Gjykata Themelore në Prishtinë, në rigjykim, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Agim Ademit, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe Muharrem Rama, lidhur me akuzën për detyrim në bashkëkryerje.

Ademi dhe Rama akuzoheshin se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve u shpall të mërkurën, nga gjykatësi i çështjes, Sabit Sadikaj.

Sipas aktgjykimit, nuk është provuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale që iu vihej në barrë.

Akrgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarve Ademi dhe Rama, po ashtu mungoi edhe prokurorja Elza Bajrami.

Shpenzimet procedurale bien në barrë të gjykatës, ndërsa pala e dëmtuar ka të drejtë për realizimin e kërkesës pasurore-juridike brenda afatit ligjor.

Brenda 30 ditësh nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

SHPËRNDAJE