Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj në një konferencë për media ka paraqitur planet e kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme, derisa u shpreh i bindur se janë të pa konkurrencë.
“Të gjithë e dini që jam pa konkurrencë, dhe vetëm telefonatat që i kam pranuar nga miqtë tonë, tregojnë që PDK e ka besimin nga aleatët për të udhëhequr me Kosovën. Ju do ta shihni çfarë dinamike ka në javën e parë kur të udhëhiqi me Qeverinë e Kosovës”, tha ai.
Hoxhaj tha se temë kryesore e kësaj partie do të jetë marrëveshje paqësore me Serbinë dhe në të do të përfshihet edhe Lugina e Preshevës.
“Ne do ta kemi temë kryesore të çdo marrëveshjeje paqësore që do të arrimë me Serbinë, nuk do të ketë marrëveshje pa u adresuar çështja e Luginës së Preshevës, dhe kjo do të jetë pikë kyçe. Në listën e PDK-së do ti kemi dy kandidat të cilët do të jenë zëri i preshevarëve në Kuvendin e Kosovës, mund te jenë intelektual, ndërmarrës, studentë aktivistë”, ka thënë ai.
Hoxhaj tha se po ashtu do ta miratojnë një ligj të veçantë për mbështetjen e qytetarëve të kësaj ane.
“Do të miratojmë një ligj të veçantë sesi në rrafshin politik, kulturor të mbështeten qytetarët e Luginës se Preshevës, do ta kemi një agjencion shtetëror pranë zyrës së kryeministrit i cili do të ketë fuqi më të madhe sesa një ministri e cila do të ishte vetëm formalitet. Ne do ta amandamentojmë ligjin për shtetësinë dhe të gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe kanë dëshirë të marrin shtetësinë e Kosovës dhe kjo me ligj do të rregullohet një herë e përgjithmonë”, ka shtuar më tej ai.
Tutje kandidati i PDK për kryeministër shtoi se do të hapin pika të reja kufitare me Serbinë.
“Do t`i hapim pika të reja kufitare të cilat mundësojnë qarkullimin, këto pika do të ndërtohen në Muhoc, Breznicë dhe Ranakoc”, tha ai.
Për mbështetjen brenda PDK-së për kandidaturën e tij, Hoxhaj tha se ka mbështetje të plotë.
“Unë e kam një mbështetje të plotë të kryesisë se PDK-së të të gjitha degëve të të gjitha strukturave në nivel qendror dhe lokal”, tha më tej ai.
Vendi së shpejti pritet të shkojë në zgjedhje pasi që Gjykata Kushtetuese konstatoi se vota e deputetit Etem Arifi pro formimit të Qeverisë së drejtuar nga LDK ka qenë e pavlefshme.