Arditë BEHLULI

  / Nga e dërguara jonë speciale në Kalabri /

  Rreth 500 mijë shqiptarë jetojnë në Itali ku para 500 vjetësh shqiptarët u vendosën në rajonet italiane, veçanërisht në Kalabri ku janë edhe sot me të drejta, me tradita, zakone, kostume, këngët e me vallet e tyre dhe me ushqimin tradicional. Kalabria është një nga 20 rajonet e Italisë.

 

Dy popuj, një det, një miqësi ky është sllogani i Italisë. Udhëtimi është gjëja më e mirë për të njohur një vend me kulturë në vete. Kemi bërë një rrugëtim të gjatë për në vendet arbëreshe në mënyrë që tju sjellim nga afër jetën, kulturën dhe traditën e vëllezërve tanë arbëresh matanë detit në Kalabri të Italisë.

 Qendra administrative e Kalabrisë është Katanxaro. Kalabria, ish Brutiumi, është regjion në Italinë jugore, në jug të qytetit të Napolit, në afërsi me ishullin e Sicilisë. Në veri kufizohet me regjionin e Basilicata , në perëndim del në detin Tiren, ndërsa në lindje me detin Jon. Ky regjion përfshinë 15.080 km katrorë, dhe ka rreth 2 milion banorë. Qendra më e rëndësishme është Rexhio di Kalabria me 180.000 banorë, që është port i rëndësishëm i Italisë. Rajoni i Kalabrisë ka pesë provinca: Katanxaro, Kozenca, Krotone, Rexhio Kalabria dhe Vibo Valentia.

Një nga rrjedhojat e pushtimit turk të trojeve shqiptare, ishte edhe emigrimi I shqiptarëve drejt Italisë. Familje të shumta fisnikësh shqiptarë, që nuk dëshironin të bashkëpunonin me turqit dhe të pranonin Islamin si Fe, filluan të emigronin drejt Gadishullit Apenin. Bashkë me fisnikët u shpërngul edhe një pjesë e mirë e fshatarësisë, të cilët i prisnin kushte më të mira jetese. Arbëreshët edhe duke mos qenë në trojet e tyre etnike e disi të shkëputur nga toka Amë, gjithmonë jetuan në dhe të huaj me krenarinë se janë gjak Arbri. A e kanë harruar sot arbëreshët gjuhën, kulturën dhe traditën, gjatë qëndrimit tonë disa ditorë në Kalabri, ne vizituam disa vendbanime ku takuam shumë vëllezër e motra arbëreshe nga të cilët morëm opinione për autoktoninë e tyre dhe ruajtjen e traditës shumë shekullore.

Ju prezantojmë qytetin Çivita apo në arbërisht qyteti Çifti arbëresh. Ky qytet do të jetë qyteti I kujtimeve tona të bukura. Civita (ose Cifti) ka Muzeun Etnik Arbëresh dhe Urën e djallit që është pjesë e Parkut Kombëtar Pollino. Qyteti në vetëvete është prerë në mal me pamje të bukur. Çifti ishte qyteti më i bukur arbëresh, i shtruar si margaritarë në mes të shkëmbinjve që ngjajnë me flegrat e një guaske, i lëmuar një njërën anë nga një përrua  zhurmues, nga gryka  e thellë që e thyen edhe malin. Shtrohet i qetë në fushë, e rrjedh i heshtur deri në det. Arbëreshët janë pjesë e komunitetit shqiptar të pakicave që jetojnë në Italinë jugore, sidomos rajonet e Puglia,Basilicata, Molise, Kalabri dhe Sicili.  

Arbëreshë poa shtu kanë edhe kulturën e tyre të veçantë që kanë qenë në gjendje të ruajnë identitetin dhe origjinalitetin shqiptar gjatë shekujve. Gjatë shekujve arbëreshët kanë arritur të ruajnë dhe zhvillojnë identitetin e tyre, në saje të kokëfortësisë dhe vlerave kulturore. Në sheshin e Çiftit arbëresh së pari pamë mbishrimin Muzeu etnografik arbëresh Çivita. Takuam drejtorin e këtijë muzeu, Dimitri Emanule I cili me zemër të madhe na priti dhe na informoi për tërë historikun e këtijë qyteti, për aktivitetet dhe për mënyrën e jetesë së arbëreshëve në Çivita. Çivita në proporcionin e popullsisë që jetonin në atë vend ishte me më shumë pleq se sa të rinjë, ndryshe siç I qunin arbëreshët të rinjët apo trimat. Sipas drejtorit Emanule brezat e rinjë do ta kenë më të vështirë për ta ruajtuar gjuhën dhe traditën arbëreshe. Të rinjtë arbëresh ka disa vite që braktisin trojet e tyre shumë vjeçare duke frekuentuar qendrat e Italisë për perspektivë më të mirë. Muzeu etnografik në Çivita është themeluar para 22 vitesh I cili ka një rol të veçantë për arbëreshët çivitas. Arbëreshët e këtijë qyteti kanë edhe gazetën me emrin Katundi ynë e cila është themeluar 40 vjet më parë

Drejtori i muzeut etnografik, Dimitri Emanulele nuk ka fshehur edhe dëshirën e tijë të njejtë sikur ëndërrën e shumë shqiptarëve të tjetër anekënd ku gjenden ata, për tu bashkuar një ditë, në Shqipërinë e Madhe. Qyteti Çivita identifikohej edhe me Urën e Djallit, urë kjo që kishte një pozitë gjeografike mjaftë të veçantë në dalim me urat e zakonta. Në momentin e parë të bënte të trembeshe nga lartësia mbidetare, dhe pjerrtësia e kodrave përrreth. Freskia sensuale e gjallëruese në atë urë, në fillim të mbushnin gojën plot ajër, e pastaj, pak nga pak të përhapej në trup për të të zaptuar më në fund deri edhe shpirtin.

Historia të shpërblen për çdo lloj kohe e të ripajton me vetveten dhe botën, kështu mendon kur je mbi Urën e djallit në Çivita. Qyteti Çifti është I rrethuar me ullinjë, me trupa shumë vjeçarë ullinjësh të cilat në plantazhet e tyre dukeshin sikur një galeri e veprave artistike të skulptorëve të mëdhenjë botërorë.  Një qytet tjetër pranë Çiftit arbëresh është edhe Frascineto apo në gjuhën arbëreshe I njohur si qyteti Frasnjit. Ky qytet ka një kishë dhe një Bibliotekë Arbereshe të themeluar nga një prift katolik bizantin- Antonio Belushi (1934). Frascineto gjithashtu është një qytet shumë I largët e që edhe më tej këto vende janë ende të përgjumur. Ky vend daton në mes të viteve 1470 dhe 1478 nga refugjatë shqiptarë, të cilët edhe u vendosën në fshatin e afërt të Eianinanës të njëjtën kohë.

Ka shumë për të shqyrtuar në këtë qytet por ju si shëtitës do të gjeni nëpër rrugë një botë qytetarie dyfishtë të kulturuar. Sa ishim në Frasnjit ne ishim mysafir të kryetarit të komunës së këtijë qyteti. Ai me zemër -dashuri është shprehur I gatshëm që bëjë edhe vëllezërimin e komunave Preshevë e Frasnjit në mënyrë që të ndihmohen vendasit tanë në aspektin arsimorë duke u krijuar mundësi të mira studimi në Universitetin e Kalabrisë.  Edhe nënkryetari I komunës së Frasnjitit, Mikele Greko për Radiotelevizionin Presheva ka folur për jetën e arbëreshëve në Frasnjit, për karakteristikat e këtijë vendi dhe për vajin e verën me të cilat karakterizohet Frascineto për kultivim kualitativ. Ai nuk ka fshehur edhe emocionet, mallin për kombin e tijë që jetojnë në regjione të ndara anëkënd botës. Përderisa ne bisedonim me të, rridhnin lotë gëzimi për komunikimet ndërnjerëzore- shqip e arbërisht.

Shumica e Arbëreshëve sot kanë Fe të veçantë – ata janë të krishterë të ritit lindor, por përmbahen në autoritetin e Papës katolik. Pas vdekjes së Skënderbeut, osmanët morën Shqipërinë, duke i detyruar banorët e krishterë të konvertohen në Islam. Shumë prej tyre kanë refuzuar dhe kanë ikur në tokat italiane. Legjendat tregojnë se edhe djali i Skënderbeut I është drejtuar emig
racionit. Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë në Itali, rridhnin nga hapësirat qendrore dhe jugore shqiptare ose nga Greqia. Për këtë fakt, flet jo vetëm forma toske e dialektit italo- shqiptarë por edhe liturgjia ortodokse që kanë patur apo kanë edhe sot pjesa dërmuese e komunave shqiptare të Italisë. Kleri latin u përpoq me disa suksese për të konvertuar italo- shqiptarët në ritin latin. Shqiptarët e krishterë që mërguan në Itali në shekullin e XV dhe ato që pasuan në dy shekujt e tjerë, ndiqnin ritet fetare bizantine në gjuhën greke.

 

Një pjesë e mirë e shqiptarëve të krishterë bizantinë kishin lidhje edhe me kishën katolike të Romës ndërsa të tjerët, me ardhjen në Itali, iu nënshkruan ritit latin duke vazhduar me kokëfortësi të ruanin identitetin fetar bizantin. Tani edhe në këtë kohë kisha ka edhe më tej rol të veçantë tek arbëreshët. Mesha në kishën e Frasnjitit këndohet në gjuhën shqipe. Një gjuhë para-otomane ruhet ende nga këto komunitete, entuziastë gjuhësorë vijnë këtu për të studiuar. Gjuha Arbëreshe rrjedh nga dialekti jugor shqiptar Tosk, por ende ruan të gjitha arkaizmat të shekullit të 15. Interesante, gjuha arbëreshe ishte vetëm një gjuhë e folur deri në 1980-së. Pra, fjalët e shkruara nga Pal engjelli në vitin 1462 janë veçanërisht të rëndësishme.  

Gjuha arbëreshe është me interes të veçantë për studentët e gjuhës moderne shqipe. Ajo përfaqëson Dashuri, gramatikën, fjalorin. Megjithatë gjuha arbëreshë ka qenë e ndikuar më shumë nga dialekti Italian. Përkundër asaj se dallohej gjuha arbëreshe nga shqipja jonë ne nuk nuk e patëm të vështirë edhe për të komunikuar me qytetarët frasnjitas që ishin mjaftë të dashur. Ata na ftonin në shtëpitë e tyre, të çmalleshim me ta, duke folur për popullin shqiptarë. Edhe më tej ka ende një ndjenjë tek familjarët arbëresh me të cilën I referohen, citojmë Ne jemi me njëri- tjetrin Një Popull dhe një Gjak. Gjatë udhëtimit tonë në territorin e Kalabrisë na bëri përshtypje se të gjitha lokalitetet arbëreshe janë të shkruara në dy gjuhë, në gjuhën italiane dhe në gjuhën arbëreshe. Rrugëtimi ishte shumë më I lehtë sepse ndiheshe më lirshëm dhe më sigurt tek vëllezërit arbëresh.

Çdo herë kur përmendim arbëreshët na kujtohet edhe historia e një këngë shqiptare 600 vjeçare O e bukura More. Kjo këngë mërgimi, ka qe njohur dhe e dashur jo vetëm për Arbëreshët, por edhe për Arvanitët e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave, e cila përmban në vetëvete pothuajse gjithë sekretin historik të krijimit të fshatrave të arbëreshëve të Italisë. Por shumë pak e dinë se kujt I kushtohet kjo këngë. MORE është Peloponezi I sotëm I Greqisë, një trevë e madhe së cilës grekët I kanë ndryshuar emrin nga MORE në Peloponez dhe kënga O E BUKURA MORE memorizon kujtesën dhe mallin e një atdheu të humbur. Është një toponim I këtijë vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.

Kjo është ndoshta kënga më e vjetër shqiptare që mbetet e gjallë akoma edhe në ditët tona, e që vjen të na rrëfejë nostalgjinë e madhe por edhe sekretin historik të krijimit të komunitetit arbëresh të Italisë.

 

Dokument I kësaj kënge për herë të pare gjendet në dorëshkrimin e Kieutit botim I vitit 1708, më pas këtë material do ta ribotonte në librin e tijë filologu arbëresh Dhimitër Kamarda (1821- 1882), në vitin 1866. Në këtë lëndë është publikuar teksti I kësaj kënge I shkruajtur në shqip, por me alfabet grek. Mirëpo edhe më tej nuk dihet se cili arbëresh I këndoi për herë të parë këto vargje kaq të thjeshta, por që mbeten gjallë dhe këndohen po me të njejtën dhimbje edhe sot.      

Arbëreshët janë të prirur të recitojnë dhe të këndojnë bukur, trashëgimtarë këta të artistëve të njohur arbëresh të penës së shkruar të të gjitha kohrave të letërsisë sonë. Një torte e ëmbël në forma të ndryshme, duhet të plotësohet me marmelatë prej fiku, kjo është edhe një nga ëmbëlsirat më të vjetra arbëreshe.

Nga ajo që pamë në qytetet Çivita dhe Frasnjit mund të na sigurojnë se një popull mund ta mbajë kulturën dhe gjuhën e vetë edhe duke mos jetuar në trojet e veta etnike. Komuniteti arbëresh u bë historikisht pararoja e një fluksi që nga trojet shqiptare të Ballkanit, ku mori hov nga fundi I shekullit të XX-të dhe u drejtua në Perëndim, duke karakterizuar historinë dhe duke kushtëzuar identitetin e vetë të këtijë komuniteti.

Nëse e shikojmë pak me objektitvitet, shikojmë se si identiteti shqiptarë karakterizohet në një pjesë të mirë si identitet I farkëtuar nga diaspora, dhe ky referim I shërbeu edhe komunitetit arbëresh, kur përballoi krizat e saja më të thella. Në gjendjen e re arbëreshët po luftojnë, deri sot me sukses, me të gjitha vështirësitë objektive për të mbjatur të gjallë gjuhën, kulturën, traditat e tyre edhe kur jetojnë jashtë komuniteteve të tyre historike dhe në diasporën e re. Komuniteti shqiptar në Kalabri është mjaft i afirmuar në këto shekuj bashkëjetese dhe ka përkrahur e ndihmuar shpesh edhe komunitetin Italian. Sot Arbereshët përbëjnë pakicën më të madhe etnike në Itali, qytetet e tyre të vendosura kryesisht në krahinat jugore, të tilla si Kalabria dhe Basilikata. Çdo pjesëtar i mërgatës sonë në diasporë, është një përfaqësues, që prezenton jo vetëm

veten si individ, familjen por edhe trevën, ai është një përfaqësues tipik dhe i drejtë i popullit dhe kombit shqiptar, është një ”plis-dheu” i humanizuar i vendlindjes dhe atdheut të vet, i cili kudo që të shkojë në rruzullit tokësor, ai përveç mallit e nostalgjisë, rrespektit dhe dashurisë ndaj atdheut, bart me vete edhe mikpritjen e bujarinë, sinqeritetin e fisnikërinë, besën e zemërgjerësinë, virtyte këto që e shquajnë dhe e stolisin si pjesëtar të denjë të një populli me kulturë të lashtë autoktone, banor i Ballkanit dhe Evropës, nga ana tjetër.  

Ky është identiteti i tij kombëtar, kudo që gjendet ai. Me një fjalë, pjesëtari i mërgatës shqiptare në diasporë është si një ambasador tipik origjinal që në mënyrën të denjë manifeston cilësitë dhe tiparet e kombit.

SHPËRNDAJE