(AIK-Presheva Jone)

Ditën e nesërme, ora 20.30’ në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, do të zhvillohet ndeshja miqësore ndërmjet ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe Sllovenisë.
Për këtë arsye, drejtoria e Policisë së Tiranës, ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv.
Në sajë të masave që do të ndërmarrim, ajo kërkon konkretisht mirëkuptimin e qytetarëve dhe sportdashësve, për të zbatuar me korrektësi masat si më poshtë :
– Do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” duke filluar nga ora 13.00’ të ditës së nesërme deri në orën 23.00’.
– Do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve duke filluar nga ora 15.00’ të ditës së nesërme deri në përfundim të aktivitetit sportiv ne Sheshin “Italia” dhe sheshin“Nënë Tereza”.
– Po ashtu, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët që të dërgojnë në stadium ashtu dhe përreth tij, si: rrugën “Lek Dukagjini”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Perlat Rexhepi” nga ora 15.00’ deri më 23.00’.
Ndërkohë, gjatë hyrjes së sportdashësve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në stadium nga tifozët, të sendeve të ndaluara si: mjete e sende të forta, fishëkzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj.
Policia e Tiranës, duke kërkuar dhe njëherë mirëkuptimin e publikut, u kujton sportdashësve dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet, respektimin me rigorozitet të rregullave të vendosura dhe kodit të sjelljes si para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv.

SHPËRNDAJE