Prishtinë, 1 prill 2020 – Partia Demokratike e Kosovës denoncon mashtrimet dhe gënjeshtrat e kryeministrit të shkarkuar Albin Kurti ndaj qytetarëve të Kosovës lidhur me vendosjen e reciprocitetit me Serbinë. Si shumë vendime tjera, ai, rreth mesnatës, kishte publikuar një vendim gjysmak, qesharak e teknik për kinse reciprocitet të plotë ekonomik, tregtar dhe politik me Serbinë.

Janë për keqardhje veprimet populiste e vendimet qesharake të një kryeministri të shkarkuar, i cili në ditët e fundit të tij në krye të qeverisë, ka vënë në lajthitje seriozitetin e shtetit të Kosovës dhe po luan me ndjenjat e sinqerta të qytetarëve të Kosovës.

Bilanci negativ i mashtrimeve të këtij Kryeministri të shkarkuar, vetëm disa orë pasi Gjykata Kushtetuese konstatoi se ka shkelur Kushtetutën – janë pamja më e qartë e pazotësisë së tij dhe dëmit që po i bën Kosovës.

PDK-ja shtron disa pyetje publike e tema për Kryeministrin e shkarkuar, i cili para marrjes së vendimit qesharak të reciprocitetit dhe heqjes së tarifës do të duhej ti shqyrtonte.

1. Cila do të jetë masa e reciprocitetit të Kryeministrit të shkarkuar ndaj fushatës negative të diplomacisë së Serbisë ndaj njohjeve të Kosovës?
2. Çfarë masa reciprociteti ka paraparë Kryeministri shkarkuar ndaj preambulës së Kushtetutës së Serbisë ku thuhet se “Kosova është pjesë e Serbisë”
3. A u vendos masë reciprociteti ndaj njohjes së diplomave sikurse Serbia bën ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës?
4. A u anulua vendimi i dëmshëm serb për verifikimin dhe anulimin e adresave të banorëve shqiptarë në Serbi?
5. A u ndal presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë, veçmas ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së? Çfarë masa reciprociteti ka paraparë këtu?
6. Apo e zbaton marrëveshjen për IBM, dhe funksionalizimin e katër pikëkalimeve të përhershme kufitare të ndërtuara me fondet e BE-së, të cilin Serbia e mban të bllokuar?
7. A filloi zbatimi i reciprocitetit për targat e automjeteve?
8. A filloi zbatimi i reciprocitetit për dokumentet e udhëtimit dhe heqja nga përdorimi i targave ilegale në Kosovë?
9. Cila do të jetë masa e reciprocitetit në raport me arrestimet e shtetasve të Kosovës dhe mbajtjen e tyre në burgjet e Serbisë?
10. Çfarë masa reciprociteti do të vendos ndaj Serbisë për çështjen e të pagjeturve dhe kthimin e trupave në Kosovë?

PDK-ja konsideron se kryeministri shkarkuar Kurti nuk e ka seriozisht reciprocitetin e as tarifat, por vendimi i djeshëm ishte një lojë dhe mashtrim i radhës ndaj qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, e veçmas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të qarta në kërkesat e tyre.

Ne ftojmë qeverinë të luaj rolin e vet kushtetues të kujdestarit, veçmas në ballafaqimin me pandeminë e virusit COVID-19 dhe ndihmën emergjente ndaj ekonomisë së vendit.

SHPËRNDAJE