Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e të ashtuquajturit drejtor të Zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë Marko Gjuriq, duke thënë se gjatë aksionit për arrestimin e tij ka pasur rezistencë nga ana e serbëve, por pavarësisht kësaj policia ka arritur të kryejë detyrat e saja sipas urdhrave të shtetit të Kosovës.
Baki Kelani nga Policia e Kosovës, në një deklaratë për media në orët e mbrëmjes, tha se Gjuriq është dëbuar nga Kosova nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, pasi që kishte hyrë pa leje në vendin tonë.
Kelani: Gjuriq është dëbuar nga Kosova
“Policia e Kosovës sot ka marrë veprime në veri të Mitrovicës, bazuar në vendimet e MPB-së, i cili ka bërë refuzimin e hyrjes së disa personaliteteve të Serbisë. Bëhet fjalë për Vulin dhe Gjuriq, dhe Policia e Kosovës arriti të kuptojë se ndodhet në Kosovë, në një lokacion ku do të mbahej një tubim me qytetarët. Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprimet e saja për të zbatuar vendimin e autoriteteve të shtetit të Kosovës dhe gjatë hyrjes në atë lokacion, ka hasur në rezistencë aktive, mirëpo edhe përkundër kësaj rezistence të madhe, policia ishte e vendosur të realizojë vendimet e shtetit të Kosovës dhe arrestoi Gjuriqin. I njëjti është arrestuar dhe bazuar në refuzimin e hyrjes në Kosovë, i njëjti është larguar nga territori i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kelani.
Policia dëbon Gjuriqin nga territori i Republikës së Kosovës
Policia e Kosovës përmes rrugëve operative ka siguruar informacione se Marko Gjuriq dhe persona të tjerë, janë parë të jenë prezent në lokacionin ku kishin planifikuar të mbanin një takim me përfaqësues dhe qytetarë të veriut të Mitrovicës.
Me qëllim të verifikimit të informacionit dhe zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS), i cili ka ndaluar vizitën në Kosovë të disa zyrtarëve serbë duke përfshirë Vulin dhe Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për të vepruar në atë lokacion, thuhet në deklaratë.
Policia ka bërë të ditur se njësitet kompetente policore gjatë hyrjes në atë lokacion me qëllim të verifikimit të informacionit të siguruar dhe për të zbatuar vendimin zyrtar të autoriteteve të shtetit, gjatë hyrjes kanë hasur në pengesa dhe rezistencë të disa personave që gjendeshin në atë lokacion.
“Përkundër pengesave dhe rezistencës së shfaqur njësitet policore duke përdorur mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme policore, kanë arritur ta verifikojnë informacionin dhe njëherësh ta arrestojnë Gjuriq, i cili ishte prezent në atë lokacion. Policia e Kosovës bazuar në refuzimin e hyrjes në RKS, të njëjtin e ka larguar nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
I ashtuquajturi drejtor për Zyrën për Kosovën, Marko Gjuriq pritet të dëbohet nga Kosova.
Ai është arrestuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës, pasi ka hyrë pa leje në Kosovë.
Gjuriq është sjellë më herët në stacionin policor në Prishtinë.
Gjuriq me pranga në duar sillet në Prishtinë
Policia e Kosovës kanë arrestuar në Mitrovicën e Veriut, të ashtuquajturin drejtor për Zyrën e Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq për shkak se ai nuk ka respektuar ligjin e autoriteteve të Kosovës pasi ai ka shkelur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës.
Policia e Kosovës e ka sjellë Marko Gjuriqin nën pranga në Qendrën e Stacionit Policor në Prishtinë:
Tani gjendja është e qetë, derisa forcat e ROSU janë duartrokitur nga qytetarët e Kosovës.
Pas arrestimit, Marko Gjuriq është sjellë në Prishtinë.
Më poshtë mund të shihni fotot nga vendi i ngjarjes, ku eskorta me Gjuriqin futet në Prishtinë.
Marko Gjuriq është arrestuar minuta më parë në veri të Mitrovicës, nga Policia e Kosovës.
Tani ai është duke u sjellë në Prishtinë dhe do të sillet në stacionin e Policisë në Prishtinë, raporton “Presheva Jonë
Gazetari i “Bota sot” nga vendi i ngjarjes raporton se ai ende nuk ka arritur dhe se pritet të hyjë nga një tjetër hyrje dhe jo ajo kryesore.
Tek stacioni i policisë shihet një mobilizim i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës.
Tensionohet veriu, Policia e Kosovës arreston GjuriqinPolicia e Kosovës ka arrestuar në Mitrovicë të Veriut shefin e të ashtuquajturës zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.
Arrestimi ka ndodhur në tubimin serb në Kosovë, ku Gjuriq ka shkuar përkundër se autoritetet kosovare ia kanë ndaluar hyrjen.
Media raporton se Gjuriqin policia po e sjell nën pranga në Prishtinë.
Policia bëhet gati të arrestojë Gjuriqin
Njësitë speciale të Kosovës me autoblindat e tyre dhe me armë kanë rrethuar objektin ku ndodhet Marko Gjuriq dhe Nikola Selakoviq.
Ata pritet të kryejnë arrestimin e tyre, pas hyrjes në Kosovë pa leje.
Qytetarët janë mbledhur për të parë se çfarë po ndodh.
Po ashtu, në veri janë dëgjuar të shtëna dhe shpërthime bombe, bëjnë të ditur burime.
Ndryshe, në veri të Mitrovicës ndodhen Marko Gjuriq dhe Nikolla Selakoviq, të cilët nuk kanë leje për vizitë në Kosovë.
Ata kanë ardhur në Kosovë për të mbajtur një debat për dialogun e brendshëm të Serbisë për Kosovën, por nuk kanë marrë leje nga Qeveria e Kosovës.
Gjuriq hyn në Mitrovicën e Veriut, rreth 50 xhandarë serbë në mbrojtje, Policia Speciale ndërhyn kah ‘Lagja e Boshnjakëve’
Kreu i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, është duke qëndruar në Mitrovicën e Veriut, nën përcjelljen e 50 xhandarëve serbë.
Askush nuk po lejohet t’i ofrohet sallës ku po mbahet takimi rreth dialogut të brendshëm për Kosovën, ndërsa edhe gazetarët janë përjashtuar.
Marko Gjuriq hyn në Mitrovicën e Veriut
I ashtuquajturi drejtor për Zyrën e Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka hyrë në sallën ku pritet të mbahet debati mbi dialogun e brendshëm për Kosovën, njoftojnë burime të KP.
Më herët Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ai nuk ka leje për vizitë në Kosovë, ndërsa është paralajmëruar arrestimi i të gjithë atyre zyrtarëve serbë që hyjnë në vendin tonë pa marrë leje paraprake.
S’dihet kur mbahet tryeza për dialogun e brendshëm
Në Mitrovicën e Veriut është zhvendosur fillimi i bisedimeve në kuadër të dialogut të brendshëm, pasi që Prishtina zyrtare ka ndaluar hyrjen në Kosovë të zyrtarëve serbë.
Tash për tash nuk dihet nëse dhe kur do të mbahet konferenca e paraparë për dialogun e brendshëm në veri të Mitrovicës, shkruajnë mediat serbe.
Në këtë takim është paraparë të marrin pjesë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën Marko Gjuriq, sekretari i përgjithshëm i presidentit serb, Nikolla Selakoviq dhe ministri për Kulturë Vlladan Vukosavleviq.
Ky i fundit nuk ka hyrë në territorin e Kosovës edhe pse kishte arritur deri te pika kufitare Jarinje, me pretekstin se është ndaluar nga Policia e Kosovës, por kjo e fundit ka hedhur poshtë spekulimet e zyrtarit serb.
Xhandarët e spiunët serb në pritje të Vulinit e Gjuriqit, ROSU të gatshëm t’i arrestojë
Forca të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (NJRSH), tashmë ndodhen pothuajse në të gjitha pikat kyçe të veriut të vendit, duke përfshirë edhe pikën kufitare Jarinje.
Ato janë stacionuar në pozitat strategjike dhe janë të gatshme për të intervenuar në rast nevoje.
***
Policia e Kosovës, ka konfirmuar se ministri serb i Kulturës Vladan Vukosavljeviq, është lejuar të hynte në territorin e Kosovës, mirëpo ai është kthyer me me vet dëshirë prapa për në Serbi.
Mirëpo, Policia ka thënë se vizita e Vladan Vukosavljeviq në Kosovë, ishte e planifikuar të realizohej në pikën kufitare Merdare, por e njëjta është bërë në pikën kufitare në Jarinje, përcjell Bota sot.
Më poshtë njoftimi i plotë i PK-së:
Në vazhdimësi të informimit të drejtë të opinionit publik dhe me qëllim të shmangies së dezinformacioneve të mundshme, Policia e Kosovës bazuar në vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RKS-së, për lejimin e hyrjes së ministrit të Kulturës Vladan Vukosavljevic, ju informojmë se të njëjtit i është lejuar hyrja në territorin e Kosovës konform vendimit, por i njëjti pas hyrjes nuk ka vazhduar tutje për në Veri të Mitrovicës, duke u kthyer me vetë dëshirë mbrapa për në Serbi.
Vizita e lejuar e Vukosavljevic ka qenë e planifikuar të realizohet në pikën kufitare Merdare që lidh Kosovën me Serbinë, mirëpo e njëjta nuk është realizuar në atë pikë kufitare por në pikën kufitare Jarinje në veri të vendit.
***
Më shumë se 20 pjesëtarë të xhandarmerisë serbe, në mesin e të cilëve edhe spiunë të Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë (BIA), kanë hyrë gjatë dy ditëve të fundit nga Serbia në territorin e veriut të Kosovës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, xhandarët serbë janë në rroba civile dhe kanë hyrë gjatë orëve të natës së shtunë dhe të diel nga kufiri i Jarinjes, ndërsa janë vendosur në konviktin e studentëve afër shkollës ‘Vuk Karaxhiq’ në Zveçan.
“Vllado Trebjeshanin, Miljan Dragoviq, Predrag Rakiç, Bato Llazareviq, janë vetëm disa nga emrat e xhandarëve nga veriu të cilët së bashku me kolegët e tyre nga Serbia ndodhen në veri”, kanë thënë burimet.
Në shoqëri të tyre janë edhe struktura tjera dhe njerëz të krimit, që janë nën urdhrat e bosit të ‘nëntokës’ Zvonko Veselinoviq, duke përfshirë edhe ‘Civilna Zastita’-n dhe kreun e saj Stevo Paviçeviq.
Ata janë mobilizuar në atë pjesë për sigurinë e drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriqit dhe sekretarit të përgjithshëm të presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq.
Derisa autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë hyrjen e zyrtarëve serbë pa leje në territorin e Kosovës, mbetet të shihet nëse këta të fundit do të hynë në vendin tonë.
Policia: Mos u shqetësoni, jemi në Veri për të zbatuar vendimin e Qeverisë
Policia e Kosovës ka njoftuar sërish qytetarët për praninë e tyre sot në veri të Kosovës.
Është bërë e ditur se në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave ligjore Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime në drejtim të dislokimit të njësive përgjegjëse në terren në pjesën veriore të Kosovës, me të vetmin qëllim zbatimin e vendimit të Qeverisë dhe nuk ka qëllime tjera.
“Në kuadër të kësaj dëshirojmë t’i informojmë të gjithë qytetarët tanë, në veçanti ata në veri të Kosovës mos të bien pre të çfarëdo dezinformate lidhur me angazhimet tona në atë pjesë”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu është bërë e ditur se mbeten të të përkushtuar në zbatimin e rendit dhe ligjit si dhe ofrimin e shërbimeve policore për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.
Policia ndalon edhe Vladan Vukosavljeviqin
Kosova e ka ndaluar hyrjen e ministrit të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe të Marko Gjuriqit në Kosovë.
Por hyrja gjithashtu i është ndaluar para pak çastesh edhe ministrit serb të Kulturës, Vladan Vukosavljeviq.
Policia e Kosovës e ka ndaluar minisrin serb të hyjë në Kosovë rreth orës 11:30.
Ai kishte për synim të vizitonte disa Manastire në Kosovës gjatë ditëve të ardhshme.
Vetura të blinduara e forca të shumta të Njësisë Speciale
Disa autoblinda të Policisë janë duke qëndruar në gjendje gatishmërie në stacionin policor të Mitrovicës së Jugut, në pritje të urdhrit për t’u nisur drejt veriut.
Policia më herët bëri të ditur se në kuadër të autorizimeve dhe kompetencave ligjore ka ndërmarrë veprime në drejtim të dislokimit të njësive përgjegjëse në terren në pjesën veriore të Kosovës me qëllim të zbatimit të vendimit të qeverisë për t’i ndaluar hyrjen në Kosovë dy zyrtarëve të lartë të qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin dhe Marko Gjuriq.
200 pjesëtarë të ROSU-s shkuan në veri për ta ndaluar Gjuriqin e Vulinin
200 policë të ROSU-s dhe 40 nga Njësia Speciale e Kosovës gjenden në veri të Mitrovicës.
Këtë e kanë bërë të ditur burime, ndërsa ata po udhëhiqen nga drejtori i Njësive Speciale, Arbnesh Ajvazi.
Policia e Kosovës bazuar në planifikimet e saja policore, në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë Aleksandar Vulin dhe Marko Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për implementim të këtij vendimi.
“Sipas informacioneve dhe deklarimeve të vetë zyrtarëve serbë, të njëjtit kanë deklaruar se edhe përkundër vendimit zyrtar të autoriteteve të Kosovës për ndalim të hyrjes së tyre, ata do të realizojnë vizitën e tyre të planifikuar në veri të Mitrovicës”, thuhet në raportin e policisë.
***
Policia e Kosovës, ka konfirmuar se ka shtuar praninë në veri të Mitrovicës për shkak të vizitës së paralajmëruar të dy zyrtarëve serbë, Marko Gjuriq dhe Aleksandar Vulin.
Policia, përmes një komunikate ka bërë të ditur se do të veprojë sipas vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, për ndalim të hyrjes së tyre, përcjell Bota sot.
“Do të ju lejohet hyrja vetëm personaliteteve, të cilët do të kenë leje zyrtare të autoriteteve të shtetit të RKS-së, për të realizuar vizitat e tyre të planifikuara sipas kërkesës zyrtare”, ka thënë PK-ja