Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka komentuar në nisje të tryezës së opozitës për infrastrukturën raportin më të fundit të agjencisë së vlerësimit të riskut, Moody’s, që thekson se Shqipëria ka një rrezik mesatar falimentimi. Më poshtë shkrimi i Deutsche Welle për këtë vlerësim të Moody’s

Borxhi i lartë publik që ka Shqipëria e vë përballë një rreziku të nivelit mesatar ndaj falimentimit. Ky parashikim vjen së fundi nga Moody’s, një nga agjencitë e mëdha të vlerësimit të riskut.

Ky parashikim nuk vjen papritur. Sinjalin e parë për kohë të vështira në ekonominë e Shqipërisë e dha në fillim të këtij viti FMN. Në raportin “Një vështrim në ekonominë botërore, 2012”, FMN e rendit Shqipërinë ndër 26 vendet më të rrezikuara nga kriza në eurozonë, që pritet të kenë tkurrje të mëdha të rritjes saj ekonomike” nënvizonte raporti në fjalë. FMN parashikon që Shqipëria këtë vit do të ketë një rritje ekonomike prej 0,5 %, më të ulëtën në gjithë Europën Jug- Lindore, që pritet ta ketë 0,7 %. Shkakun kryesor për këtë tkurrje të rritjes ekonomike FMN e gjen në transferimin në Shqipëri të krizës së eurozonës dhe sidomos asaj në dy vendet fqinjë, Greqi dhe Itali, partnere kryesore ekonomike të Shqipërisë. Si pasojën më të dukshme dhe më të dëmshme për ekonominë e Shqipërisë FMN paraqet uljen e dërgesave monetare- remitancave- në Shqipëri nga rreth 1 milion emigrantët shqiptarë, në Greqi dhe Itali, dërgesa që prej 20 vitesh kanë qenë karburanti kryesor i rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Në këtë kuadër të parashikimit nga FMN për kohë të vështira në ekonominë e Shqipërisë vendoset edhe vlerësimi i agjencisë Moody’s “për një rrezik mesatar për falimentim.” Sipas kësaj agjencie rreziku vjen nga borxhi i lartë publik, financat e dobëta të qeverisë dhe nga një situatë ekonomike të përshkruar prej saj si të tillë ku “edhe pse ekonomia mbeti relativisht e qëndrueshme gjatë krizës botërore 2008- 2009, Shqipëria ende nuk ka nisur rimëkëmbjen ekonomike”.

SHPËRNDAJE