Prishtinë, 24 maj 2012, NOA – Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka shprehur ngushëllimet për tragjedinë e ndodhur në Himarë, ku humbën jetën 13 persona dhe u plagosën 26 të tjerë, të gjithë studente të Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”.

Kreu i Bashkësisë islame të Kosovës i ka dërguar një mesazh ngushëllimi kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça, për tragjedinë e Himarës. Përmes këtij telegrami Myftiu Tërnava ndan dhimbjen e thellë me prindërit dhe familjarët e viktimave, ndërsa lutet për të vdekurit dhe për të plagosurit.

“Lusim Allahun e Gjithëmëshirshëm t’ju dhurojë durim që këtë fatkeqësi ta tejkaloni sa më lehtë. Lutemi që dhimbjen dhe ngushëllimet tona t’ua përcillni familjarëve të viktimave, kurse studenteve të lënduara u dëshirojmë shërim të shpejtë”, shkruhet në mesazhin e kreut të myslimanëve të Kosovës.

“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, organeve dhe institucioneve te saj dhe të besimtarëve tanë, bashkëndajmë dhembjen me Ju dhe të gjithë popullin shqiptar dhe lusim Allahun, që të lënduarit të shërohen sa më shpejt”, përfundon mesazhi ngushëllues.

Të hënën më 21 maj, një ekspeditë mësimore e studentëve të Universitetit të Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani” u mbyll tragjikisht në aksin rrugor Vlorë-Himarë, pikërisht në vendin e quajtur Qafa e Vishës në Vuno pranë Himarës, ku u rrëzua njëri prej autobusëve me 39 persona.

Në këtë aksident tragjik gjetën vdekjen 11 studente, shoferi i autobusit dhe i fejuari i njërës prej vajzave, ndërsa morën plagë të rënda 26 studente të tjera.

SHPËRNDAJE