Nxënësit nga gjimnazet, shkollat e mesme të artit dhe profesionale me kohëzgjatje katërvjeçare, sot dhe më 12 qershor do të testohen për provime eksterne nga matura shtetërore për sezonin e provimit të qershorit. Për dhënien e maturës shtetërore janë paraqitur 19.025 nxënës në 97 shkolla shtetërore dhe shtatë private. Pjesa e obligueshme e maturës shtetërore do të zbatohet sot, ndërsa lënda përzgjedhëse është më 12 qershor me fillim në orën 10. Testimin do ta ndjekin 230 mbikëqyrës dhe 2.000 testues. Për informim më të mirë të maturantëve është publikuar “udhëzues për maturën shtetërore” në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke. Sivjet për herë të parë materialet do të distribuohen dy deri tre orë para provimit që të garantohet fshehtësia e testimit. Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pançe Kralev pret që matura e sivjetshme shtetërore të ketë rezultate më të mira se vjet dhe ta ndjekë trendin e përmirësimit që u vërejt në katër vitet e kaluara. Sivjet ekziston tendenca për zgjedhjen e gjuhës së huaj sesa matematikës. Numri i të paraqiturve për provim në matematikë është ulur në 20 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Rezultatet paraprake nga testimi ekstern në sezonin e qershorit të maturës shtetërore do të publikohen brenda 12 qershorit të vitit 2012. Kandidatët të cilët mendojnë se nuk janë vlerësuar drejt do të kenë të drejtë ankimi. Çdo kandidat për rezultatet personale do të mund të informohet në ueb faqen www.matura.gov.mk. Ministri Kralev, drejtoresha e Byrosë për zhvillim të arsimit Vesna Hërvatoviq dhe drejtori i Qendrës shtetërore për hulumtime Jusuf Arifi sot do t’i vizitojnë shkollat e mesme “Cvetan Dimov”dhe “Rade Jovçevski Korçagin” në Shkup për të parë se si zbatohet matura. Zëvendësministri Safet Neziri do t’i vizitojë shkollat në Tetovë dhe në Gostivar, ndërsa sekretarja shtetërore Elizabeta Todorovska në Delçevë.

SHPËRNDAJE