Parlamenti i Maqedonisë votoi mbrëmë Ligjin për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për regjistrimin e popullsisë. Opozita ka braktisur seancën parlamentare pas debatit maratonik që vijoi për tre ditë më radhë. Me miratimin e këtij ligji që u bë me 62 votat e deputetëve të koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI është ndërprerë regjistrimi i popullsisë, amvisërive dhe banesave në Maqedoni, i filluar më 1 tetor dhe i ndërprerë më 10 tetor, për shkak të dështimit të këtij operacioni.

http://www.botasot.info/img/maqedoni-parlamenti.jpgDebati treditor vijoi me akuza dhe kritika midis pozitës dhe opozitës, ndërsa PDSH nga dita e parë e debatit kishte braktisur seancën parlamentare, me arsyetimin se nuk është konsultuar paraprakisht lidhur me vendosjen e këtij ligji në rend dite dhe për konsulta tjera për një dialog më të gjerë politik.
Gjatë debatit parlamentar, VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski konteston përqindjen e shqiptarëve në Maqedoni prej 25, 7 për qind, se gjoja ajo është një shifër si pjesë e regjistrimit të falsifikuar të vitit 2002.

Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE akuzoi se LSDM gjatë periudhës së regjistrimit të 2002 ka regjistruar më shumë se 120 mijë shqiptarë më tepër nga numri i tyre real në Maqedoni.
Por, LSDM opozitare ka theksuar se partia e maxhorancës përmes akuzave të pabazuara po tenton ta fsheh keqpërdorimin e 14 milionë eurove të harxhuara në 10 ditët e para të regjistrimit.

“Nëse besoni se 120 mijë shqiptarë janë falsifikuar në vitin 2002, pse nuk keni ngritur asnjë padi penale deri më tani për ata që e ka bërë falsifikimin?” është shprehur LSDM.
Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti ka theksuar se regjistrimi u ndërpre për shkak të lëshimeve dhe dobësive në zbatimin e detyrimeve që dalin nga Ligji për regjistrim si dhe si rezultat i kohës së pamjaftueshme për të përgatitur dhe trajnuar të gjithë pjesëmarrësit në realizimin e regjistrimit të popullsisë.

Me shfuqizimin e Ligjit për regjistrim, materialet e grumbulluara gjatë regjistrimit do të asgjësohen nga Enti Shtetëror i Statistikave, do të mbulohen harxhimet e bëra nga ky operacion dhe çështje tjera.

Qeveria dhe Parlamenti akoma nuk kanë diskutuar lidhur mbi caktimin e një date për mbajtjen e regjistrimit të ri të popullsisë.

SHPËRNDAJE