Ideja për shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një çështje që diskutohet tash e sa vite.

Fillimisht, këtë ide e përmendi ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e cila nuk u përkrah aspak dhe u kundërshtua fuqishëm nga politikanët shqiptarë.

Sërish, këtë temë e përmendi kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Al Jazeera.

Kryeministri Kurti deklaroi hapur se është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, duke thënë se ajo nuk është një zgjidhje dhe se do të dërgonte rajonin në një konflikt të ri.

“Nuk do të ishte një zgjidhje. Do t’i bënte gjërat edhe më keq. Unë dua zgjidhje demokratike dhe paqësore. Dhe shkëmbimi i territoreve është një shteg që na kthen prapa tek konfliktet e 90-ave, dhe s’do të mbetet vetëm në mes të raporteve të Kosovës dhe Serbisë, por do të shpërndahej në gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Mirëpo, ai tutje ka shtuar se projekti i shkëmbimit të territoreve është i vdekur por ideja ende jo. Kurti ka thënë se një ide të tillë e mban të gjallë Beogradi.

“Projekti i shkëmbimit ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur dhe është shumë e gjallë në Beograd, sepse të gjithë fqinjët e Beogradit që s’janë të integruar në BE, fatkeqësisht nga Beogradi shihen si shtete të përkohshme. Dhe duke imituar Rusinë, Serbia dëshiron të forcojë faktorët e saj tek fqinjët, për t’i bërë këto shtete jofunksionale dhe t’i kthej ato në shtete të dështuara. Por s’kanë shanse me Kosovën. Kosova e pavarur është këtu për të qëndruar”, ka thënë kreu i Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, edhe analistët politikë në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” e konsideruan ide të rrezikshme shkëmbimin e territoreve, duke paralajmëruar edhe de stabilitet në rajon.

Qarri: Shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje për problemet ekzistuese mes Kosovë dhe Serbisë

Analisti politik, Gani Qarri, gjatë prononcimit të tij për gazetën “Bota sot”, si mundësi të vetme për shuarjen e tensioneve në Ballkanin Perëndimor e sheh bashkimin kombëtar të shqiptarëve, pas qindra vitesh ndarje dhe copëtim të popullit.

Pas bashkimit, analisti tha se shteti etnik shqiptar do të duhej të bënte një marrëveshje të modelit greko-turk, me Serbinë për këmbimin e popullsive, ndarjen e fesë nga shteti si dhe ndalimin e imamëve politik, për shkombëtarizimin e shqiptarëve, nxitjen e përçarjeve fetare, etj.

Image

“Në fakt e vetmja zgjidhje reale për qetësimin e gjakrave dhe paqen afatgjate në Ballkanin Perëndimor e rajon, mund të garantohet vetëm me krijimin e shtetit etnik dhe bashkimin kombëtar të shqiptarëve pas qindra vitesh ndarje e copëtimi të popullit dhe tokave të tyre. Ndërsa pas realizimit të kësaj të drejte legjitime, shteti etnik shqiptar, do duhej të arrinte një marrëveshje të modelit greko-turk, me Serbinë për këmbimin e popullsive, shtetëzimin e kishave tona mijëravjeçare në Kosovë, të cilat datojnë para ardhjes së serbëve në Ballkan, ndarjen e fesë nga shteti si dhe ndalimin e imamëve politik, për shkombëtarizimin e shqiptarëve, nxitjen e përçarjeve fetare dhe përzierjen e tyre në çështjet shtetërore e kombëtare, me qëllim të paraqitjes së Kosovës para opinionit botëror, BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare me petkun turko-arab, që shkon në dëm të shqiptarëve dhe dobi të Serbisë”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Qarri tha se shteti i ardhshëm shqiptar duhet të udhëhiqet me ide evropiane dhe jo të prezantohet në petkun aziatik. Krahas kësaj ai përmendi të gjitha ndihmat që Kosova i ka marrë nga SHBA-të dhe BE gjatë viteve të fundit, ku ndër të tjera ata kontribuuan në ndërtimin e ushtrisë së Kosovës.

“Shteti i ardhshëm shqiptar duhet të udhëhiqet nga njerëz me ide evropiane dhe nuk guxon të prezantohet me petkun aziatik, për ti krijuar Serbisë favore para BE-së dhe miqve tanë ndërkombëtar të cilët çliruan shqiptarët nga okupimi serb, ngritën e krijuan shtetin e Kosovës, siguruan qindra njohje ndërkombëtare dhe garantojnë pavarësinë e sovranitetin e vendit tonë me prezencën e tyre ushtarake. SHBA dhe shtetet dashamirëse në BE, ndërtuan edhe ushtrinë e Kosovës të cilën përditë e më tepër po e forcojnë atë me kuadro të reja e të mirë përgatitura dhe pajisin me armatimin më modern për mbrojtjen e vendit si dhe mbajnë edhe sot në këmbë shtetin e Kosovës me mbështetje të gjithanshme ekonomike dhe ndihma të drejtpërdrejta financiare, pa të cilat Kosova për kohë të shkurtër do të bllokohej dhe kolapsonte tërësisht”, theksoi analisti.

Në vazhdim, ai e përkrahi qëndrimin e kryeministrit Kurti në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve, pasi jo vetëm që nuk është zgjidhje për problemet ekzistuese, por do të bëhej edhe shkak për luftëra të reja. Qarri i përmendi edhe synimet kryesore që shteti serb dëshiron t’i arrijë përmes shkëmbimit të territoreve.

“Ndaj mendoj se kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në intervistën e dhënë për Al Jazeera, me të drejtë ka potencuar se është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, sepse kjo mënyrë, jo vetëm që nuk është zgjidhje për problemet ekzistuese, por përkundrazi, ajo do të bëhej edhe shkak për luftëra të reja dhe dërgonte gjithë rajonin në konflikte të përgjakshme me përmasa të paparashikueshme për territore. Prandaj një ide të rrezikshme si kjo, siç thotë edhe vet kryeministri Kurti, e mbanë gjallë vetëm Beogradi, i cili gjithmonë mendon jo tu jap të tjerëve ato që u takojnë, por të grabisë për vete, përveç tokave dhe pasurive tokësore e ujore, veçanërisht ato monumentale e kulturore siç po vepron edhe aktualisht në Kosovë dhe Mal të Zi, me qëllim të parapërgatitjes së terrenit, për gllabërime të reja territorial edhe përmes okupimit klasik, me forca policore e ushtarake, të të dy këtyre shteteve, si dhe aneksimin e pjesës më të madhe të Bosnjë e Hercegovinës, ngrehinës së ashtuquajtur “Republika Srpska, e ndërtuar mbi gjenocidin e shkaktuar ndaj boshnjakëve të pambrojtur, gjatë luftërave të viteve të 90-ta”, potencoi Qarri.

Tutje, analisti parashikoi përkeqësim të raporteve Kosovë-Serbi, nëse ndodhë një gjë e tillë, pasi rrezikon drejtpërdrejtë shtetësinë e vendit tonë dhe stabilitetin politik në të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Kështu që një ide e tillë, jo vetëm që përkeqëson edhe më tepër raportet Kosovë-serbi, por realisht ajo edhe rrezikon drejtpërsëdrejti shtetin e pavarur të Kosovës, si dhe stabilitetin politik në gjithë rajonin, për vet faktin se Kosova është tkurrur nga shtetet sllave përreth si Serbia, Mali Zi dhe FYROM-i, deri në atë masë, sa që nuk ka më çfarë tij jap Serbisë dhe askujt tjetër, kur dihet fakti se edhe një territor përafërsisht sa Kosova e sotme apo edhe më shumë të banuar me shqiptar, Serbia e ka okupuar nga vitit 1874 e këndej, duke dëbuar me dhunë qindra mijëra shqiptar autokton, e cila në bazë të marrëveshjeve të atëhershme, e kishte për obligim, që shqiptarët e dëbuar me dhunë ti kthente në trojet e veta, por që sot e atëherë, kjo nuk ka ndodhur kurrë. Madje sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, Serbia ka dëbuar mbi14 mijë shqiptar edhe pas luftës së fundit, nga Veriu i Kosovës, të cilin vazhdon ta kolonizojë pa asnjë pengesë, në mënyrë të egër dhe ilegal me serb të sjellë nga Bosnja e Kroacia, të cilët në vendet e tyre ndiqen nga ligji për vrasje dhe krime të ndryshme në vendet e tyre ndaj popujve jo-serb”, nënvizoi ai.

Në fund, Qarri vlerësoi se është momenti i fundit, që të reagojë bashkësia ndërkombëtare dhe ta parandalojë copëtimi e Kosovës dhe shkurtimit të tokave shqiptare. Pasi, në të kundërtën shqiptarët do të duheshim të ngriteshin sërish në luftë për bashkimin kombëtar, gjë e cila sipas analistit është e pamundur të bëhet nëse nuk dëbojnë nga politika njerëz si Edi Rama.

“Ndaj vërtetë është koha e fundit, që vet bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë në parandalimin e copëtimit të mëtejmë të Kosovës tonë të vogël, dhe shkurtimit të pafund të tokave shqiptare, të cilat edhe ashtu janë tkurrur e sakatuar më tepër se trojet e cilido popull tjetër në Ballkan dhe rajon. Përndryshe kjo do t’i detyronte shqiptarët të ngritën sërish në luftë për krijimin e shtetit të tyre etnik dhe bashkim kombëtar, i cili pa dëbimin nga politika të njerëzve si Edvin Kristaq Rama dhe bashkëmendimtarët e tij pro-serb, nuk do të mund të arrihej, edhe po të pajtohej vet bashkësia ndërkombëtare për aktin e drejtë e legjitim të bashkimit të shqiptarëve”, përfundoi Gani Qarri.

Ahmeti: Ideja e shkëmbimit të territoreve krijon destabilitet në rajon

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti vlerëson se ideja për shkëmbim të territoreve krijon de stabilitet në Ballkan.

Image

Ai gjatë prononcimit për gazetën “Bota sot”, u shpreh se këto ide janë dashakeqe dhe nuk duhet të diskutohen në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.

“Gjykoj se ideja e shkëmbimit të territorit krijon de stabilitet në rajon, pasi historia objektive e pohon një gjë të tillë. Në tryezën e diskutimeve në mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të shpërfaqen ide të tilla, pasi në thelb janë dashakeqe jo vetëm për dyja vendet por, për gjithë rajonin”, deklaroi analisti.

Gjithashtu, Ahmeti kërkoi që Kosova në dialog të shfaqet si shtet sovran, dhe jo të vazhdohet me logjikën e servilizmit, pasi pavarësia e saj është fakt juridik ndërkombëtar.

“Dialogu duhet të zhvillohet në kontekstin e dy shteteve të barabarta e sovrane, e jo të vazhdohet me logjikën e nënshtrimit dhe servilizmit, pasi shteti i Kosovës është fakt juridik ndërkombëtar”, përmbylli Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

SHPËRNDAJE