Manifestimi “Marsh për paqe” do të mbahet sot para Guacës në Parkun e qytetit në Shkup.

Ngjarja është në organizim të Iniciativës qytetare “Së bashku për paqe”, e kryesuar nga Sasho Macanovski-Trendo, Aleksandar Rusjakov, Ana Jovkovska dhe Petrit Saraçini. Ata porositin se qëllimi është promovimi i bashkëjetesës ndërsa në marsh është paralajmëruar prania e shumë artistëve, muzikantëve, intelektualëve, përfaqësuesve nga sektori joqeveritar dhe të tjerë.

Marshi është iniciuar si rezultat i incidenteve të fundit të cilët ndodhën në javën e kaluar, ku janë lënduar mbi 20 persona nga bashkësi të ndryshme etnike.

Manifestimi do të fillojë me shfaqjen e muzikantëve shumë të njohur nga Maqedonia, të cilët përmes shfaqjes masive drejtpërdrejtë do të ekzekutojnë himne të njohura paqësore botërore. Manifestimi i paqes, do të lexohet në disa gjuhë, nga ana e Sabina Ajrulla, Visar Vishka, Gorazd Cvetkovski, Esma Rexhepova, Kristina Lelovac dhe Koço Andonovski.

Pas kësaj, qytetarët e pranishëm do ta fillojnë Marshin për paqe, drejtimi i lëvizjes i të cilit do të zhvillohet prej Parkut të qytetit, përmes bulevardit “Ilindenska”, ura e Goce Dellçevit, pastaj lëvizje drejt Muzeut të Holokaustit deri te Ura e gurit – simboli i bashkësisë, që pastaj përmes Kejit të qytetit, pas ndërtesës së Qeverisë, të përfundojë para Guacës në Parkun e qytetit.

SHPËRNDAJE