New York, 14 maj – Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është shqyrtuar raporti tremujor për situatën në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon.

Ministri Hoxhaj i është drejtuar Këshillit të Sigurimit me një fjalim, ku ka prezantuar progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Republikën e Kosovës dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë fazë.

Hoxhaj tha se procesi i shtetndërtimit të Kosovës gjatë këtyre viteve pas shpalljes së pavarësisë, është rrëfim suksesi kosovar, evropian dhe ndërkombëtar.

Situata në tri komunat e veriut të Kosovës

Lidhur me gjendjen në veri të Kosovës, ministri Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj janë të shqetësuar shumë kur është fjala për situatën në tri komunat veriore.

Hoxhaj tha se Serbia ende mban, duke shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, policinë dhe strukturat ilegale të sigurisë në këtë pjesë të Kosovës dhe se situata është shumë e tensionuar, dhe ka ende barrikadat të vendosura nga këto struktura.

“Ajo me të cilën ne jemi duke u përballur në këtë pjesë të Kosovës nuk është e re në këtë rajon. Në vitet 1990, barrikadat në Kroaci dhe Bosnjë ishin ngritur nga policia dhe strukturat e sigurisë të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në pothuajse të njëjtën mënyrë se si këto struktura ilegale janë të kontrolluara, të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në veriun e Kosovës. Agjenda e Serbisë në këtë pjesë të Kosovës është mbajtja e status-quos dhe krijimi i kushteve për një konflikt të ngrirë dhe ndarje territoriale. Për shkak të kësaj situate, u bë e pamundur për institucionet tona që t’i integrojnë serbët e Kosovës dhe të zbatojnë Planin e Ahtisaarit në këtë pjesë të vendit tonë siç e bëmë me sukses në pjesën tjetër të Kosovës. Ky është këndi i vetëm i Evropës ku nuk ka sundim të ligjit, nuk ka pjesëmarrje demokratike në institucione”, ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Duke iu referuar raportit të sekretarit të përgjithshëm, sipas të cilit, KFOR-it dhe EULEX-it nuk u lejohet të veprojnë atje në bazë të mandateve të tyre, Hoxhaj ka thënë se për më tepër, stabiliteti i Kosovës dhe tërë arkitektura e sigurisë në rajon varet nga situata në veri.

“Më lejoni t’ju jap një shembull: në mëngjesin e hershëm të 8 prillit, një 38-vjeçar baba shqiptar kosovar u vra në banesën e tij në një shpërthim dhe dy nga katër fëmijët e tij u plagosën. Kjo ka ndodhur në një lagje të përzier në veri të Mitrovicës, dhe ky nuk është vetëm një akt i izoluar. Qyteti i Mitrovicës nuk është i ndarë nga lumi Ibër, por nga frika. Përmes frikës dhe kërcënimeve, këto struktura të sigurisë janë duke dëbuar të gjitha komunitetet jo-serbe nga veriu i Kosovës”, tha Hoxhaj.

Pozicioni i Qeverisë së Kosovës për këtë çështje, sipas tij, është shumë i qartë.“Dhuna duhet të ndalet dhe Serbia duhet të tërheqë njësitet e saj policore, të sigurisë dhe ato paramilitare nga veriu i Kosovës. Kosova ka qenë gjithmonë një shoqëri multietnike dhe ajo do të mbetet përgjithmonë kështu. Si e tillë, ne jemi kundër çdo lloj ideje të ndarjes, ndryshimit të kufijve apo këmbimit të territoreve. Për qeverinë tonë, integrimi i 30.000 serbëve të Kosovës në veri është shumë i rëndësishëm dhe duhet të ndodhë në të njëjtën mënyrë se si 100.000 serbë të Kosovës janë integruar në pjesën tjetër të Kosovës. Në këtë kuptim, Qeveria e Republikës se Kosovës është e vendosur për një dialog të brendshëm me serbët në komunat në veri të Kosovës, me qëllim për të integruar këtë komunitet në institucionet demokratike dhe për të ndihmuar formësimin e një agjende për zhvillimin social dhe ekonomik në këtë pjesë të Kosovës”, deklaroi ministri Hoxhaj.

Dialogu teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

Rreth dialogut teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Hoxhaj ka folur për marrëveshjet e arritura për bashkëpunimin rajonal dhe menaxhimin e integruar të kufijve (IBM) dhe marrëveshjen për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal të Kosovës. “Bazuar në këtë marrëveshje, Kosova tani do të marrë pjesë e pavarur dhe do të flasë për vete në të gjitha forumet si një partner i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. Kjo parasheh që Kosova të nënshkruaj marrëveshje të reja dhe mund të aplikojë në organizata të ndryshme rajonale”, tha Hoxhaj, duke shtuar se marrëveshja për menaxhimin e integruar te kufijve (IBM), përfshinë një protokoll teknik, implementimi së cilës ofron një zgjidhje evropiane për çështjet ndërkufitare ndërmjet shteteve.

Hoxhaj tha se dialogu ka pasur një progres në arritjen e këtyre marrëveshjeve dhe se ato janë marrëveshje bilaterale legale ndërmjet dy shteteve te pavarura.

“Sidoqoftë, kredibiliteti i tërë procesit të dialogut është në rrezik. Marrëveshjet janë të pavlera nëse ato mbeten vetëm në letër dhe nuk implementohen në terren. Dhe shumica prej tyre nuk janë implemetuar aspak: p.sh. Serbia nuk e ka nënshkruar dhe implementuar protokollin teknik në implementimin e menaxhimit te integruar të kufijve, duke e lënë me qëllim si opsion të hapur ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. Në anën tjetër, Serbia ka pranuar marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forume(konferenca) rajonale, por ajo edhe më tutje bojkoton çdo takim ku është Kosova prezent dhe insiston në obligime që nuk janë paraparë në marrëveshje”, bëri të ditur Hoxhaj, në seancën e KS të OKB-së.

Ministri i Jashtëm tha se disa nga marrëveshjet janë implementuar vetëm pjesërisht, siç janë liria e lëvizjes dhe tregtisë së lirë. “Këtu mos implementimi i marrëveshjeve ndërlidhet direkt me bllokadat e rrugëve në pjesën veriore të Kosovës si dhe arrestimet sistematike të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe. Në dy muajt e kaluar, më shumë se dhjetë qytetarë të Kosovës janë arrestuar pa asnjë arsyetim duke kaluar nëpër Serbi në rrugën drejt apo nga Kosova, të cilët më vonë janë liruar”, ka bërë të ditur Hoxhaj.

Ai ritheksoi se Kosova ka hyrë në këtë dialog me qëllim të mirë dhe ka luajtur një rol tejet konstruktiv në arritjen dhe implementimin e marrëveshjeve. Ndërsa, duke iu referuar vendimit të BE-së që t’i japë Serbisë statusin e kandidatit si rezultat i arritjes së marrëveshjeve në këtë dialog teknik, Hoxhaj tha se është për keqardhje që Serbia deri me tani nuk ka treguar vullnet për implementimin e marrëveshjeve.

“Pos tjerash, Serbia ende mbanë strukturat kriminale ilegale të sigurimit dhe të policisë në territorin e Kosovës, çka është në kundërshtim të madh me vlerat e Bashkimit Evropian dhe është një kërcënim i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar. Në tre muajt e fundit, ne kemi parë dy fytyra të Serbisë: Serbia e cila sillet si një vend pro-evropian në marrëdhëniet me Brukselin dhe Serbinë e cila sillet në mënyrë anti-evropiane në marrëdhëniet me Kosovën”.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përfunduar fjalimin në seancën e KS të OKB-së duke thënë se qëllimi kryesor i institucioneve të Kosovës dhe popullit të saj është integrimi në institucionet euroatlantike. BS

SHPËRNDAJE