Në një kohë kur në Shqipëri po zhvillohet procesi i Censusit, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski ka zhvilluar një takim me banorët e komunës Trebishtë në zonën e Gollobordës, një zonë kjo rreth 4 km larg kufirit maqedonas.

Në kuadrin e premtimeve të kryeministrit maqedonas gjatë fushatës së tij elektorale ai ka premtuar një pikë kalimi në Trebishtë, pasi sipas tij ajo është një zonë minoritare.

Kryministrit Gruevski dhe delegacionit në përbërje të të cilit ishin ministri i Jashtëm Bujar Osmani, ministrja e Brendshme Jankullovska, ministrja e Punes Seqerinska dhe disa funksionarë të lartë të shtetit maqedonas, u ishte rezervuar një pritje nga kryetari i komunës së Trebishtit.

Kreu maqedonas u interesua për ecurinë e gjuhës maqedonase në këtë zonë, kryesisht ne shkollat fillore.

Më pas, kryeministri Gruevski zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me një përfaqësi të komunitetit të zonës së Gollobordës ku i pranishëm nga pala shqiptare ishte vetëm Prefekti i Qarkut Dibër, Genc Sharku.

Në fjalën e tij drejtuar banorëve të zonës, kryeministri i Maqedonisë deklaroi se për herë të parë gjeti një popull i cili flet të njëjtën gjuhë, ka të njëjtën kulturë dhe të njëjtat tradita.

“I dashur popull maqedonas, tashmë është bërë e mundur hapja e rrugës si dhe shkurtimi i distancës nëpërmjet kësaj pike kufitare duke përmbushur kështu premtimin tim ndaj këtij komuniteti.

Jam këtu në jug të Maqedonisë për herë të parë, ku gjeta një popull i cili flet të njëjtën gjuhe, ka të njëjtën kulturë dhe të njëjtat tradita.

Republika e Maqedonisë do të investojë shumë në të ardhmen për komunitetin e kësaj zone, sidomos në drejtim të arsimit dhe thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve kulturore”, u shpreh ai.

Më tej, kryeministrit Gruevski në fjalën e tij deklaroi se së shpejti ne kryeqytetin maqedonas ai do të ftoje për një vizitë zyrtare kryeministrin shqiptar Sali Berisha, ku do të diskutohet lidhur me vendosjen e një pike doganore në Trebishtë, si dhe problemet që e shqetësojnë komunitetin e kësaj zone, dhe vijueshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve fqinje.

Vizita e Gruevskit në Shqipëri bëhet në një kohë kur procesi i Censusit në Maqedoni ka dështuar, ndërsa shumica e tyre u deklaruan bullgarë.

SHPËRNDAJE