(AIK-PreshevaJone)

 

 

 

Muzeu i Alfabetit Shqip në Manastir nuk ka hyrë në programin për realizimin e interesave nacionale në kulturë, pasi ky institucion është themeluar shumë muaj pas shpalljes së konkursit të ministrisë së kulturës. Shoqata “Miqtë e muzeut” që pritet të regjistrohet këto ditë do të jetë ajo që do të sigurojë ekzistencën e këtij muzeu që ka një rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët. Drejtori i muzeut të Alfabetit Shqip, Gazmend Hoxhaj thotë se është në kontakte me përfaqësuesit e ministrisë së kulturës dhe të Qeverisë, por shpresën më të madhe e ka tek “Miqtë e Muzeut”, që është themeluar gjatë këtyre ditëve. “Ky muze nuk është vetëm i Manastirit. Ai ka një rëndësi të madhe për të gjithë shqiptarët dhe besoj se nëpërmjet shoqatës ‘Miqtë e muzeut’ shumë shpejt do të sigurojmë mjete financiare që muzeu të nisë të funksionojë. “, thotë Hoxhaj, duke shtuar se tani për tani po mbledhin materiale që kanë të bëjnë me rrugën e alfabetit. Hoxhaj është optimist dhe beson se brenda disa muajve, muzeu do të nisë të funksionojë, edhe pse tani për tani aty nuk ka asnjë kusht pune. Zyrat nuk janë rregulluar, nuk ka vitrina e telefona, dyshemeja është e shkatërruar, pjesa e pasme e shtëpisë është e pa rikonstruuar dhe oborri i pasmë i pa rregulluar. Ministria e kulturës i ka premtuar drejtorit Haxhiaj se çështja e telefonave do të zgjidhet shumë shpejt. Udhëheqësit e muzeut tani po punojnë për kalimin e shtëpisë në pronë të muzeu, pasi shtëpia akoma është pronë e shtetit, ndërsa për dy zyra në katin e parë të shtëpisë që janë pronë private, Qeveria do të ngre një Komision për të vërtetuar mënyrën e privatizimit të asaj pjese të shtëpisë.

Muzeu i Alfabetit shqip u themelua më 31 dhjetor të vitit të kaluar. Vula e Muzeut është vetëm maqedonisht, pasi ligji i vulave nuk lejon që ato të jenë edhe në gjuhën shqipe.

SHPËRNDAJE