iddddNGA SHPETIM IDRIZ   -Unë jam shqiptar i Çamërisë.

Kjo është e para fjali që dje më erdhi ndër mend për ta thënë këtu para jush. Fjalia e dytë ishte:

Unë jam shqiptar i Çamërisë dhe jam europian.

Kjo fjali e dytë, e thjeshtë, fjali dëftore më erdhi vetvetiu, pasi mësova përgjigjen që Komisioneri Johanes Hahn i dha zonjës

Maria Spyraki, eurodeputete e Demokracisë së Re, dikur zëdhënësja e kësaj partie.

Po citoj në anglisht thelbin e përgjigjes së Komisionerit Johanes Hahn, uroj mos të keni nevojë për shqipërimin tim jo aq mjeshtëror:

The Commission welcomed that the two countries are discussing the establishment of a joint mechanism, to be convened periodically, for the resolution of outstanding bilateral issues. These include the delimitation of Greek-Albanian continental shelf and maritime zones, the rights of persons belonging to minorities, and the Cham Issue.

Ose në shqip:

“Komisioni Europian mirëpret diskutimet mes qeverive të dy vendeve për të gjetur mekanizmin e përbashkët, i cili do të mblidhet periodikisht për gjetjen e zgjidhjeve të çështjeve dypalëshe. Këtu përfshihet përcaktimi i shelfit kontinental dhe kufirit detar, të drejtave të personave që u përkasin minoriteteve dhe Çështjes Çame.”

Sot, është një ditë e rëndësishme, jo se si Arkimedi duhet të thërrasim “Eureka!”, por pas kaq vjetësh, përpjekjesh, mundimesh, të vrarësh, genocidi, diskriminim shembullor, në zemër të Europës, atje ku ne dëshirojmë të bëhemi pjesë prej një çerek shekulli tranzicioni, Çështja Çame merr vendin e duhur, gëzon respektin e duhur për të gjetur zgjidhjen e duhur.

Më në fund, Brukseli njeh që Çështja Çame është një çështje e pazgjidhur mes dy vendeve, jo se nuk e dinim, por sepse tani nuk e thonë dot më aq lehtë që nuk ekziston, nuk na mohojnë dot. Ndaj sot më vjen për mbarë t’ju them: “Unë jam çam, por jam edhe europian”, sepse atje larg, nga një politikan që nuk i përket kombit tim mora një përgjigje që duhet të ma jepnin këtu e 72 vjet më parë politikanët, në radhë të parë të vendit tim dhe pastaj të huajt.

Por, rëndom jemi fshehur. Kemi vënë një kapak përsipër, në mënyrë që mos t’i prishim terezinë fqinjit gërrnjar dhe lojcak. Gjatë këtyre viteve shpesh kam menduar që më shumë se nga të tjerët ne, vetë shqiptarët kishim më shumë frikë prej Çështjes Çame. Ne sikur donim ta harronim, ta fshihnim atje në qoshet e institucionit të harresës, ia kishim drojën hapjes së një derti që mund të na shkaktonte andralla.

Por, nuk harrohet edhe sikur ta kishim vullnetin e plotë për këtë gjë. E tërhoqëm zvarrë ndër vite, madje shumë të vështira kujtimin e njerëzve tanë, kujtimin e sakrificës që bënë ata patriotë jo për krahinën e tyre, Çamërinë, por për Shqipërinë. Nuk e lamë pas shpine edhe kur ishte turp të thoje që je çam, as sot, kur lloj-lloj kulisash kërkojnë të ngrejnë një çështje ta paqenë, sektarizmin krahinor mes vedit. As sot, kur qarqe të caktuara financojnë politikisht dhe mediatikisht antiçamizmin.

Të dashur kolegë,

Sot, kemi çertifikimin europian për një nga plagët më të mëdha kombëtare, ndaj ju them juve, e nëpërmjet kësaj salle shqiptarëve: Mos kini frikë! Mos kini frikë nga Çamëria!

Sot, nuk jam vetëm unë çam, sot të gjithë jemi çamë. Nuk ka asfare nevojë të lindësh i këtillë. Ju jeni çamë, sepse jeni shqiptarë, ndaj sot është një ditë e gëzuar për politikën shqiptare, është një ditë e bardhë për të gjithë ata që duan Kombin e tyre, aq sa na e ka falur Zoti, aq të madh sa është nga Çamëria në Kosovë, nga Korça në Shkup, nga Vlora në Tivar. Nuk duam asnjë centimetër që nuk na takon, por duam njësoj Prevezën e Margëlliçin si duam Plavën dhe Gucinë.

Nuk janë thirrje romantike të një politikani që sot sheh dritë në fund të tunelit, por po ju rrëfej realitetin që na takon. Është e jona kjo që po përmend unë, e jona qysh në kohë të të parëve tanë, para se të themeloheshin shtetet e kombet. Dhe një gjë që është e jona, nuk ka përse mos ta kërkojmë, se kemi të drejtën me vete.

Zonja dhe zotërinj,

Çështja Çame ka qenë shpesh burim i shumë teorive konsipirative dhe sa e sa herë na është shitur si mollë sherri. Nuk ka shumë kohë që në këtë sallë ka patur zëra që janë shprehur se Çështja Çame nuk ekziston, madje na prish fqinjësinë e mirë.

Unë sot i përgjigjem gojëve të liga se Çështja Çame ekziston dhe këtë nuk e thotë Shpëtim Idrizi, por Komisioneri Johanes Hahn. Nuk ja thotë një korrespodenteje mediatike, por një eurodeputeteje greke në sallën e Kuvendit të Europës. Nuk e thotë ashtu në erë, por e cakton si prioritet për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Nëse deklaratat e zotit Johanes Hahn janë burim i ndonjë nacionalizimi të sëmurë, atëherë duhet të pranojmë që paskemi sëmurur europianët me idetë tona “irredentiste”.

Ky politikan që nuk ka kurrfarë lidhje me Ballkanin kupton që baza demokratike e marrëdhënieve mes shteteve është respektimi i të drejtave të njeriut dhe kur ato nëpërkëmben duhet gjetur guximi për t’i rehabilituar. Duhet parë e vërteta në sy, duhet kërkuar ndjesa dhe duhet të ulemi në tryezën e bisedimeve si të barabartë për të vënë në vend një padrejtësi, e cila duket ka lënë një vragë të madhe edhe në Europën e Bashkuar.

Askush prej nesh nuk kërkon shpagë, ndryshim kufinjsh apo revansh nacionalist, por ne kërkojmë vendosjen në vend të një të drejte historike, kërkojmë një strehë për të vrarët tanë, një varr për të parët tanë, kërkojmë që prindërit dhe gjyshërit tanë të shohin Çamërinë qoftë dhe një herë para se të shuhen, kërkojmë pronat tona që na takojnë, asnjë tjegull më shumë se shtëpitë tona, asnjë dynym më shumë se tokat tona, asnjë rrënjë ulli më shumë se ullishtet tona. Kërkojmë të vendosim të kthehemi e të jetojmë si nënshtetas të një shteti demokratik me të drejta të plota që kanë nënshtetasit shqiptarë me kombësi greke që jetojnë në tokën tonë. Kërkojmë të jemi qytetarë të Europës ku bën pjesë Greqia, ku shumë shpejt do të bëjë pjesë Shqipëria.

Këtë kërkojmë dhe nuk do të lodhemi, sepse kemi mirëkuptimin e shqiptarëve, kemi mirëkuptimin e europianëve dhe të aleatëve tanë strategjikë.

Të nderuar kolegë,

Çështja Çame nuk është kokë dashi që mund të përdoret për të thyer dyert e mëdha të histerive nacionaliste ballkanike të veriut apo të jugut të Shqipërisë. Kjo është një çështje që duhet zgjidhur urtësisht nga shqiptarët dhe grekët pa emocione të tepërta folklorike që mund të rrjedhin nga historitë tona të dhimbshme.

Për të zgjidhur Çështjen Çame duhet të thërrasim në ndihmë ditët e lumtura, kur shqiptarët dhe grekët bashkëjetonin dhe punonin për një tokë të paqes dhe prosperitetit. Kemi shembuj të mëdhenj në historinë tonë të afërme që rrëfejnë këtë realitet të paqtë dhe progresiv, pikërisht nga këtej duhet ta nisim.

Nuk e ndihmojmë dot Çështjen Çame duke margjinalizuar ata, me të cilët jemi të dënuar të jetojmë përjetësisht në të njëjtën tokë, në të njëjtin gadishull.

Por, nuk mund të lejojmë që të na nëpërkëmbin, vetëm përse i përkasim një krahine shqiptare, ku na kanë ndaluar të hyjmë qoftë dhe për të bërë një vizitë të thjeshtë.

Atje, vetëm katër orë me makinë nga Tirana, është shtëpia jonë, atje na takon të ngrejmë katandinë, të ndërtojmë çatitë, varret, xhamitë dhe kishat tona. Atje na takon të presim fëmijët tanë që do të vijnë, atje duhet hedhur vallja e Osman Takës.

Atje do të respektojmë edhe atë që ka ardhur mysafir në tokat tona, sepse mikëpritja dhe bashkëjetesa është shpikur në këto vise që quhen Shqipëri.

Ne nuk kemi ndër mend të trembim kënd, nuk kemi ndër mend të luajmë me fuqinë që na jep e drejta, sepse e dimë shumë mirë që aty ku mbaron e drejta jonë, nis e drejta e tjetër kujt. Ky është premtimi solemn që unë e bëj këtu jo si Shpëtim Idrizi, por si çam edhe në emër të babës tim, edhe në emër të atyre shqiptarëve që i kanë rrënjët në ato treva.

Nuk dëshiroj që sot të merrem shumë me lojërat e politikës sonë, të cilat shpesh janë të vogla dhe meskine, por nja dy fjalë dëshiroj t’i them për atë që ka ndodhur këto kohë në vendin tonë, ku shpesh partia që unë drejtoj është vendosur në syrin e ciklonit.

Të helmëta kanë qenë etiketimet dhe mospëlqimet ndaj Çështjes Kombëtare që mbron Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

U çuditën disa ku dolën çamët në Veri të Shqipërisë. U deshën një palë zgjedhje vendore që të zbulohej se paska çamë në Dibër a gjetkë. Nuk janë çamë, more zotërinj, por janë shqiptarë. Ashtu si ka votues për socialistët, demokratët apo LSI-në në Konispol, në plazh në Durrës a Skelë të Vlorës, ka dhe votues të PDIU-së në Tropojë, madje të shumtë.

Ju falem këtyre patriotëve që kanë kuptuar se Çështja Kombëtare nuk është pronë e manipulatorëve të opinionit, ajo është pronë e zgjedhësve. Nëse këto kohë e shohin të ngjizur Çështjen Kombëtare tek forca politike që unë drejtoj, po them që mirë bëjnë dhe jua di për nder si në Dibër, si në Lezhë, si në Shkodër, Korçë, Berat e kudo.

Ju ftoj të hiqni dorë nga ky sektarizëm primitiv që ju çon veç në qorrsokak. Mos u ngazëlleni më si në këtë sallë, si në mediat që financoni, kur merrni mesazhe nga Athina që PDIU nuk duhet të hyjë në qeveri apo se nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë është fashist.

Sepse tani i bie që të jetë fashist si unë Komisioneri Johanes Hahn, ai që kur ka folur para jush në këtë sallë të Kuvendit të Shqipërisë u lodhët duke e duartrokitur.

Të nderuar deputetë,

Sot, jemi të lumtur se na kanë njohur, por ende nuk ka ardhur zgjidhja e Çështjes Çame. Por, sot jemi të kënaqur, sepse energjitë tona të hedhura lumë sollën një kumt të madh.

Tani kemi përpara të tjera ditë të vështira, derisa të arrijmë të bindim fqinjët tanë se duhet ta shohin në sy të vërtetën.

Nukk do të ishte politikisht e ndershme nga ana ime, nëse sot nuk falenderoja ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati që ka drejtuar dhe po udhëheq një proces tejet të koklavitur, por që po e bën këtë punë shumë mirë, edhe nën trysninë që unë dhe partia ime shpesh e kemi vënë.

E pranoj që shpesh halli që na ka zënë na shtyn drejt emocioneve të forta, por diplomacia shqiptare për herë të parë në këto 72 vjet po përballon me kthjelltësi një negociatë të vështirë, e cila nuk ka si mos të shkaktojë emocione të mëdha.

Nuk premtoj dot që nuk do bëjmë zë për zhvillimet e së nesërmes, përkundrazi, por jam i gatshëm që të vë në dispozicion të gjithë dokumentacionin, dëshmitë, dosjet që kemi të përgatitura vetëm me një qëllim, zgjidhjen e Çështjes Çame.

Kjo nuk është padrejtësi që mund të zgjidhet vetëm nga politika. Është koha që së bashku me politikën, t’i futen punës historianët, akademikët, arkeologët, folkloristët, gjuhëtarët, shkenctarët shqiptarë të Tiranës, Prishtinës, Shkupit dhe gjetkë. Të merren seriozisht me studimin, sensibilizimin, përhapjen sa më të gjerë të kësaj çështje.

Është koha e lobimeve të mëdha që nuk duhet të ndodhin vetëm në Tiranë, por edhe në Bruksel, Londër, Uashington dhe këtë çamët nuk e bëjnë dot të vetëm, por kanë nevojën e një solidariteti mbarëkombëtar, kanë nevojën e diasporës.

Mos pyesni sot nga e keni origjinën krahinore, nga Mallkastra, Presheva apo Ulqini. Sot, e keni të gjithë nga Çamëria.

Ashtu si në vitin 1999, kur të gjithë ishim kosovarë sa nga Prishtina, Peja, Deçani apo Malisheva, edhe ju sot jeni nga Paramithia, Filati, Parga dhe Vola.

Kjo është lutja ime sot për ju, kudo që të ndodheni.

Përunjësisht sot i them shqiptarit më të fundit që më ndjek: Sot, i dashur ti je çam, si unë, si shumë të tjerë.

Bëjeni për vete krahinën që nxori Marko Boçarin, Hasan Tahsinin, Elena Gjikën dhe Koli Idromenon. Bëjeni tuajën krahinën e Ali Demit, Teme Sejkos dhe plot vajzave dhe djemve që këndojnë “Tumankuqen”.

Ka një poet të madh Shqipëria, i cili është Bilal Xhaferri, një çam që sfidoi të gjitha llojet e regjimeve.

Ja çfarë shkruante ai në një nga perlat e letrave shqipe:

Baladë çame

… Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.

Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë

Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive

dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi…

Lamtumirë, Çamëri!

Sot, kemi gjasë të shkruajmë vargjet e tjera, ato të kthimit në shtëpi si hebrenjtë drejt tokës së premtuar. Vargje që mund t’i mbyllim me:

Mirësetëgjeta, Çamëri!

Të nderuar kolegë,

Ju falenderoj që patët durim të më dëgjonit deri në fund, por edhe sikur asgjë mos të keni ndjekur, veç këtë fjalë kujtoni:

Unë jam çam, unë jam Europian.

*Fjala e plotë e mbajtur sot nga Shpëtim Idrizi në Kuvendin e Shqipërisë

SHPËRNDAJE