(AIK-Presheva Jone)



Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi traktatin e ri START me Rusinë për pakësimin e arsenaleve të armëve bërthamore, duke i dhënë kështu Presidentit Obama një fitore të madhe në politikën e jashtme. Senati votoi mbrëmë me 71 vota pro dhe 26 kundër në favor të traktatit. Ai parashikon shkurtimin e numrit të armëve bërthamore të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe përcakton një sistem të përbashkët verifikimi.

Presidenti Obama tha më pas në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë se miratimi i traktatit i dërgon botës një mesazh të fuqishëm. Ai falënderoi senatorët demokratë dhe republikanë për miratimin e traktatit, duke thënë se ai ishte përparësia e tij kryesore e sigurimit kombëtar.

Disa republikanë e kundërshtuan traktatin, duke paralajmëruar se ai mund të dëmtojë aftësitë e Amerikës për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa. Por traktati ka mbështetjen e udhëheqësve më të lartë të ushtrisë amerikane dhe të disa ish sekretarëve të Shtetit, përfshirë Kolin Pauëll, Xhorxh Shulz dhe Henri Kisinxher.

Tani duhet që parlamenti i Rusisë ta miratojë traktatin e ri START. Ligjvënësit rusë thanë dje se mund të votojnë për traktatin para fundit të kësaj jave.

Stivën Paifër është ekspert për kontrollin e armëve pranë Institutit Brukings.

“Nëse ktheheni prapa, do të shihni se koha e konfliktit në Gjeorgji dhe muajt në vijim, të themi shtator 2008, ishin periudha më e vështirë në marrëdhëniet SHBA-Rusi që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik më 1991. Marrëdhëniet sot janë më të forta dhe kujtoj se traktati i ri START dhe përpjekja që administrata bëri për të zgjidhur disa shqetësime ruse në këtë ecuri ishin të rëndësishme për t’i dhënë raporteve mes vendeve një shtytje pozitive”.

Paifër thotë se një shqetësim kryesor i rusëve ishte qëndrimi i administratës së Presidentit Bush për të kufizuar vetëm mbushjet bërthamore, dhe jo raketat apo aeroplanët bombardues. Administrata e Presidentit Obama, në anën tjetër, qe e gatshme të pakësojë si mbushjet bërthamore ashtu edhe raketat që përdoren për hedhjen e bombave bërthamore. Ky ndryshim qëndrimi çoi në arritjen e marrëveshjes që e shkurton në 1 mijë e 550 numrin armëve strategjike bërthamore. Traktati gjithashtu i kufizon në 700 mjetet strategjike për hedhjen e bombave bërthamore siç janë raketat me rreze të gjatë dhe bombarduesit e rëndë.

Marrëveshja po ashtu krijon strukturat përkatëse për ato që administrata e Presidentit Obama i quan masa të forta verifikimi, dispozita që sigurojnë që secila palë t’u përmbahet detyrimeve të traktatit.

Ish-sekretar i Shtetit, Lorenc Igëllbërgër, që shërbeu në administratën e Presidentit Xhorxh H.W. Bush, në vitin 1992, e mbështet këtë traktat dhe thotë se dispozitat për verifikim janë jetike.

“Ajo çfarë më së shumti ofron ky traktat është mundësia që sërish të jemi në gjendje të sigurohemi përmes mekanizmave tanë të inspektimit se traktati është duke u zbatuar nga rusët. Nuk kemi pasur të drejtën ta bëjmë këtë që nga skadimi i traktatit të vjetër START vitin e kaluar”.

Por disa senatorë republikanë, që e kritikojnë traktatin, kanë thënë se dispozitat e verifikimit janë shumë të dobëta. Ata janë shprehur se traktati kufizon aftësitë amerikane për mbrojtjen nga raketat.

Senatori republikan Xhon Ensën nga Nevada: “Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në gjendje të përshtaten dhe t’u përgjigjen me shpejtësi kërcënimeve të reja ndaj sigurisë sonë. Tani është koha për më shumë aftësi parandaluese, jo për më pak. Amerika ka bërë shumë lëshime për Traktatin e ri START, nga të cilat mund të ketë pak përfitime”.

Kjo pikëpamje nuk u pranua nga zyrtarët e administratës. Derëll Kimboll, kreu i Shoqatës për Kontrollin e Armëve, organizatë kërkimore private, thotë se traktati është i rëndësishëm jo vetëm për marrëdhëniet amerikano-ruse: “Është shumë më e kuptueshme nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Traktati ka mbështetje të gjerë nga ushtria amerikane, udhëheqësit demokratë dhe republikanë të politikës së jashtme, të gjithë sekretarët e shtetit dhe të ish-presidentit Xhorxh Herbert Uokër Bush”.

Tani që traktati START i Ri është ratifikuar nga Senati amerikan, analistët, si Stivën Paifër, po diskutojnë se cili mund të jetë hapi i ardhshëm në bisedimet për armë mes Uashingtonit dhe Moskës. “Kur nënshkroi traktatin e ri START në muajin prill, Presidenti Obama e bëri të qartë se dëshironte të zgjidhte jo vetëm çështjen e forcave të dislokuara strategjike por edhe të mbushjeve strategjike që ruhen nëpër magazina. Ai shprehu dëshirën të zgjidhë edhe çështjen e armëve bërthamore taktike. Pra mund të ndodhë që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të bisedojnë për herë të parë për shkurtime në të gjitha arsenalet e tyre bërthamore me përjashtim të armëve që janë duke u çmontuar. Këto do të ishin bisedime të vështira sepse palët do të merren me çështje që s’i kanë diskutuar më parë. Sfidat e verifikimit do të jenë të mëdha”.

Por para se të zhvillohen bisedime të reja për armët, traktati i ri START duhet të miratohet nga parlamenti rus. Ekspertët thonë se kjo ka shumë gjasë të ndodhë.

SHPËRNDAJE