Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të mblidhet të hënën për të vendosur ndarjen e mandateve për Këshillin Bashkiak të Tiranës. Me miratimin e tabelës përmbledhëse për këtë këshilli nga ky institucion tashmë mbetet vetëm votimi për ndarjen e mandateve që do ti hapte rrugë konstituimit të këtij këshilli.

Ndarja e mandateve kërkon shumicë të cilësuar në KQZ. Duke pasur parasysh se 2 anëtarët e zgjedhur nga opozita në KQZ nuk dhanë votën e tyre as për tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve për Këshillin Bashkiak të Tiranës, mund të mendohet se edhe për ndarjen e mandateve shumica e cilësuar prej 5 votash në KQZ nuk do të arrihet.

Kështu, nëse KQZ nuk arrin kuorumin e nevojshëm për të bërë ndarjen e mandateve të Këshillit Bashkiak, çështja mund të përfundojë në Kolegjin zgjedhor, i cili duhet të zgjidhë edhe këtë ngërç.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, një forcë politike duhet të bëjë ankimim për këtë çështje në kolegj, në mënyrë që ky i fundit të vihet në lëvizje për të realizuar ndarjen e mandateve.

Në bazë të votave të marra në zgjedhjet e 8 majit, Aleanca për Qytetarin do të ketë 28 vende në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke siguruar shumicën, ndërsa Aleanca për të Ardhmen, 27 vende.

SHPËRNDAJE