astrffMbi 200 bashkatdhetarë që jetojnë në Bern dhe rrethinë, por edhe në qytete tjera të Zvicrës, u tubuan në Ostermundigen të Bernit, për ta nderuar jetën dhe veprën e atdhetarit, Astrit Dehari, i cili ndërroi jetë në Burgun e Prizrenit në rrethana të pasqaruara. Deri tani askush nga organet kompetente të pushtetit nuk ka dhënë asnjë lloj përgjegjëse. Përkundrazi kanë dalë me deklarata të ndryshme propagandistike të cilat kanë shkaktuar konfuzion të qëllimshëm në opinion.

Të prekur thelle dhe të indinjuar nga ky rast, bashkatdhetarët e kërkuan drejtësi të pavarur dhe të pamotivuar politikisht për Astrit Deharin.
Para të pranishmëve, foli veprimtari i çështjes kombëtare, përfaqësues i Lëvizjes « Vetëvendosje », Sami Kurteshi, i cili pasi foli për figurën e Astrit Deharit si njeri dhe veprimtarë i dalluar, tha se kjo vrasje është e qëllimshme nga një pushtet kriminal. Ndaj është më se e nevojshme që të bëhen hetime të pavarura dhe të besueshme.
Para të pranishmëve foli edhe Kryetari i Qendrës së « Vetëvendosjes « për Zvicër, Mujë Shala. Në këtë rast dhe në të gjitha rastet tjera gjërat duhet të thuhen me gjuhën e vërtetë, ndaj edhe ka ardhur koha që t’i thuhet mjaft kësaj politike kriminale-nënvizoi Shala.
Këtë tubim e udhëhoqi njëri nga organizatorët, Ismet Rashiti, i cili shprehu dhembjen e madhe që e ka pllakosur mbarë popullin shqiptar. «Astriti që nga hapat e parë të bërë këtu në Bern, bashkë me gjithë familjen e tij, ishte vërë në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar. Jemi tubuar këtu të kërkojmë drejtësi për vdekjen e papritur të Astritit tonë Burgun e Prizrenit. Jam i vetëdijshëm se sot, asnjë fjalë për Astrit Deharin nuk ka kuptimin që meriton. Asnjë penë nuk mund ta përshkruan dhembjen, as ta ndalë lotin. Dhembja është e madhe, më e madhe se çdo shkëmb, se çdo bjeshkë. Më e madhe se Sharri plak. Dhembja sot është më e fortë se guri, më e madhe se toka dhe më e lartë se qielli që po loton me të gjithë njerëzit, njerëz. Po aq e madhe është krenaria që kemi për Astritin, i cili tërë jetën e tij rinore e shkriu për të mirën e Atdheut, për ardhmërinë e brezave dhe ndërtimin e një jete të re me dinjitet në vendin tonë, duke përmbushur aspiratat shumëshekullore, tha mes tjerash, veprimtari dhe publicisti, Ismet Rashiti.
Nga ky tubim, në emër të gjithë bashkatdhetarëve të pranishëm, iu dërgua telegram ngushëllimi familjes Dehari, të cilin po e botojmë në tërësi :

NGA TUBIMI ME BASHKATDHETARË NË OSTERMUNDIGEN TË BERNIT

astrrtMë, 20 nëntor 2016, Ostermundigen

E dashura familje Dehari !

Ne, bashkatdhetarët nga të gjitha trojet shqiptare, miqtë dhe bashkëveprimtarët tuaj që jetojmë në Zvicër, të pikëlluar për vdekjen e papritur të Astritit, jemi bashkë me Ju në këto momente të vështira. Vdekja e papritur në Burgun e Prizrenit, na ka goditur të gjithëve, por njëkohësisht na ka bërë të krenohemi me veprën e tij prej një djali shembullor, një studenti të shkëlqyer dhe një patrioti e idealisti të kulluar që synonte realizimin e aspiratave shekullore te shqiptarëve.

Familje e dashur Dehari !

Ne, bashkatdhetarët tuaj në Zvicër, jemi tubuar sonte në Ostrimundigen të Bernit, ta ndajmë së bashku me Ju dhembjen e madhe dhe krenarinë për Astritin, ikja e Tij e shpejtë dhe e papritur, na ka goditur rënd, na ka prekur thellë në shpirt, në zemër e në asht.
Ne të gjithë, jemi pranë jush, me mendje e me zemër, duke marrë hise në dhembjen tuaj dhe në krenarinë që lindët dhe rritët një djalë si Astrit Dehari!

Lavdi jetës dhe veprës për Astrit Deharit!
I përjetshëm qoftë kujtimi për Astrit Deharin!

SHPËRNDAJE