Numri 10 i Barcelonës synon të thyejë disa rekorde në këtë sezon

Legjendës holandeze iu deshën 5 sezone për të arritur në 60 gola për skuadrën “blaugrana”, ndërsa legjendës argjentinasi i mjaftoi vetëm një, madje ende jo i plotë. Lionel Mesi ka shënuar në 2011-2012 aq gola sa Johan Krujf shënoi në 5 vite të kaluara në “Kamp Nou”, ndërsa historia e numrit 10 nuk ka përfunduar ende.
Ndërkaq, gazeta e Madridit, “Marka”, parashikon që Leo të mund të thyejë një tjetër rekord dhe këtë pikërisht në ndeshjen ndaj Realit në “Kamp Nou”. Bëhet fjalë për rekordin e shënimit të golave në një edicion të vetëm që mbahet nga Gerd Myler, me 67 në 1972-1973.
Me mesataret e shënimit, Mesi do të synojë të arrijë tek shifra 68 pikërisht në “El Klasikon” e radhës në kampionat. Në dispozicion të yllit janë 7 ndeshje në kampionat, 1 në Kupën e Mbretit dhe 2 deri në 3 në Champions.
Me dy golat e shënuar ndaj Saragozës, Lionel barazoi 38 golat e shënuar në një kampionat nga Zarra më 1950-1951 dhe Hugo Sançez më 1989-1990, ndërsa është vetëm 2 gola nga rekordi i vjetshëm i Kristiano Ronaldos. Veçse, duhet thënë se në këtë synim, në garë është edhe Ronaldo që ka shënuar 37 gola në këtë kampionat.
Po ashtu, objektiv i Mesit është tejkalimi i rekordit të Hoze Altafinit për golat e shënuar në kupën e kampionëve. Altafini shënoi 14 gola për Milanin në 1962-1963, ndërsa Mesi ka shënuar po 14 deri tani dhe ka dy gjysmëfinalet ndaj Çelsit si dhe një finale të mundshme për ta thyer edhe këtë rekord.

SHPËRNDAJE