Ramiz Merko dëshiron të formojë listën e deputetëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kryebashkiaku i Strugës i cili është edhe kryetar i degës së BDI-së në Strugë njoftoi se këto ditë ka zhvilluar bisedime me të gjitha partitë politike shqiptare në Strugë për bashkimin e votave dhe formimin e një llojit të koalicionit.

“Ne si degë e BDI-së në Strugë në opinion lëshuam idenë, e cila erdhi deri tek partitë tjera politike për bashkimin e votës shqiptare në njësinë e pestë zgjedhore. Ne këtë nuk e bëjmë për njësitë e tjera zgjedhore siç është njësia gjashtë, një dhe dy zgjedhore. Ne si degë e BDI-së kemi qëndrim se jemi për koalicionim të partive shqiptare në njësinë e pestë zgjedhore…”, tha Merko.

Megjithatë Merko thotë se nuk bëhet fjalë për formimin e listës paralele nga ajo e partisë së tij amë BDI dhe se gjoja bartës i listës do të ishte personalisht ai. Lidhur me paralajmërimet se BDI-ja do të bëjë koalicion me partinë për Ardhmëri Evropiane të Fiat Canovski ai porosit partinë e tij që të mos mendoj në diç të tillë pasi atmosfera për një kombinim të tillë në terren do të ishte negative. Nga BDI e përkujtuan Merkon se për të gjithë këtë vendos Ali Ahmeti e jo ai.

“Informatat tona thonë se bëhet fjalë për një spekulim i cili nuk është konfirmuar nga askush e as nga kryetari aktual i komunës së Strugës zotëri Merko. I autorizuar për të formuar apo për të prishur koalicione apo forma bashkëpunimi apo aleanca të ndryshme parazgjedhore është vetëm kryetari i partisë që është Ali Ahmeti”, deklaroi Ermira Mehmeti-Devaja.

Reaguan edhe nga PDSH-ja opozitare me vlerësimin e tyre për hapat që i paralajmëron Merko.

“Ka të vërtetë në këtë informatë për shkak se Merko ka nevojë për mandat të deputetit për shkak të imunitetit. Opinioni e din se Merko ka një numër të madh të padive penale andaj i duhet imuniteti por edhe që ta mbroj biznesin e tij që e ka në Strugë, gjegjësisht fakultetin e tij”, deklaroi Zijadin Sela, kryetar i degës së PDSH-së Strugë.

Nga PDSH dhe DR thonë se propozimi për paraqitjen e përbashkët me Merkon deri më tash nuk ka arritur tek ata. Nga partia e Rufi Osmanit në Strugë as e konfirmojnë e as përgënjeshtrojnë një gjë të tillë, por thonë se në bisedat private megjithatë ishte përmendur një ide e tillë.

SHPËRNDAJE