen në këtë ditë shumë të veçantë për Universitetin e Vlorës, që në të gjithë ekzistencën e tij, që nga 1994 e këtej, e ka vërtet ditën e parë me një pjesëmarrje kaq të lartë në auditor, sidomos në presidium. Dëgjova me shumë vëmendje që problemi më i mprehtë i diskutuar ishte ai i zgjedhjeve dhe në lidhje me këtë, gjykoj që qytetarët, të cilitdo niveli qofshin, kanë për të bërë një zgjedhje midis mirënjohjes që kryesisht lidhet me të shkuarën dhe pragmatizmit, ose joshjes që lidhet kryesisht me të ardhmen. Do të doja të dija mendimin tuaj, si President i Republikës, se si do të do arrinit ju të bëni një kombinim të këtyre dy poleve të skajshme. Dhe e dyta që do të doja të theksoja, është problemi paszgjedhor që ka Shqipëria historikisht dhe që, mesa dëgjova, pak u nënvizua nga juve, që është një problem me të vërtetë shumë thelbësor i relatuar sot në Shqipëri dhe që shikojmë, të paktën, pak vëmendje i është kushtuar gjithë këto ditë dhe jo vetëm në këtë bisedën e sotme. Madje, një delegacion i ardhur së fundmi nga OSBE-ja apo Këshilli i Evropës, ndoshta gaboj, u shpreh që do të bënte një relacion përfundimtar në datën 10, ndërkohë që pothuajse nga data 8 e mbrapa, fillojnë problemet, dmth, ato në datën 10, akoma s’kanë mbaruar. Ju faleminderit!

Presidenti Topi: Unë ju falenderoj për pyetjen, por edhe për qëndrimin. Nëse kjo pyetje do të më vinte nga një student, do isha më i motivuar për t’u përgjigjur në lidhje me qëndrimin e Presidentit, si qytetar. Por fakti që vjen nga një pedagog, jam i bindur që ju keni absolutisht aftësinë e plotë të analizës dhe të sintezës. Ne kemi ardhur këtu, jo për të dhënë leksione tek profesorët, tek pedagogët. Të jeni i bindur që kemi ardhur për të marrë edhe eksperiencë. Kështu që jam modest në këtë drejtim dhe nuk dëshiroj të jap, së paku për ju, e dyta, duke respektuar edhe pozicionin shumë institucional të Presidentit. Më ka munduar shumë fakti për të qenë i super-ekuilibruar, se nga natyra jam i ekuilibruar, për të qenë i super-ekuilibruar, sepse çështja e politikës, sidomos kur politika bëhet shumë mbipolare, ju e kuptoni fare mirë që tenton që të ketë shumë forcë gravitacionale, së paku, forcë të tmerrshme polarizuese. Edhe kur je i ekuilibruar, tentojnë të të bëjnë të njëanshëm, aq mq shumë që, nisur nga ‘background’-i im politik ndoshta kjo do të ishte paragjykuar. Por, shpresoj që në detyrë, por edhe aktualisht, të kem dhënë mesazhe që janë mesazhe parimore për demokracinë dhe për institucionet. Juve, me të drejtë shtruat pyetjen se ç’do të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve. Uroj të mos i referohemi skenarit të filmit “The day after”. Nuk do të ndodhë asgjë. Nuk do të ndodhë asgjë, por unë jam i mendimit që ditën që vjen pas zgjedhjeve, politikanët, institucionet duhet të mbyllin një kapitull. Dhe kur them ‘ditën që vjen’, nuk kam parasysh thjesht kohën fizike, 24 orë mbrapa, por s
i etapë, sepse po na ikën jeta. Sinqerisht, po na ikën jeta duke diskutuar për zgjedhjet që ikën dhe për zgjedhjet që vijnë. Ndërkohë që zgjedhjet bëhen për të na formatuar jetën tonë. Dikur, kur ishim shumë të varfër në aktivitete, nga e hëna deri të enjten diskutonim për ndeshjen që iku, dhe nga e enjtja e deri të dielën, për ndeshjen që vjen. Kështu që, unë mendoj, edhe me kontributin intelektual, duhet që njerëzit të orientohen tek jeta, e cila ka shumë dimensione, nuk ka vetëm zgjedhje. Është në interesin e atyre që kërkojnë, o të marrin karrige, ose ta konsolidojnë karrigen që të orientojnë njerëzit vetëm tek dominanti i zgjedhjeve. Mbarojnë një palë zgjedhje, ato që zgjidhen, duhet të kuptojnë që ditën mbrapa fillon një detyrë e madhe për ta. Se ju e shikoni që, çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë, diskutojnë vetëm, vetëm për politikë. Jeta ka shumë dimensione. Për fat të keq, edhe media ka filluar të ulë mundësinë e dimensionit të saj, merret nga mëngjesi. Ndonjëherë kur bie rasti që të del gjumi edhe në 3 të natës, dhe mund të hapësh televizorin, do të shohësh dikë duke folur sërish për politikë. Pra, t’i japim jetës dimensionin e vet, sepse jeta është shumë, shumë më e bukur se sa të merresh vetëm me konflikte politike.

Pyetje: Mirëdita! Do të kisha një pyetje për ne të rinjtë studentë, që po mbarojmë studimet, për mundësitë për t’u punësuar, qoftë dhe në politikë, për të pasur të paktën një mundësi punësimi, kudo që të jetë?

Presidenti Topi: Ndonëse kjo pyetje u shoqërua me të qeshura, është një pyetje shumë serioze, sepse unë futem totalisht në ndjesinë e studentit që mendon se ç’do të bëjë kur të mbarojë studimet, që lidhet së pari me një perspektivë të qartë të jetës së tij apo të saj, por lidhet edhe me një moment shumë të rëndësishëm që është moment ekonomik. Kështu që, unë e vlerësoj me shumë seriozitet pyetjen tuaj. Në fakt, ky është një shqetësim që e kap të gjithë brezin e studentëve. Jo rastësisht, shumica e tyre mendon që nuk do ta kenë shumë të hapur mundësinë për t’u punësuar. Kjo s’ka të bëjë më me ju. Kjo s’ka të bëjë më as me profesorët që janë këtu. Ekzaktësisht kjo ka të bëjë me politikën, e cila duhet të dijë të projektojë saktë, jo thjesht çfarë formon, por edhe çfarë mundësish jep. Sot, ne jemi në një treg ta hapur, ju keni zgjedhur degën që keni dashur të përfundoni, jo si dikur që gjërat ishin të planifikuara, por edhe shumë të kufizuara. Pra, edhe njëherë, unë nuk kam përgjigje tjetër, përveçse përgjegjësisë së politikës qenderore, por edhe lokale. Në rast se ne i referohemi sot Vlorës, Vlora është një nga ato qytete që në vizionin tim, nuk besoj se gabohem, ka një perspektivë shumë të qartë. Ka një perspektivë të qartë, me mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi, për të hapur shumë mundësi dhe aktivitete punësimi, ku në radhë të parë dhe vendi i parë duhet të jetë për ata që kanë përfunduar studimet, por sidomos për ata që kanë ditur si t’i përfundojnë studimet. Në eksperiencën botërore janë vetë firmat e mëdha, sidomos firmat më serioze, kompanitë më serioze, që futen në bashkëpunim me universitetin, bile që këtu duhet të fillojë, që i identifikojnë studentët më cilësorë, jo atëherë kur vjen momenti që të përfundojnë studimet, por qysh nga momenti kur studenti fillon dhe dëshmon përgatitjen e tij dhe kualitetin e tij. Kjo do të bënte të mundur që, edhe universiteti të kishte një rol në identifikimin, në piketimin dhe në projektimet e së ardhmes së studentëve. Kjo do ishte edhe në interes të kompanive, por edhe të politikës vendore, që e dinë fare mirë se ku do ta çojë. Nuk e kam fjalën këtu thjesht për individin ‘Kryetar Bashkie’, jo. Këtu e kam fjalën në radhë të parë për trupën politike që identifikohet me Këshillin Bashkiak. Këshilli Bashkiak, po ta trajtojmë në mënyrë substanciale, nuk qëndron atje vetëm për të ngritur dorën për një vendim të Këshillit Bashkiak, për një projekt apo për një buxhet. Këshilli Bashkiak është trupa politike që përfaqëson të gjithë qytetin. Në rast se Kryetari i Bashkisë është një individ që në fund fare do të fitojë, është përfaqësues i një partie, është pikërisht mekanizmi i Këshillit Bashkiak që bën politikën zhvillimore të qytetit, e mban Kryetarin e Bashkisë në një lloj kontrolli demokratik, e korrekton lëvizjen e tij dhe besoj që Këshillat Bashkiakë janë edhe interpretë të dëshirës së qytetarëve, ku pjesa për të cilën ne po diskutojmë, janë studentët. Në fjalën time ju thashë diçka dhe besoj që duhet të jetë një nga piketat që duhet ta reformojë elektoratin shqiptar. Duhen mbajtur shënime. Katër vite janë jashtëzakonisht pak. Katër vite kalojnë shumë shpejt. Të mos bëhemi pasionantë dhe ta vendosim votën tonë vetëm në sekondën e fundit. Kualiteti i zgjedhësit është kualiteti i shërbimit të institucionit. Në rast se ata vijnë, natyrisht që vijnë, sidomos në periudha elektorale, vijnë se u duhet vota, në rast se vijnë, vijnë me programet e tyre dhe me premtimet e tyre. Po të mbani shënim, po të jeni pjesëmarrës, të jeni në kontakt me ta, mbas katër viteve, sigurisht keni mundësi se çfarë t’u thoni. Për t’iu kthyer dhe për ta mbyllur fjalën time lidhur me të ardhmen e studentëve, e ardhmja, të jeni të sigurtë, do të jetë në radhë të parë e studentëve më cilësorë. Sot, ndoshta kemi dhe raste të përzgjedhjeve për shkaqe që nuk konsiderohen shumë objektive. Nëse shkon dikush në një pozicion, tenton tek rrethi i vet, tek miku i mikut, pastaj kur ka mundësi, tek miku i mikut të mikut. Pra, ideja është, bota ku ne dëshirojmë të shkojmë, është kompeticion. Të jeni të sigurtë që edhe politika do reformohet, edhe institucionet do reformohen. Studioni shumë sot, të jeni të sigurtë, po studiuat shumë sot, kjo nuk është një shprehje që unë e them për t’u larë me pyetjen tuaj. Studioni shumë sot, bëhuni shumë të aftë sot, se nesër dhe e nesërmja është shumë afër, do ta çani detyrimisht tregun! Kjo është përgjigja ime!

* * *

Vizita e punës në qytetin bregdetar të Vlorës të Kreut të Shtetit dhe Ambasadorëve Arvizu, Volfart dhe Sekui ka vijuar me inaugurimin e “Qendrës së re të Informimit të Bashkimit Evropian”, e cila do të synojë organizimin e seminareve e konferencave për vendasit e sidomos për të rinjtë, për të marrë sa më shumë informacione mbi Bashkimin Evropian dhe funksionimin e Delegacionit të BE-së në vendin tonë. Gjatë këtij aktiviteti, të pranishmit ndoqën një koncert me këngë popullore të zonës, ndërsa në përmbyllje të tij, Presidenti Topi së bashku me Ambasadorët shpërndanë certifikata për nxënësit fitues të shkollave “Naim Frashëri”, “Rilindja” dhe “Marigo Pozio”, pjesëmarrës në konkursin “Let’s go to Europe”.

SHPËRNDAJE