Një i dyshuar, 50 vjeçar, tenton të vetëvritet me armë zjarri në kokë pasi paraprakisht deklaroi se kishte ngulfatur për vdekje të dashurën e tij 44 vjeçare. Rreth orës 19:00 min, Policia e Kosovës në Mitrovicë, ka pranuar një informatë lidhur me një rast të plagosjes me armë zjarri, në tentativë të vetëvrasjes, së një 50 vjeçari, të raportuar të ketë ndodhur në shtëpinë e tij në fshatin Zhabar i Ulët, të Mitrovicës.

Policët e parë intervenues nga stacioni jugu në Mitrovicë, takuan të dyshuarin, A.Ferati, me plagë në kokë, ndërsa i njëjti deklaroi një vrasje të kryer nga ai personalisht në vendin e quajtur “kulumrijat” në fshatin Zhabar. I dyshuari i vetëplagosur, me një plagë në kokë, është dërguar urgjentisht në spitalin e Mitrovicës për t’u transferuar më pas në QKUK Prishtinë për tretman mjekësor ndërsa njësitë tjera policore janë vënë në kërkim të lokacionit, në të cilin sipas të dyshuarit, mund të gjendej trupi i pajetë i një femre. Me ndihmën e banorëve të fshatit Zhabar, Policia e Kosovës, arriti të identifikojë lokacionin ndërsa trupi i pajetë i një femre është takuar e shtrirë për tokë. Vdekjen e viktimës e konfirmoi mjeku kujdestar në vend të ngjarjes. Policia mësoi identitetin e viktimës, Shemsije Hasani, 44 vjeçare, banore e fshatit Çabër të komunës së Zubin Potokut.

Tek viktima vëreheshin gjurmë të përdorimit të forcës, mavijosje në pjesën e fytit, si element i dyshimit të bazuar se e njëjta mund të ketë qenë ngulfatur për vdekje nga i dyshuari i këtij rasti. Një armë e tipit M 70, prodhim jugosllav, që besohet të ketë qenë e përdorur nga i dyshuari për të kryer vetëvrasjen në tentativë, së bashku me një karikator dhe një gëzhojë, janë gjetur dhe marrë si pjesë të provave materiale në këtë rast. Sipas informatave preliminare në këtë rast, besohet se vrasja e femrës 44 vjeçare, ishte e motivuar nga xhelozia.

Trupi i pajetë e viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion ndërsa me urdhër të prokurorit publik, policia e Kosovës është duke e mbajtur të dyshuarin në masa të sigurisë gjatë trajtimit të tij mjekësor.

SHPËRNDAJE