(AIK-Presheva Jone)

 

 

Hugh Grant bën shaka për shumë gjëra: për filmat e tij, për koleget, për manitë që ka. Por ku e pyet për ditëlindjen, bëhet serioz: “Ju lutem mos më flisni për këtë temë! Kam rënë në depresion”. Në fakt e ka gabim: edhe pse sapo i ka kaluar të 50-at mbetet si gjithmonë beqari më tërheqës i kinemasë Kur doli filmi i fundit i Hugh Grant, “Did You Hear About the Morgans?”, të gjithë arritën në përfundimin se kishte tri arsye të forta për ta parë.

E para ishin protagonistët. Hugh Grant, mbreti i komedisë romantike, nga “Katër martesa dhe një funeral” te “Ditari i Bridget Jones” apo “Notting Hill” vetëm për të cituar disa prej tyre, dhe Sarah Jessica Parker, ylli i telefilmit më të ndjekur “Sex and the City”, që për herë të parë interpretonin bashkë (e nëse nuk u cilësua si çifti më i bukur në botë, u cilësua si çifti më shik).

E dyta ishte historia, metamorfoza argëtuese e dy bashkëshortëve në prag të divorcit, dëshmitarë të një vrasjeje dhe të detyruar nga programi i mbrojtjes së FBI-së për t’u larguar nga Manhatani e për t’u fshehur në një vend të vogël me emrin Wyoming.

E treta, për fundin e tij të lumtur. Sepse Hugh dhe Sarah kishin pikërisht nevojë për këto aventura të çmendura për të rigjetur sërish dashurinë (në fund të fundit në kinema shkohet për të ëndërruar). Edhe pse një ditë më parë ishte kthyer nga Londra për në Los Anxhelos, Hugh Grant duket shumë në formë. Ashtu si në filmat ku luan. I veshur thjesht me xhinse, këmishë, jelek dhe xhaketë, Hugh qëndron pothuajse i shtrirë në kolltukun e hollit të hotelit duke pritur. Nuk duket i mërzitur, thjesht po mediton.

Le ta nisim me një pyetje jo shumë të këndshme. Ju i mbushët 50 vjeç këtë shtator dhe shumë njerëz në këtë moshë kalojnë një lloj krize… Keni ndërmend ndonjë çmenduri të tipit të adoptoni ndonjë fëmijë, apo të martoheni?

Jo, jo për momentin nuk kam asnjë plan të tillë.

A bëtë një festë gjigante për ta festuar?

Besoj se po bëni shaka, nuk kishte asgjë për të festuar. Ose më mirë tani jam i terrorizuar. Ishte një moment shumë i trishtueshëm. Në Zvicër ekziston një klinikë e quajtur Dignitas: është një vend ku praktikohet eutanazia, e mendova njëherë të shkoja aty ditën e ditëlindjes sime.

Atëherë le të mos flasim më për këtë. Në filmin tuaj të fundit kishit përballë Sarah Jessica Parker? Ju pëlqeu të punonit me të?

Kësaj pyetje mund t’i përgjigjem vetëm me pak fjalë: Po, shumë.

E ke me të vërtetë?

Po, me të u gjenda shumë mirë. Përgjithësisht i urrej ata me të cilët punoj, por Sarah Jessica Parker më pëlqen vërtet. Është brilante, argëtuese dhe me shumë talent. Kemi qeshur shumë bashkë në sheshin e xhirimeve. Për mua të shkoja në punë ishte një argëtim më vete.

Pastaj është edhe me shumë shije…

Po, unë i adhuroj vajzat që vishen me aq shumë stil: më bëjnë shumë për vete. Herën e parë që unë dhe Sarah kemi darkuar së bashku për të biseduar për filmin ka qenë në Londër, në restorantin “Claridges Hotel”. Kur e pashë të hynte mbeta vërtet i shtangur: ishte kaq shik me fustanin e saj të zi dhe këpucët tmerrësisht të bukura.

Por edhe ju nuk mbeteni pas: jeni gjithmonë në klasifikimet e njerëzve më elegantë. Më parë ju shihnim edhe nëpër sfilita mode. Shkoni akoma?

Kur isha i fejuar me Elizabeth Hurley më qëllonte shpesh që ta shoqëroja. Ishte vërtet argëtuese.

Dikur ke deklaruar se visheshe në bazë të këshillave që të jepnin të dashurat e tua?

Besoj se çdo mashkull e bën. Nëse e dashura apo gruaja jote të thotë: “Sa mirë të rrinë këto xhinset”, me siguri që do përpiqesh t’i veshësh edhe për 20 vitet e ardhshme, me shpresën se nuk do të grisen.

Sipas jush, çfarë veshjesh nuk duhet të veshë kurrë një burrë apo një grua?

Mua nuk më pëlqen tendenca “forever young”. Në rrugë, si këtu në Los Anxhelos, në Londër apo Nju Jork, sheh shumë njerëz të veshur si adoleshentë, edhe pse i kanë kaluar të 40-at. Më duket e tmerrshme.

Te filmi “Did You Hear About the Morgans”, ju do të mbaheni mend edhe si Hugh Grant që aktron me një ari…

Më besoni, në fillim isha i terrorizuar. Arinjtë janë kafshë gjigante dhe si të mos mjaftonte kjo para xhirimeve, instruktori i ariut më la vetëm me të, që më frikësoi për vdekje. Më tha se kafsha mund të reagojë shumë keq edhe për gjëra intime, edhe duke e parë thjesht në sy.

Po kur u gjendët ballë për ballë?

Shkoi gjithçka shumë mirë. Ajo kafshë ishte stërvitur gjithë jetën për të qenë një aktore e mirë. Madje po ju them edhe diçka tjetër: mendoj se është diva më e madhe që kam takuar në jetën time.

Me pak fjalë doni të thoni se ju keni takuar shumë diva në jetën tuaj?

Ariu ishte shumë kapriçioz, kërkonte që të përkëdhelej. Nuk donte të dilte nga kafazi i tij pa bërë një dush të mirë. Pastaj nëse në ndonjë skenë ishte i zoti, duhej ta duartrokisnim dhe t’i bënim komplimente. E konfirmoj që ishte një yll i vërtetë.

Juve ju pëlqen të jetoni në qytet apo në fshat dhe të shijoni bukuritë e tij.

Në qytet dhe e adhuroj faktin që jetoj në Londër. Por dua t’ju tregoj se në vitet e fundit kam ndryshuar paksa. Nuk e duroj dot zhurmën dhe po i vlerësoj çdo ditë e më shumë ambientet e qeta në fshat. E sheh? Ndoshta duhet të jetë nga mosha që po kalon…

Mes pasioneve tuaja më të mëdha është edhe golfi. Çfarë ju pëlqen te ky lloj argëtimi?

Një pyetje shumë e bukur, sepse vërtet është një lojë e tmerrshme, frustruese dhe irrituese. Është shumë e vështirë dhe unë duke qenë perfeksionist nuk arrij ta duroj dot faktin që nuk mund të jap më të mirën. Duhet të vazhdoj të ushtrohem, duhet të marr më shumë leksione. Duket çmenduri. E të mendosh se jam regjistruar edhe në një kurs të veçantë, se më kanë thanë se mund të bëhesh shumë i zoti në golf. Gjithsesi nuk po ia kaloj keq: jam i rrethuar nga vajza të bukura që më ndihmojnë e më fërkojnë të gjithë muskujt.

Golfi është një sport shumë popullor mes aktorëve. Ka ndonjë arsye të veçantë?

Ndoshta, sepse aktorët kanë shumë kohë për të humbur? Ndonjëherë edhe unë pyes veten dhe në fakt kam zbuluar se ka shumë pika të përbashkëta mes punës sonë dhe këtij sporti. Një film përbëhet nga pritje të gjata. E pastaj thua fjalët e tua dhe pret sërish. Njëlloj si në fushën e gjelbër të golfit: pritja dhe përqendrimi drejtohen vetëm ndaj një veprimi të vetëm: duhet të jesh shumë i saktë për të qenë i suksesshëm. Ai lloj tensioni ndonjëherë më bën të dal jashtë vetes.

Kur flitet për Hugh Grant mendja të shkon menjëherë te ndonjë komedi sentimentale: jeni bërë një pikë referimi për këta lloj filmash. Është meritë e ironisë suaj?

Ndoshta. Është një fakt kulturor: ne anglezët jemi shumë ironikë. Përkundrazi, vetironikë. Na pëlqen të flasim për dështimet tona, madje ndonjëherë edhe i festojmë. Jemi krejtësisht të kundërtit e francezëve dhe amerikanëve. Kur erdha për herë të parë në Amerikë, bëja shaka duke thënë se filmi im ishte një shpifësirë. Shyqyr që e kuptova që po e merrnin seriozisht. Mësova të mos e bëja më. Këtu duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Sigurisht çdo vend ka kulturën e tij.

Cili është vesi juaj më i keq…

“BlackBerry”. Është një ankth i vërtetë, sa do doja të mos e kisha blerë. Është një pjesë e pandashme dhe e domosdoshme e jetës sime. E pranoj që kam krijuar varësi ndaj tij. Pastaj është shumë i thjeshtë edhe për t’u fiksuar: mjafton të mbash shtypur një tast për ta bërë jetën tënde dhjetë herë më të bukur. Unë nuk arrij dot, edhe pse e di se është e tmerrshme.

Në vitet e fundit keni deklaruar se nuk keni pasur ndonjë agjent, sepse ju nuk i keni dëgjuar kurrë këshillat që ata ju jepnin. Çfarë karakteri të vështirë…

Është e vërtetë. Nuk dëgjoj askënd. Megjithatë kam pak kohë që kam nisur të punoj me një nga agjentët e mi të vjetër. Ishte një moment dobësie: gjatë një darke i thashë po, por me kushtet e mia. Disa kanë nevojë t’i kapësh për dore për të gjitha zgjedhjet që bëjnë në jetë. Unë këtë gjë nuk e kam kuptuar kurrë. Njeriu duhet të jetë i zoti të ecë përpara i vetëm.

Cila ka qenë eksperienca më e keqe e jetës suaj?

Të përfunduarit në burg. Jo njëherë, por dy herë.

Dy herë? Vetëm njëherë kujtojmë të gjithë, atëherë kur mbarë bota foli për ju (në vitin 1995 Grant u arrestua në Los Anxhelos në shoqërinë e një prostitute. Në atë kohë ishte ende i fejuar me Liz Hurley).

Ka ndodhur shumë kohë më parë. Po kthehesha nga Turqia bashkë me një vajzë: kishim blerë disa tapete. Mbërritëm natën në aeroport dhe si dy idiotë menduam se nuk do t’i kontrollonte askush. Kaluam mes atyre që nuk kishin asgjë për të deklaruar, por na ndaloi policia. Një funksionar na pyeti nëse i kishim ne tapetet dhe ne iu përgjigjëm jo. Pastaj ai këmbënguli: Ju lutem, a mund ta hapni atë pakon e madhe? E hapëm dhe prej andej u duk një tapet i madh. Kisha gënjyer, sa turp. Këtë veprim bëra edhe me dy kuti të tjera. Në fillim na arrestuan pastaj na gjobitën, ndërsa tapetet na i konfiskuan. Një aventurë vërtet e hidhur.

Dy ditë më parë ju kanë parë të hynit në shtëpinë e Liz Hurley, që para ca kohe u nda nga i dashuri. Një shkëndijë e re?

Jo, jo, absolutisht. Për këtë e kam inat famën, se nuk i lë vend privatësisë. Dy miq mund të flasin për shumë gjëra, nuk është e thënë të jenë të dashur.

SHPËRNDAJE