Pas votimit të propozimit francez dje në parlamentin maqedonas, Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, në Sofje, nënshkruan protokollin e dytë bilateral që parasheh procedurat dhe dinamikën e tejkalimit të dallimeve mes Sofjes dhe Shkupit.

Pas hedhjes së hapit të dytë ka reaguar komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi i cili e ka përshëndetur Protokollin Bilateral të nënshkruar duke thënë se kjo i hap rrugën Maqedonisë së Ceriu dhe Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në.

“Përshëndes Protokollin Bilateral të nënshkruar midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo i hap rrugën #CZPRES për të mbledhur Konferencën e parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në. Evropa ecën përpara!”, shkruan komisioneri i BE.

Nënshkrimi i protokollit me Bullgarinë vjen pas miratimit të suksesshëm në Kuvend dhe Qeveri të propozimit të presidencës franceze për zhbllokim të negociatave.

Propozimi francez u miratua me 68 vota të pro të maxhorancës, ndërsa opozita maqedonase u largua nga Parlamenti para se të niste votimi.

Me miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, pritet që javën e ardhshme të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe RMV-së me Bashkimin Europian për hapjen e negociatave.

SHPËRNDAJE