Derisa Kosova renditet ndër vendet më të varfra dhe me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë, pasuria e deklaruar e politikanëve tanë në Agjencinë Kosovare kundër Korrupsionit tregon se shumica prej tyre nuk ua dinë fundin parave. Qytetarët e Kosovës mendojnë se nëse dikush dëshiron të bëhet i pasur, atëherë lirisht mund t’ia mësyjë politikës dhe të mbushë xhepat plot. Madje, ata dyshojnë se zyrtarët të jenë treguar të sinqertë me pasurinë reale që kanë deklaruar, pasi sipas tyre, pasuria e politikanëve tanë është dukshëm më e madhe.

Në deklarimin e pasurisë që kanë bërë drejtuesit e lartë të institucioneve të Kosovës, më i pasuri, ashtu siç edhe pritej, është zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli me 170 milionë euro. Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1,357,000 euro, derisa presidentja Atifete Jahjaga, ka vetëm një veturë “Golf”, në vlerë prej 6 mijë euro. Kurse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka fare pasuri.

Por, qytetarët thonë se shumica e zyrtarëve politikë të vendit nuk e deklarojnë realisht pasurinë e tyre. Sipas tyre politikanët kanë shumë më shumë pasuri se sa që e paraqesin në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Fatmir Kuçi ka thënë se dëshira më e madhe nga njerëzit është që të futen në politikë, pasi që sipas tij rruga më e shkurtër për t’u pasuruar është ky profesion.

“Këto pasuri që janë deklaruar nuk janë aspak reale, nuk është as gjysma e tyre që kanë fituar këta njerëz ose që kanë deklaruar, sidomos këta që janë në politikë. Do të thotë kjo është një gënjeshtër që pason pas shumë gënjeshtrave tjera. Kohëve të fundit është realitet që shumë njerëz po kanë dëshirë që të futen në politikë duke i parë paraardhësit e tyre që janë pasuruar brenda dy-tre muajve”, ka thënë Kuçi.

SHPËRNDAJE