Zgjedhja e pardjeshme e ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremiq në krye të forumit të Kuvendit botëror nuk ishte e befasishme. Këtu besohet se ndihma më e madhe Jeremiqit i erdhi nga Moska e cila e mbështeti menjëherë sapo kandidoi duke u vënë hapur kundër kandidatit tjetër, ambasadorit të Lituanisë.

I bindur për detyrën e kryer, ambasadori rus Vitalij Churkin bile parashikoi fitoren qysh para takimit duke mos ja qëlluar epilogut ‘vëtem’ për dy vota.

Ndihma tjetër më e madhe për përfaqësuesin serb ishte nga e ashtuquajtura Lëvizja e Painkuadruareve, një bllok joformal vendesh kryesisht afrikane dhe të botës së tretë që me ndjenjën e nostalgjisë për ish-Jugosllavinë vazhdojnë ta konsiderojnë pushtetin në Beograd si trashëgimgar dhe vazhdues legjitim të politikës dhe diplomacisë titiste.

Asambleja e Përgjithshme është një nga gjashtë organet kryesore të Kombeve të Bashkuara ku të gjitha vendet anëtare janë të barabarta dhe konsiderohet një forum kryesor i debateve botërore. Asambleja miraton traktate të reja, kontrollon buxhetin e organizatës botërore dhe përcakton kuotën kontribuese të secilit vend anëtar.

Mandati i Jeremiqit është njëvjeçar dhe pushtet kryesor i tij do të jetë hapja dhe mbyllja e seancave plenare, njoftimi mbi vendimet e Asamblesë, rekomandimet e ndryshme të cilat nuk kanë forcë obliguese ligjore, etj.

Ndonëse qëndrimi amerikan ishte kundër zgjedhjes së Jeremiqit, Washingtoni nuk bëri fushatë të hapur kundër për arsye se nuk donte t’i jepte më shumë peshë se çfarë në të vërtet ka posti i udhëheqësit të Asamblesë.

Ashtu si edhe zyrtarët evropianë, përjashtu shtatë-tetë vendet që votuan për të, zyrtarët amerikanë Jeremiqin e konsiderojnë arrogant dhe jodiplomat i cili me qëndrimet e tij ndaj Kosovës nuk ka sjellë risi në diplomacinë serbe gjoja të reformuar dhe proevropiane, por përkundrazi është një reminishencë e diplomacisë së viteve të nëntëdhjeta.

SHPËRNDAJE