musthhIsa Mustafa: Asociacioni i komunave serb do të themelohet ne harmoni me vendimin e Kushtetueses

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se Kuvendi i Punës së LDK-së, i mbajtur sot, me shumicë votash ka miratuar të gjitha pikat që kanë qenë në agjendë. Ai ka komentuar edhe zërat kritik që vijnë nga Vjosa Osmani, Fatmir Sejdiu dhe Donika Gërvalla, legjitimeti i së cilës si kryetare e LDK-së së Degës në Gjermani, nuk njihet nga LDK, duke thënë se dy të parëve iu dha mundësia të flasin dhe nuk kanë arsye të jenë të pakënaqur.

Ai tha se qëllimi themelor ka qenë që të rishqyrtohen orientimet programore të LDK-së dhe të diskutohet implementimi i programit qeverisës, sepse për herë të parë Qeveria po udhëhiqet nga LDK-ja pas luftës. Sipas tij, tani ka një gërshetim të programit politik dhe atij qeverisës.

Në këtë Kuvend, janë bërë edhe disa ndryshime të statusit të LDK-së, ku është shtuar edhe vendimi se, për shqiptimin e masave disiplinore, përveç Komisionit Disiplinor, këtë të drejtë e marrin edhe Kryesia e LDK-së dhe Kryesitë e Degëve.

Mustafa ka sqaruar se me shumicën absolute janë aprovuar të gjitha dokumente për të cilat është diskutuar.

Lidhur me atë se a ka përkrahjen e partisë për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave serbe, Mustafa tha se në Kuvend me orientimet programore, ka kërkuar që të përkrahen deputetët në Kuvend dhe pret që të njëjt it ta votojnë demarkacionin.

 

Osmani: Ata njerëz do të duhej të kishin një ulëse nderi në këtë Kuvend

“Në qoftë se asgjë tjetër, ata njerëz do të duhej ta kishin ulësen e nderit në kuvendin e sotëm. Do doja që secili prej nesh t’ua bëjë një pyetje vetes në qoftë se Kadri Veseli do të vinte dhe do të tentonte të hynte si mysafir në këtë kuvend a do të lejohej të hynte. Besoj që përgjigjen e dimë të gjithë fatkeqësisht…besoj që do të gjendej një arsyetim për ta futet brenda si mysafir…”, tha ajo.

Ajo tregoi edhe për disa pika të cilat në këtë Kuvend Punues të LDK-së nuk u hodhën në votim.

Osmani: Delegatëve iu pamundësua votimi për një çështje që rregullohet me statust

“ Iu është bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të Lidhjes Demokratike, të respektojnë fjalën e lirë që të angazhohen në dialog konstruktiv si dhe të angazhohen që të rritet angazhimi i grave në politikë në përputhje me rezultatin e Instituti Demokratik Kombëtar që është ndër partnerët kryesor të LDK, të cilët sidomos në vitin 2016 e kanë shpall vit të kundërshtimit të dhunës ndaj grave në politikë. Prandaj thjeshtë u kërkua që të t’i jepet mbështetje këtyre punëve që i ka bërë IDK bashkë me LDK-në, t’i jepet mbështetje parimit të kultivimit të demokracisë së brendshme apo demokracisë brenda partiake dhe t’i jepet mbështetje distancimit nga dhuna që përdoret ndaj anëtareve…fatkeqësisht lidershipi i LDK as nuk e mori guximin që këtë ta hedh në votim….delegatëve iu pamundësua të drejtën e votimit për një çështje që shumë qartë rregullohet me status…madje, u tha se kinse ndaj zonjës Donika Gërvalla nuk u ushtrua dhunë por për gjithë ata që kanë sy besoj që ekzistojnë pamjet…”, tha Osmani.

Ndërkaq, në këtë Kuvend LDK-ja aprovoi orientimin programor, ndryshimet dhe plotësimet e statutit, raporti i punës dhe atij financiar, ndërmjet Kuvendit të shtatë dhe të tetë të LDK-së, si dhe aprovimi i strategjisë së komunikimit të LDK-së.

Mustafa: Kemi inkurajuar deputetët të votojnë demarkacionin

“Kemi përkrahur deputetët tanë dhe kemi inkurajuar që të votojnë demarkacionin me Malin e Zi sepse konsiderojmë se puna e komisionit qeverisës, pastaj qëndrimi i departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qëndrimi i komisionit të zgjedhur nga presidentja ka dhënë përgjigje në këtë dhe për neve është e mjaftueshme që të kemi opinione dhe përgjigje të tilla për t’i përkrahur. Edhe në Kuvendin e sotëm kam kërkuar që ata të përkrahin deputetët dhe të votojnë dhe kuvendi e ka miratuar këtë. Unë pres që do ta votojnë, sepse deputetët megjithatë duhet të respektojnë qëndrimet e partisë së tyre, e cila i ka përkrahur që të marrin mandatin e deputetit dhe politikat e të cilit ata duhet të i prezantojnë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar M ustafa.

Në pyetjen e gazetarëve se çfarë po ndodh me Donika Gërvallen dhe pse nuk u lejua në këtë Kuvend, Mustafa tha se do të ketë zgjedhje në degën e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani, dhe kur të zgjedhën kryetarët e këtyre degëve, çdonjëri do të merr pjesë. I pari i LDK ka mohuar që të ketë pasur një kërkesë që Gërvalla të jetë prezente në këtë Kuvend qoftë edhe si mysafire.

Mustafa: Sa i përket zonjës Gërvalla nuk ka pasur kërkesa të tilla

“Ne kemi përfunduar sot me vendim të Kuvendit t’i mbajmë zgjedhjet në degën e LDK-së në Gjermani dhe në Zvicër dhe në momentin që zgjidhen kryetarët e këtyre degëve atëherë çdo përfaqësuesi i atyre degëve pa marrë parasysh kush do të jetë, do të ketë legjitimitetin dhe do të merr pjesë në të gjitha aktivitetet dhe në të gjitha forumet tona…E sa i përket zonjës Gërvalla nuk ka pasur kërkesa të tilla dhe neve na ka befasuar mënyra e ardhjes së saj sepse nuk kemi qenë të informuar as për Këshillin e Përgjithshëm. Por unë mendoj se në zgjedhjet të cilat do të mbahen në degën në Gjermani do të përmbyllen gjitha këto dilema dhe do të respektohet legjitimiteti i çdo përfaqësuesi”, tha Mustafa.

Në pyetjen se a njihet Gërvalla si kryetare e degës së LDK në Gjermani, Mustafa është përgjigjur se ajo nuk njihet si kryetare, pasi që komisioni i atëhershëm ka vërtetuar se mandatet dhe mënyrat e mbajtjes së zgjedhjeve në Zvicër dhe Gjermani, kanë pasur parregullsi dhe se mbajtja e zgjedhjeve nuk ka qenë në rregull.

Kurse, sa i përket deklaratave të deputetes Vjosa Osmanit dhe ish-kryetarit Fatmir Sejdiu, Mustafa tha se që të dy kanë pas mundësinë që të thonë mendimin e tyre. Duke shtuar se ata nuk kanë arsye që të jenë të pakënaqur, Mustafa tha se ata kanë arsye që të bashkëpunojnë dhe të jenë pjesë e proceseve.

Mustafa: Edhe Vjosa Osmanit edhe Fatmir Sejdiut i kemi dhënë mundësinë për me fol

“Ne ju kemi dhënë mundësinë që edhe Vjosa Osmani edhe Fatmir Sejdiu ta thonë mendimin e tyre. Bile edhe shumë më gjatë se sa kanë fol të tjerët. Nuk kanë arsye me qenë të pakënaqur, kanë arsye të bashkëpunojnë dhe të jenë pjesë e këtyre proceseve, sepse askush nuk kuptoj hidhërohet nga vota edhe nga qëndrimi i shumicës. Kjo është demokraci dhe duhet të pranohet vullneti i shumicës, vullneti i shumicës është kjo që po ndodh këtu në LDK”, ka treguar Mustafa.

Punimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë zhvilluar pa praninë e mediave.

Mustafa: U befasuam me pjesëmarrjen e Gërvalles

​I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa deklaroi se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë do të bëhet në harmoni të plotë më vendimin e Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen që është arritur në Bruksel, duke bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak, derisa iu përgjigj akuzave të opozitës duke thënë se “ka kaluar koha e tradhtarëve.”

Këto deklarata Mustafa i bëri sot në Kuvendin Punues të LDK-së, i cili u zhvillua me qëllim të disa ndryshimeve në statutin e këtij subjekti politik.

Duke përmendur punën e LDK-së ndër vite si parti qeverisëse, koalicionin e dikurshëm me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës atë të tanishëm me Partinë Demokratike të Kosovës, Mustafa foli edhe për disa nga sfidat me të cilat përballet tani LDK-ja si pjesë e koalicionit qeverisës.

Mustafa: Çdo ditë përballemi me kritika

“Kur qeverisë vendin ke shumë kërkesa, kritika, sulme të llojllojshme dhe të gjitha ata ë janë mësuar ta shohin dhe interpretojnë LDK-në vetëm si një filozofi politike, si parti që mbajti frymën e gjallërisë liridashëse mbi një decenie, mund ta kenë të vështirë ta shohin LDK-në si parti e cila përballet me problemet ditore. Çdo përballje ka përkrahësit dhe kritikuesit, ashtu si çdo ballafaqim politik kërkon guxim, përkushtim, prandaj edhe ne duhet ta kemi guximin dhe kurajën që të ballafaqohemi me problemet që i kemi para nesh. Ne kemi shumë probleme për t’u ballafaquar dhe sfiduar me to. Janë sfidat e zhvillimit ekonomik, papunësia e lartë, niveli akoma më i lartë i varfërisë, implementimi i ekonomisë sociale të tregut. Duhet të ballafaqohemi me krimin e organizuar, korrupsionin, veçmas me perceptimin për nivelin e lartë të korrupsionit”, tha ai.

Ai shtoi se në këtë mandat të qeverisjes ishe përgjegjësi që të merren vendime të rënda, por gjithsesi të rëndësishme për vendin, duke potencuar dialogun me Serbinë dhe themelimin e Gjykatës Speciale.

Duke theksuar se themelimi Asociacionit të Komunave Serbe është obligim, Mustafa tha gjithashtu se sfidë është edhe bindja e komuniteteve për transformimin e Forcave të Sigurisë sà « Kosovës në ushtri të vendit.

 

SHPËRNDAJE