Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka ngushëlluar familjen Bogujevci për ndarjen nga jeta të këngëtarit, Ismet Bogujevci.

Ademi përmes një postimi në Facebook, tha se Bogujevci ka qenë gjithmonë pranë futbollit, shkruan GazetaGoli.

Postimi i plotë i Presidentit Ademi:

“Me pikëllim të madh në këtë ditë të bekuar të Fitër Bajramit e mora lajmin për ndarjen nga jeta të doajenit të këngës popullore, Ismet Bogujevci. Një personalitet me vlera të mëdha, i dashur e i respektuar nga të gjithë, por veçmas nga komuniteti artistik dhe ai sportiv.

Ismeti ishte artist i kompletuar, këngëtar me zë unik por edhe njeri me virtyte të larta. Ai ishte gjithmonë afër sportit, e sidomos futbollit. Miqësia e tij me futbollistët e gjeneratës së artë të Prishtinës ishte e vazhdueshme e gjithëpërfshirëse.

Me zërin e tij kumbues dhe këngët e tij përplot emocion i motivonte futbollistët e asaj kohe të KF Prishtina, teksa dashuria për futbollin nuk iu venit asnjëherë.

Edhe në kohën e fundit pas pranimit në UEFA e FIFA, Ismet Bogujevci ishte gjithmonë afër futbollit dhe krenohej me çdo sukses të Dardanëve tanë.

Shkuarja e tij në përjetësi është një humbje e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për tërë komunitetin artistik dhe për sportistët, por veprat e tij ndër vite e bëjnë atë të pavdekshëm.

Ismeti një jetë të tërë ia kushtoi këngës së mirëfilltë popullore dhe u këndoi shumë çifteve në Kosovë në ditën e tyre më të veçantë, teksa e këndonte në mënyrë unikale këngën “Martesa jonë është kurorëzim i dashurisë”.

Sot, ai u largua nga kjo botë, por emri i tij do të mbetet përgjithmonë pjesë e kulturës dhe artit të Kosovës.

Ngushëllimet më të sinqerta Familjes Bogujevci, të gjithë atyre që e njohën, e posaçërisht komunitetit artistik dhe të gjithë sportistëve që e kishin mik të ngushtë.

Lamtumirë miku im!

Shpirti yt u prehtë në paqe!

Me pikëllim e respekt,

A.A.”, shkroi ai.

SHPËRNDAJE