Nën tymin e gazit lotsjellës, Komisioni për Punë të Jashtme ka votuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, duke e proceduar atë në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për demarkacionin ka bërë që në Komisionin për Punë të Jashtme të jenë të pranishëm edhe deputet të opozitës, të cilët nuk janë anëtarë të këtij Komisioni. Aty ishin edhe Donika Kadaj Bujupi, Albulena Haxhiu, Driton Çaushi, Ismail Kurteshi dhe Pal Lekaj, të cilët i bënë thirrje Komisionit që të mos e votojnë këtë projektligj por ta kthejnë atë në Qeveri.  Nuk munguan debatet e ashpra e as sharjet e fyerjet mes deputetëve të pranishëm.

Puhie Demaku, anëtare e komisionit nga lëvizja VV, tha se nuk duhet lejuar që ky projektligj të kaloj në Kuvend, aq më shumë që ata vetë si deputetë të jenë pjesëmarrës në këtë krim.

Demaku: Mos lejoni të bëhemi bashkëpjesëmarrës në krim

tyyy“Qëndrimi jonë si VV është se ky ligj, ky projektligj, aktualisht t’i kthehet Qeverisë. Ne kemi bazë ligjore. Dhe po them edhe njëherë, mos lejoni të bëhemi bashkëpjesëmarrës në krim. Po se kaloi ky ligj, mbase jo menjëherë, por do t’i vuajnë pasojat gjeneratat e ardhshme. Do të përballemi një ditë me histori dhe faktet ligjore ku ne do të japim përgjegjësi”, tha ai.

Edhe Zafir Berisha anëtar i këtij Komisioni nga Nisma për Kosovën,  tha se Komisioni qeveritar ka bërë lëshime trashanike, andaj kjo marrëveshje nuk duhet të kaloj ashtu siç është tani.

Berisha: Të mos ngutemi, marrëveshja nuk duhet të kaloj

“Komisioni meha , komisioni i qeverisë ka bërë lëshime trashanike, për të cilat në rast se ne nuk reagojmë si deputet, pasojat a atyre gabimeve do ti vuajnë gjeneratat pas neve… Tryeza e ka vërtetuar dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare nga komisioni qeveritar dhe komisioni qeveritar dhe parlamentin e ka fut në lajthitje…E di që me arrogancën e votave ju do ta votoni se u pa qysh në fillim. Por kjo nuk do ti shërbejë as këtij komisioni e veçanërisht as neve si deputet. Prandaj përfundimisht edhe njëherë iu kisha ba thirrje të mos ngutemi. Të kemi parasysh të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur tash e më shumë se një vjet deri tek tryeza e 3 gushtit dhe ne si komision parlamentar parlamentit ti rekomandojmë se kjo marrëveshje nuk duhet të kaloj kësisoj”, tha ai.

Albulena Haxhiu, deputete nga VV,  i quajti deputetët e Kuvendit të Kosovës makina votimi, gjë që bëri të reagojnë anëtarët tjerë të Komisionit.

Haxhiu: Deputetët janë shndërruar në makina votimi

“Mua më shqetëson fakti se si këta deputet janë shndërruar në makina votimi. Më shqetëson ky fakt për shkak se deputeti e ka për obligim ti mbroj interesat e qytetarëve.. Nëse po iu dhemb e vërteta…është shqetësuese që një çështje kaq e rëndësishme kalon me kaq lehtësi”, tha ajo.

E kryetari i Komisionit, Elmi Reçica, kërkoi nga Haxhiu që të mos i fyej deputetët.

Recica: Mos fyej

“Mos u merr me konstatime dhe fyerje të deputetëve”, tha ai.

Por deputetja Haxhiu tha se qeveria po e provokon situatën. Ndërsa paralajmëroi se nuk do të ndalen në kundërshtim të kësaj marrëveshje.

Haxhiu: Po iu paralajmëroj, ne nuk do të ndalemi

“Qeveria  e Republikës së Kosovës po e provokon situatën. Sinqerisht po e provokon situatën. Do ta tensionojë situatën,  në qoftë se vepron me ketë arrogancë. Dhe natyrisht përgjegjësinë për këtë çështje do ta merr Qeveria. Sepse ne si VV nuk do të ndalemi në kundërshtimin e kësaj marrëveshje. Unë vetëm sa po iu paralajmëroj për këtë“, tha ajo.

Nga ana tjetër, Ismet Beqiri, i LDK-së, i cili disa herë u sulmua me fjalë nga deputetët e VV-së për votën e tij për demarkacionin, tha se nuk e ndjen asnjë obligim që tu arsyetohet deputetëve të Vetëvendosjes.

Beqiri: Ju jeni shumë të mençur

“Lus që mos me na mbajt këtu ligjërata për sjellje tona. Ne jemi deputet kemi ardhur me vota. Nuk e ndie asnjë obligim ndaj juve me u arsyetua. Unë e kam një problem se ju edhe për ngrohjen globale me bë me qel temën jeni të dijshëm edhe për bazë ligjore. Ju jeni shumë të mençur i dini krejt këto. Është punë e juaja. Unë e them mendimin, qëndrimin tim, dhe s’mund të ma impononi. Kot e keni”, tha ai.

Shpejt ia ktheu përgjigjen Albulena Haxhiu.

Albulena: Ismet të njeh krejt Kosova

“Përfundoje Ismet se të njeh krejt Kosova”

Më pas, Beqiri i quajti deputetët e VV-së provokatorë.

Beqiri: Këta janë provokatorë

“Unë nuk dua me zgjatë. Sepse me deputet të tillë, që bëjnë vlerësime dhe fyejnë, është ma së paku me qua kohen kot. Sepse këta  janë provokator ose kjo dhe nuk dua me u marrë me debat me të. Se dëshira e tyre është zaten edhe kjo, me zhurma me probleme të natyrave të ndryshme dhe paralajmërime. Kjo tash zonja…shiko çfarë niveli keni. E keni nivelin e tillë dhe mbajeni”, tha ai.

E Donika Kadaj-Bujupi tha se kryeministri dhe presidenti, po bëjnë përpjekje që faji nga qeveria të kaloj në Kuvend, me votimin e këtij projektligji.

Bujupi: Do ta ndalim këtë tradhti

“ Sot me korrespodencë, po e dërgojnë në Kuvend dhe po kërkojnë që përmes disa shërbyesve të vet me ia hedh krejt fajin Kuvendit. Me e legjitimua një nënshkrim i cili dhe me kodin penal të republikës së Kosovës, cilësohet si vepër penale për tradhti ndaj vendit. Sepse po fal territore po shet territore. Si VV do ti përdorim të gjitha format pa përjashtim dhe mënyrat më jo konvencionale, në mënyrë që me e ndal këtë tradhti”, tha ai.

Ndërsa deputeti i AAK-së Pal Lekaj, e pati një sqarim interesant rreth demarkacionit me Malin e Zi. Ai tha se edhe lopët atje e dinë ku është kufiri.

Lekaj: Edhe lopët e dinë ku është kufiri

Një bari. Isha para tri ditëve dhe mu drejtua kështu. Unë tha e kam një tub lopësh. Tha, le të vjen Murat Meha ia tregojnë edhe lopët ku është kufiri. S’ka nevojë tha me kanë shumë filozof, as shumë profesionist, se lopët e mia nuk e kalojnë kufirin në atë anë. Andaj është turp që një Komision me ta bë gjendjen në Kosovë në këtë gjendje”, tha ai.

Pas këtij debati, pikërisht  në kohen kur duhej të votohej projektligji, deputeti i VV-së Driton Çaushi ka hedhur gazin lotsjellës, në tentim për ta penguar votimin e këtij projektligji. Pas hedhjes së gazit, Çaushi u arrestua. Ndërsa tha se nuk do të ndalet asnjëherë në luftimin e bandave kriminale që po veprojnë kundër interesave të vendit.

Glauk Konjufca i VV-së, pas arrestimit të Çaushit tha se do të vazhdojnë rezistencën për të penguar miratimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës.

Konjufca: Këto janë segmente të kapura të policisë

“Këto janë disa segmente të kapura të Policisë së Kosovës, të cilët operojnë me urdhra qeveritar. Kur po është puna me arrestua njerëz të krimit të organizuar të cilët blejnë e shesin prona të Kosovës, siç është rasti i Azem Sylës, 12 herë ka dështua urdhri për me arrestua Sylen. Kur është puna e njerëzve që mbrojnë integritetin e  Kosovës, Policia shtyhet se cili me ardhë më përpara në zyre me hy e me thye derën e me marr Driton Çaushin”, tha Konjufca.

***

 Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, në të cilin po shqyrtohej projektligji për demarkacionin me Malin e Zi, gjendej në zyrën e grupit parlamentar brenda Kuvendit të Kosovës, kur ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Ai është arrestuar pasi ka hedhur gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme.

Image

Momenti i arrestimit të Driton Çaushit

FOTO GALERI

Komisioni për Punë të Jashmte i Kuvendit të Kosovës, edhe përkundër gazit lotsjellës që u hodh brenda në sallë, ka arritur të votojë projektligjin për Demarkacionin.

Projektligji u votua dhe u procedua për në Kuvend, ka njoftuar kështu kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica.

Ai tha se edhe përkundër situatës së krijuar nga gazi lotsjellës ne e votuam projektligjin dhe si i tillë ka kaluar në procedurat tutje.

Gazin lotsjellës në sallën ku po mbahej mbledhja e ka lëshuar deputeti i VV-së, Driton Çaushi.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes deputetit, Driton Çaushi ka përdorur sërish gazin lotsjellës në Kuvend, kësaj radhe në mbledhjen e Komisionit për punë të Jashtme, si masë kundërshtimi ndaj ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit.

Ky Komision diskutoi për më gjatë se një orë projektligjin e Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe në momentin kur pritej të votohej që i njëjti t’i procedohej Kryesisë së Kuvendit për procedurat e mëtejshme, Çaushi hodhi gazin lotsjellës, metodë kjo që po përdoret nga ky subjekt politik që nga shtatori i vitit të kaluar.

SHPËRNDAJE