Përballë zërave se Jose Mourinho do të largohet nga stoli i Realit të Madridit, portugezi përgjigjet në një mënyrë krejt origjinale, duke nisur planifikimin e fazës përgatitore të sezonit të ardhshëm.

Pas largimit të Capellos nga stoli i Anglisë, zëra të reja e kanë lidhur Mou me kalimin në krye të përfaqësueses së “tre luanëve”. Megjithatë, këtë herë ai nuk ka ndërmend të japë një nga përgënjeshtrimet tashmë të kthyera në rutinë.

Sipas të përditshmes “AS”, portugezi në këtë moment është duke u marrë me përgatitjet e sezonit të ri dhe po planifikon se ku do të zhvillohen turet miqësore të skuadrës së tij gjatë verës.

Nga detajet që ka mundur të zbulojë e përditshmja sportive, Reali do të rikthehet të zhvillojë fazën e parë përgatitore në Los Anxhelos, ashtu si një vit më parë.

Klubi ka refuzuar disa oferta fitimprurëse për t’u zhvendosur në disa vende arabike apo në Brazil, për shkak të kushteve jo të përshtatshme klimaterike.

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madrilenët do të zhvillojnë tre ndeshje miqësore, me Galaksinë, Çivas dhe Filadelfian.

Gjithashtu, është duke u shqyrtuar mundësinë që në tokën amerikane të zhvillohet edhe një miqësore e tretë luksi, përballë Interit, por këtë herë në Nju Jork.

Mbeten për të përcaktuar detajet e vazhdimit të turit të madrilenëve, që besohet se këtë herë do të ketë në fokus Amerikën Qëndore.

SHPËRNDAJE