(AIK-Presheva Jone)


Ali Ahmeti zbardhi heshtjen e një dite më parë në takimin e liderëve duke thënë se BDI është pro zgjedhjeve të parakohshme vetëm nëse për to vendoset me konsensus. Ahmeti i bëri thirrje partive opozitare që të kthehen në parlament dhe ti zgjidhin aty, kërkesat që kanë ngritur.

“Në vend nuk ka krizë politike, institucionet e vendit funksionojnë normalisht, situata kërkon angazhim që palët të afrohen për çështjet që kanë zgjidhje, dhe BDI është e interesuar që partitë që kanë braktisur parlamentin të kthehen në parlament. Unë nuk mendoj se është mirë të shkohet në zgjedhje të parakohshme pa opozitën…. në zgjedhje shkohet me konsensus” tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Nga ana tjetër Jovan Manasiveski, kryetari i PLD-së, partisë së vetme opozitare për momentin në parlament, bëri thirrje që Gruevski dhe Cërvenkovski të harmonizojnë qëndrimet e tyre.

“Zgjedhje të parakohshme menjëherë në një afat sa më të shkurtër, nëse nuk shohim përafrim të qëndrimeve të liderëve kryesor politik, të Gruevskit dhe Cërvenkovskit. Sepse gjithçka tjetër do të ishte e dëmshme për Maqedoninë” tha Jovan Manasiveski, kryetari i PLD-së.

Nga ana tjetër kreu i LSDM-së Branko Cërvenkovski ka vazhduar takimet me ambasadorët, të cilët sjellin mesazhe për kthimin e stabilitetit politik dhe ndalimin e bojkotit të kuvendit. Ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë, inkurajuan partitë që problemet t’i zgjidhin brenda institucioneve shtetërore.

“Çdo bojkot i parlamentit paraqet masë problematike. Demokracia do të thotë dialog politik në institucionet shtetërore, dhe bojkoti është e kundërta e dialogut” tha Ulrike Marija Knoc, Ambasadore e Gjermanisë.

“Italia nuk mund të mos dëshirojë që dialogu dhe besimi mes forcave politike sa më shpejtë të kthehet ashtu siç ishte më parë si dhe dialogu politik të kthehet në parlament” tha Fabio Kristiani, Ambasador i Italisë.

Kreu i LSDM-së Branko Cërvenkovski theksoi sërish se bojkoti është mënyra e vetme për t’iu kundërvënë keqqeverisjes së pushtetit, dhe se kërkesat e partisë së tij janë të arsyeshme dhe në përputhje me rekomandimet e BE-së.

SHPËRNDAJE