Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama njoftoi vendin se terroristi më i kërkuar në botë, kreu i rrjetit Al-Kaida, Osama Bin Laden ka vdekur. “Drejtësia është shpënë në vend,” u shpreh presidenti.
Zoti Obama foli mbrëmë pak para mesnatës në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, ku konfirmoi se një operacion i trupave amerikane kishte rezultuar në vdekjen e Bin Ladenit. Udhëheqësi i al-Kaidës, tha presidenti, u vra në një kompleks në Pakistan.
Presidenti shpjegoi se vjet në gusht ishte informuar nga kreu i CIA-s Leon Paneta se mendohej që Bin Ladeni ndodhej në Pakistan. Presidenti kishte udhëzuar agjencitë e zbulimit të përqendroheshin në konfirmimin e vendndhodhjes së tij. Para një jave, shpjegoi më pas presidenti, ai ishte informuar për vendndodhjen e saktë të Bin Ladenit në Pakistan dhe kishte autorizuar një operacion të kujdesshëm nga një njësi e vogël speciale për sjelljen e tij para drejtësisë:
“Sot, me udhëzim timin, Shtetet e Bashkuara ndërmorën një operacion kundër këtij kompleksi në Abotabad të Pakistanit. Një ekip i vogël amerikan e kreu operacionin me guxim dhe aftësi të jashtëzakonshme. Ata u treguan të kujdesshëm për të mos lënë mundësi për lëndime në radhët e trupave amerikane dhe për të shmangur viktima në radhët e civilëve. Pas një shkëmbim zjarri ata vranë Osama bin Ladenin dhe morën nën kontroll trupin e tij”.
Kanë kaluar afro 10 vjet që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 nga operativët e Al-Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara.
Presidenti shprehu mirënjohjen e tij dhe të kombit për njësinë që realizoi sulmin. Presidenti ka marrë ndërkaq mesazhe nga Presidenti Xhorxh Bush dhe presidenti Bill Klinton me përgëzime për këtë moment historik për kombin.