Teksa kemi hyrë në ditën e 40-të të karantinës, mjeku Pëllumb Pipero ka thënë se është një lajm shumë i mirë fakti se do të fillojnë analizat serologjike prej të hënës. Ai ka zbuluar si funksionon kjo analizë.

“E vetmja gjë që do të thosha është të bëjmë shumë kujdes. Besoj e reja është vendimi i marrë nga ministria e Shëndetësisë për të filluar analizat serologjike tek pacientët për të parë ku jemi jo vetëm me ekspozimin, por edhe me krijimin e anti-trupave, për të parë nivelin e mbrojtjes. Merret gjaku dhe analizohet dhe shikojmë nivelin e anti-trupave në organizëm. Janë dy lloj anti-trupash, njëri që dëshmon infeksionin dhe tjetri që tregon infeksion të kaluar dhe fitim të imunitetit.  Për të folur për imunitetin është pak herët që këto anti-trupa të jenë të qëndrueshëm.
Është i rëndësishëm kjo analizë se shohim sa të ekspozuar jemi ndaj këtij virusi. Këto lloj analizash nuk është e domosdoshme të bëhen për gjithë popullsinë. Mendoj që ministria e Shëndetësisë ka ndërtuar një strategji për të parë cila pjesë e popullatës do t’i nënshtrohet analizës. Fakti që fillon tek bluzat e bardha është lajm i mirë sepse shihet si është situata më mirë. Kemi hetim inteligjent, jo më  për të gjurmuar dhe konfirmuar rastet e kontaktet, por me hetim inteligjent për të parandaluar lindjen e vatrave të reja. Kemi hyrë në një fazë të re të ecurisë së epidemisë që na detyron të kërkojmë gjilpërën në kashtë. Do thellohemi në hetim për të parandaluar. Të kërkojmë atje ku mund të jetë, jo atje ku është. Sa më shpejt ta gjejmë, aq më shpejt e izolojmë, aq më pak kontakte të tjera ka ai person me të tjerët”, ka thënë Pipero për Zonë e Lirë.

SHPËRNDAJE