Aleanca Kosovare e Bizneseve, bëhet anëtare e Rrjetit Global Ekonomik (KEN), me ç’rast ekonomia dhe biznesi vendor, tani më do të ketë qasje në shumë fonde të Bashkimit Evropian. Kjo u bë e ditur pas një takimi që kryesuesi i Aleancë Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, pati me një delegacion nga Brukseli, ku u diskutua mundësia e integrimit të ekonomisë kosovare jashtë tregut të Kosovës dhe eliminimit të barrierave në këtë drejtim.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), ka thënë se po punojnë në mënyrë që Kosovës t’i hapen mundësitë drejtë një rrugëtimi të gjatë drejtë Bashkimit Evropian dhe integrimit në sfera ekonomike, rrugëtim ky i cili nuk është aspak i lehtë. AKB, sipas tij, ka shprehur gatishmërinë që të gjejë partner të mundshëm në drejtim të kësaj rruge, në mënyrë që biznesi dhe ekonomia kosovare, të jetë e pranishme në Evropë, pasi që Evropa është partneri ynë kryesor, sa i përket shkëmbimeve tregtare. AKB, sipas Shahinit, ka dëshirë dhe është e gatshme të jetë partner serioz i KEN-it, si anëtarja më e re e këtij organizmi, duke pasur mundësinë tashmë për të përfituar përvojë dhe investime nga fondet e BE-së për biznesin.

“Morëm një informatë të rëndësishme që në Bruksel janë mbi 3500 zyre për lobim dhe Kosova aty nuk ka zyre. AKB është shumë e interesuar të jetë atje me biznese, me ekonomi dhe me politikë, në mënyrë që të ipet një imazh edhe më i mirë për Kosovën. Të ndryshojë mentaliteti evropian për Kosovën. Por njëkohësisht të thith nga fondet e ndryshme, të cilat janë të shumta, e tek të cilat për fat të keq Kosova nuk i shfrytëzon shumë këto fonde për arsye të ndryshme. Prezenca e Kosovës në Bruksel, është shumë e rëndësishme edhe me forma tjera ekonomike”, ka pohuar Shahini.

Ai po ashtu ka thënë se gjatë këtij takimi është biseduar edhe për problemet që ka Kosova me CEFTA-n si dhe për liberalizimin e vizave, pasi që Kosova ka mbetur i vetmi shtet në Evropë, që lëviz me vështirësi.

Ndërsa Boris Cizelj, kryesues i KEN-it, Rrjetit Global Ekonomik të Bazuar në Dije ak thënë se është i kënaqur me faktin se AKB është një nga mikpritëset e këtij delegacioni dhe është i gatshëm të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për të vendosur sa më shumë kontakte mes bizneseve. Cizelj ka theksuar se tashmë AKB dhe anëtarët e kësaj Aleance mund të konkurrojë për fondet për zhvillim në fusha të ndryshme dhe të krijojnë sa më shumë mundësi për partneritet me kompani të ndryshme evropiane.

“Sllovenët kanë pritur shumë për pavarësinë e vendit të tyre edhe pse shumë biznese ishin tepër mosbesuese nëse do të mundeshin të mbijetonin si biznese në ambientin konkurrues tregtar të Evropës. Tani pas gjithë këtyre viteve të gjithë jemi të kënaqur me hapat e hedhura nga Sllovenia dhe zhvillimin që ajo ka pasur. Prandaj unë mendoj se edhe ju së shpejti do të shihni zhvillim më të madh”, ka thënë Cizelj.

Edhe Janez Podobnik, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Promovimin e Ndërmarrjeve-ICPE ka përshëndetur anëtarësimin e AKB-së në KEN, duke ofruar disa nga mundësitë apo zgjedhjet që Sllovenia ka bërë për të qenë pjesë e suksesshme e BE-së.

“Ne patëm diskutime konkrete dhe shumë të frytshme se si të përkrahet sektori i biznesit në Kosovë. Kosova po jeton në një kohë të rëndësishme. Kosovës i duhet përkrahje e domosdoshme nga fondet evropiane, për të përkrahur biznesin dhe komunitetet lokale. Me rëndësi është se si ta prezantoni vetën në Bruksel. Jemi këtu t’u ndihmojmë dhe t’i këmbejmë përvojat tona. Ju si shtet i ri duhet të jeni i motivuar nga krerët politik. Si gjeneratë e re, duhet të merreni me të ardhmen tuaj”, ka pohuar ai.

Ndryshe, BE ka mbi 50 miliardë euro fonde për inovacion, mbi 19 miliard për edukim dhe 3 mijë e 500 zyra lobimi. Kosova, duhet të jetë pjesë e shfrytëzimit të këtyre fondeve. Në këtë drejtim, AKB-ja nga dita e sotme do të ketë qasje pjesërisht në disa fonde pasi u anëtarësua në KEN. /Kosovapress/

SHPËRNDAJE