Kryetari i PDSH’së, njëherësh kryetar i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka uruar Hashim Thaçin për zgjedhjen e tij në postin e kreut të shtetit.
Në urimin e tij, ai ka ftuar Thaçin që të vizitojë Luginën e Preshevës, vizitë e cila tha se do të ishte më se e mirëpritur.
“Ju e dini se për autoritetet kosovare dera e Kryetarit të Komunës së Preshevës mbetet gjithmonë e hapur. Në një kohë sa më të përshtatshme për Ju, vizita e Presidentit të Kosovës në Luginë të Preshevës, do të ishte më se e mirëpritur”, ka qenë kërkesa e Mustafës drejtuar Thaçit.
Mustafa e nis letrën e tij me fjalinë “I dashuri Hashim”, për t’i thënë se zgjedhja në funksionin e lartë të Presidentit të Republikës së Kosovës “është pa dyshim një moment me rëndësi për Ju dhe mbarë vendin”.
“Është kënaqësi e veçantë t’iu përcjell, me këtë rast, urimet më të mira për sukses në detyrën e lartë që Ju është besuar. Marrëdhëniet tona janë marrëdhënie mes vëllezërish e njëherazi gur themeltar partneriteti strategjik për të ardhmen. Shfrytëzoj këtë rast t’ju shpreh mirënjohjen tonë të thellë për gjithë ndihmën që Republika e Kosovës dhe institucionet e saj shtetërore kanë dhënë për Luginën e Preshevës në këto vite të fundit, uroj për një bashkëpunim të ndërsjellë gjë që do të kontribuonte shumë në ecjen e proceseve rajonale më përpara”, ka thënë ndër të tjera Mustafa.
Kreu i Komunës së Preshevës në urim thotë se Kosova dhe Shqipëria duhet të mbeten një binom strategjik për perspektivat më shpresëdhënëse në Ballkan dhe shembull i gjallë i një integrimi shumë të dëshiruar dhe të merituar në Bashkimin Evropian.
Në fund, Mustafa i ka uruar Thaçit shëndet, sepse, siç tha ai, “suksesi juaj është i padiskutueshëm”.