Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, në Rubikon të KTV-së ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment që ta përfshijë Luginën e Preshevës në dialogun me Serbinë, meqë sipas tij, pas 100 vitesh është hera e parë që po ofrohet një mundësi e tillë.“Mendoj që interes i shqiptarëve dhe i Kosovës është që të përfshihet edhe Kosova Lindore, për një bisedë të balancuar me Serbinë”, ka thënë Murati.

“Qe 10 vjet është folur vetëm për Kosovën, vetëm për serbët në Kosovë, është hera e parë që po na ofrohet mundësia që të flasim për Serbinë, për shqiptarët në Serbi”, ka thënë më tej ai, përcjell Koha.net.

Moment historik e quan edhe Ragmi Mustafa, kryetar i këshillit nacional për shqiptarët.

Sipas tij, ky moment duhet të lexohet drejt dhe vendbanimet shqiptare, Presheva, Bujanoci e Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

“Ajo që është e rëndësishme është se ky moment historik duhet të lexohet drejt pa marrë parasysh se po ngjallë frikë. Liderët tonë e kanë thonë që e donë komplet në kufijtë kadastral mirëpo nuk janë ata që e përcaktojnë këtë. Në kuadër të kësaj duhet të përfshihen vendbanimet e shqiptarëve. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Mustafa: S’ka zgjidhje tjetër për Luginën, pos bashkimit me Kosovën

Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, në Rubikon të KTV-së ka thënë se mes Kosovës e Serbisë nuk mund të ketë marrëveshje, pa zgjidhjen e çështjes së Luginës.

“Pa trajtimin e Luginës së Preshevës nuk mendoj se do të mund të prodhohet një marrëveshje e cila do të garantonte paqe”, theksoi ai.

Sipas tij, nuk ka zgjidhje tjetër për Luginën e Preshevës, përveç bashkimit me Kosovën.

“Se çfarë do të ndodhë me veriun dhe pjesën tjetër, unë mendoj që ka kapacitete të mjaftueshme Kosova, ashtu siç ka dal fituese në Rambuje dhe pakon e Ahtisaarit, do të dalë fituese edhe tash”, ka thënë Mustafa.

Kamberi: Nëse i thua Luginës se s’bashkohesh me Kosovën, i thua rri në “status quo”

Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se nuk mundet ta cilësojë si të mirë idenë ndryshimit të kufijve.

Në Rubikon të KTV-së ai ka thënë se problemi është te ata që e kundërshtojnë këtë ide, e të cilët, sipas tij, nuk kanë alternativë.

“Nëse ju thua qytetarëve të Luginës se nuk ka bashkim me Kosovën dhe nuk po ju jep alternativë atëherë po ju jep ruajtje të status quo-s”, ka thënë Kamberi.

“Mendoj që problemi më i madh është t’u themi qytetarëve të Preshevës rrini kështu siç jeni sepse atje ka dështu integrimi i shqiptarëve”, shtoi tutje ai.

SHPËRNDAJE