Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë sot se vendimi për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë ka qenë i nevojshëm, shkruan Gazeta Express.

Ai në një konferencë për media deklaroi sot se është e nevojshme që të merret ku vendim, në mënyrë që të kursehet xhepi i qytetarëve.

Kjo pasi sipas tij, për shkak se për përfitim të disave rritet kostoja bëhet barrë e gjithë taksapaguesve të tjerë.

“Do të ishte shumë e padrejtë që ne si shtet të subvencionojmë fitimin e dikujt në kurriz të qytetarëve tjerë. Prandaj ka qenë e nevojshme që të merret ky vendim që të kufizohet përkohësisht mihja apo prodhimi i kriptovalutave në mënyrë që të kursejmë xhepat e qytetarit. Për shkak se për përfitim të disave rritet kostoja apo bëhet barrë e gjithë taksapaguesve të tjerë. Kjo ka qenë arsyeja”, ka deklaruar ai.

Gjatë kësaj jave, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për Express mes rreshtave se do të marrin aksione për ndalimin e kësaj veprimtarie.

SHPËRNDAJE