Jupp Heynckess, trajneri i Bayern Munchen, është shprehur në konferencën për shtyp para ndeshjes që ekipi i tij do të luajë në Francë ndaj Olympique Marseille se për bavarezët nuk do të jetë e lehtë.

“Janë një ekip i fortë fizikisht. Luajnë me shpirt në fushën e tyre dhe kanë futbollistë të shkëlqyer. Do të jetë një luftë e fortë”, deklaroi tekniku gjerman.

Sulmuesi kryesor i Bayern, Mario Gomez, theksoi: “Nuk janë Real apo Barcelona, por kanë shumë cilësi.”

Olympique Marseille nuk ka pësuar më shumë se një gol në ndeshjet e luajtura brenda në dy sezonet e fundit të Champions, por lojtarët gjermanë janë optimistë për një rezultat të mirë në ndeshjen e vajtjes së çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve.

Ky optimizëm vjen edhe nga fakti se ekipi francez do të ketë mungesa të rëndësishme në këtë takim. Trajneri i Marseille, Didier Deschamps, bëri të ditur se përballë bavarezëve do të luajë me portierin e tretë.

“Elinton Andrade do të zëvendësojë kapitenin Mandanda në portë. Zgjedh brazilianin pasi paraqitja e portierit të dytë në Kupën e Francës nuk më ka bindur”, shpjegoi Deschamps.

32-vjeçari brazilian Andrade nuk ka luajtur asnjë takim zyrtar gjatë këtij sezoni me Marseille dhe nuk ka luajtur kurrë më parë në karrierë një ndeshje Champions.

Gjithashtu nuk është i sigurtë aktivizimi i sulmuesve titullarë të skuadrës: Loic Remy dhe Andre Ayew. Të dy këta futbollistë janë të dëmtuar dhe Deschamps do të presë deri në minutën e fundit për të vendosur nëse do i përfshijë apo jo në formacion.

SHPËRNDAJE